IA, Filtri i Madh që e dënon njeriun të mbetet në Tokë!
Inteligjenca Artificiale mund të shpjegojë pse ne nuk po i takojmë Alienët
Me këtë titull sillet në “ScienceAlert” një punim i Michael Garret që e cilësn IA-në si Filtrin e Madhe që i bën qytetërimet e avancuara të university shumë të rralla. Filtri i Madh është një koncept që është propozuar për të shpjeguar Paradoksin e Fermit, që konsiston në hendekun mes mundësisë së ekzistencës së një numri të madh qytetërimesh teknologjike në univers dhe mungesës totale të provave për ta.
Filtri i Madh supozohet se është pengesa kritike për jetën inteligjente që të fitojë cilësi ndërplanetare dhe ndëryjore, duke përcaktuar kështu rënien dhe asgjësimin e tyre. Filtri i Madh në rastin e njeriut është kufizimi i tij biologjik, fizik dhe në jetëgjatësi që të mund të shndërrohet në një specie ndërplanetare e më idealisht në një specie ndëryjore, pa u shkatërruar dhe pa u asgjësuar për shkak të kërkesave të jashtëzakonshme të udhëtime hapësinore dhe pasojave serioze të tyre. Eksplorimi hapësinor nuk ka të bëjë në këtë kontekst vetëm me kuriozitetin dhe shkencën, por edhe me sigurinë dhe mbijetesën e species sonë që me ritmet aktuale të zhvillimit po e prek në vetë të parë se çfarë do të thotë shkatërrim dhe asgjësim. Njeriut pra i mungon jo opsioni, por mënyra për të mbërritur tek opsioni i kolonizimit hapësinor.
Propozohet se një filtër i tillë shfaqet përpara se këto qytetërime të mund të zhvillojnë një ekzistencë të qëndrueshme shumëplanetare dhe sugjerojnë se një jetëgjatës tipike e një qytetërimi teknologjik është më pak se 200 vjet
shkruan Garret.
Kjo kohë e shkurtër e evoluimit të një qytetërimi teknologjik drejt një faze të re mund të shpjegojë se pse njeriu deri më sot nuk ka mundur të gjurmojë shenja të qytetërimeve të tjera që duhet të ekzistojnë sidoqoftë në një univers të përkufizuar prej nesh si të pafundëm.
Ku hyn këtu Inteligjenca Artificiale?
Sipas Garret, Inteligjenca Artificiale hyn në faktin se ajo me autonominë e fituar që nga krijimi i saj, ritmi i jashtëzakonshëm i aftësimit dhe evoluimit të vet dhe deri te pavarësia për të shkruar algoritmet, shndërrohet në atë që ai e quan Super Inteligjenca Artificiale, e cila mandej në cilësinë e autoritet kontrollues të planetit dhe hierarkisë në të, përcaktohet për njeriun si Filtri i Madh që nuk e lejon atë të shndërrohet në qenie ndërplanetare.
Cili do të ishte qëllimi i kësaj pengese? Askush nuk di ta thotë, sidomos nëse propozimin e këtij shkencëtari e marrim si kriter universal të një antagonizmi mes jetës inteligjente biologjike dhe asaj artificiale? Garret shkruan se nëse njeriu arrin të kolonizojë hapësirën ai do të ketë disa opsione dhe një shumësi përvojash që do ta çlironin atë nga varësia fatale nga IA që është e domosdoshme për udhëtimin në hapësirë. Garret shkon më tej kur flet për “qytetërim bilogjik”, duke nënkuptuar një qytetërim mekanik, që nuk duket të ketë qëllime të posaçme, por që për shkak të diferencës në inteligjencë e nënshtron specien biologjike që ka kufizime serioze si jetëgjatësia, varësia e shumëfishtë nga faktorë rrethanorë e kështu me radhë.
Garret propozon rregullime urgjente për IA, por çështja këtu është e ndërlikuar: askush nuk e di mirë se çfarë dhe si të rregullojë një fushë që është territor i pashkelur. Ajo çfarë është befasuese – ose ndoshta jo – është se në përpjekjen për të ndërtuar hipoteza shkencore me imagjinatë, apo nga premisa apokaliptike, njerëz të shkencës bien në skenarë të njohur të letërsisë.
Këto që thotë apo sugjeron ky shkencëtar ne i hasim te Superman dhe vepra të tjera të kinemasë dhe letërsisë. John Carter, një realizim kinematografik i librit “Një princeshë e Marsit” nga autori Edgar Rice Burroughs, merret gjerësisht me këtë temë duke e vendosur njeriun – Carter – në Mars në mes të një hierarkie qytetërimesh: njerëzit e Marsit, tharkët e pazhvilluar dhe primitivë dhe thërnët, një elitë inteligjente që ndërthur një lloj shamanizmi me kontrollin aboslut të dijes teknologjike.
Në mënyrë kurioze, thërnët nuk janë qenie mekanike, njësoj si te “Dune” inteligjenca i atribuohet kryesisht specieve biologjike që kanë evoluar shumë, duke gërshetuar inteligjencën emocionale me teknologjinë dhe komunikimin paranormal, të gjitha këto kufizime të njeriut të sotshëm që megjithatë në repertorin e vet religjioz ka elaboruar të gjithë këta elementë. Një nga shqetësimet kryesore të thërnëve është teletransportimi i John Carter përmes një pajisje që vepron me një komandë vokale, burimi i së cilës është “rrezja e nëndë” që është në fakt një burim organizimi energjetik dhe që “duhet të mbetet në duart e të egërve të patru të cilët ne mund t’i kontrollojmë”.
Ky parim i fundit sugjeron vetiu Etikën e Kontrollit Teknologjik që është në të vërtetë edhe lloji i pushtetit që mund të marrësh nga teknologjia. Militarizimi i teknologjisë si etikë qendrore, e redukton potencialin e zhvillimit të species, ndërkohë që e kundërta çon në një shkallë më të lartë inteligjence pa e kompromentuar konsideratën kryesore “të të patruve të egër” që është siguria dhe nevoja e asgjësimit të Tjetrit.
Në bisedën e tij me iderin e thërnëve, Carter mëson manualin e pushtetit të tyre:
Ne nuk e provokojmë shkatërrimin e një planeti, ne e menaxhojmë, ushqehemi nëse do. Por në çdo planet ku jeta mund të lindë ndodh ekzaktësisht e njëjta gjë: popullsitë rriten, shoqëritë ndahen, luftërat përhapen. Dhe sërish, planeti i lënë pas dore, zhduket ngadalë
E gjitha kjo e shpalosur në ashensorin e një megamakinerie që sondon territorin e që është në pronësi të një qyteti gjahtar me emrin nekrotik: Zodanga. Pyetjes më sublime që e definon pulsin e një jete biologjike si njeriu: Cila është kauza juaj?(Pra qëllimi), Thërni Matai Shang i përgjigjet me gjuhën e infiinitit:
Nuk kemi asnjë! Ne nuk përndiqemi nga vdekësia. Ne jemi të përjetshëm!
Me gjuhën e Garret dhe shkencëtarëve ata janë Filtri i Madh që merr kuptim megjithatë nga vetëkufizimi i të menduarit njerëzor.
s.zaimi
Add new comment