Unë mendoj se kam të drejtë
Nëse të qenët, domethënë prania ime trupore është rezultat i vullnetit të Zotit, i përmbaruar pa konsultuar vullnetin tim, atëherë për të vazhduar ekzistencën time si vetëdije, unë mund dhe duhet të marr vendime bazuar vetëm në vullnetin tim të lirë.
Pse mund?
Sepse kjo mundësi më është dhënë me vete si aftësi.
Pse duhet?
Sepse kjo liri e dhuruar, qoftë hyjnore, qoftë nga natyra, duhet vënë në përdorim, jo asgjësuar.
Me lindjen e parë, trupore, më mungoi vetëdija. Erdha pa dëshirë, pa dije dhe pa vetëdijen time. Sapo qesh shfaqur, ia pata plasur vajit. E vetmja krijesë biologjike, që trishtohet nga lindja dhe që tmerrohet nga vdekja është njeriu. Edhe e vetmja, që kupton gjallimin dhe që di fundin. Të tjerat nuk kanë aftësi për të imagjinuar jetën, as për të parashikuar fundin.
(Qenies njeri i duhen më shumë se dy vite për të mësuar ecjen e sigurt; dy-tre vite i duhen për të ndërtuar fjali të thjeshta dhe për të kuptuar bisedat e përditshme. Aty ndërmjet dërgohet në Kopshtin e Fëmijëve, pastaj nja 12 apo 20 vjet mëson një profesion. Diku 35-40 vite duhet të punojë. Aty ndërmjet pushon nga një apo dy ditë në javë për të punuar mirë pesë apo gjashtë ditë të tjera. Del në pension dhe diku 15-20 vjet, merr hapa për ta zgjatur jetën. Shpesh i izoluar, i harruar dhe i shpërfillur. Nëse nuk është i kamur, nuk do të ketë pranë vete gati askënd. Nëse ka kursyer shumë, i ka fshehur lekët pikë së pari nga vetvetja. Ky njeri ka shanse të mira të vdesë i pasur.
Në anën tjetër, gjallesat tjera lindin pa dhembje, ushqimin e kanë falas, disa ndërtojnë një strehë apo çerdhe, disa jo; disa notojnë, lindin me dijen e nevojshme për të mbijetuar, apo mësohen për disa ditë apo javë dhe pason autonomia e plotë për t’u shumuar dhe për të jetuar tutje. Nuk marrin hapa, nuk shkojnë te mjeku, nuk lodhen, nuk shkojnë në shkollë e nuk mësojnë një profesion… Dhe, nuk kanë mundësi e aftësi për ta ndryshuar jetën: nuk e dinë se lindin, si ne, nuk e dinë se ngordhin, si ne. Sidoqoftë, detyrë e njeriut është prej brezi në brez ta përmirësojë jetën. Së paku për familjen e vet. Sepse jeta është sfidë dhe shans i vetëm.
Edhe pse njeriu ka shumë sfida dhe peripeci gjatë jetës, ai ka një mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar mendjen dhe për të krijuar lidhje që e bëjnë jetën të vlefshme. Në këtë mënyrë, jeta njerëzore, me të gjitha vështirësitë e saj, është gjithashtu një mundësi për të përjetuar gëzim, dashuri dhe arritje personale që nuk mund të përjetohet nga asnjë krijesë tjetër. Prandaj, pavarësisht sfidave, kemi një shans të veçantë për ta bërë jetën tonë më të mirë dhe për të lënë një trashëgimi pozitive për brezat e ardhshëm.)
Lindja ime e dytë, konkrete dhe reale, u bë pas moshës 18 vjeçare, me fillimin e studimeve, kur dola nga shtëpia dhe kur mendoja se isha formuar si vetëdije. Aty e tutje nisa përpjekjet për të marrë vendime vetë.
Prindërit dinë pse bashkohen, por jo foshnja që lindet nga seksi i tyre. Ai që lind është rrjedhë e një akti: pasojë e vetëdijshme e një bërje të vetëdijshme për një krijim eksperimental të pavetëdijshëm. Pra, nëse Zoti, zotat apo natyra ka lejuar mëvetësinë e zgjedhjes ose mundësinë e mënjanimit, të ndërrimit të besimit fetar, atëherë Zoti apo zotat kanë përjashtuar qëllimisht fenë si nevojë të domosdoshme themelore.
Arsyeja? Sepse ajo redukton, ndalon, vështirëson përdorimin dhe zbatimin e aftësive, të trurit, që i ka dhuruar ai ose ata njeriut. Ose natyra. Nëse e ndalon zoti, atëherë ai apo natyra nuk ka pasur koncept të qartë dhe dije për të krijuar njeriun me aftësi të kufizuara si e dëshiron feja.
Nëse kufizohet përdorimi i trurit edhe kur me atë vepër nuk dëmtohet njeri, pra nëse i ndalohet shfrytëzimi i aftësive të veta dhe pasioneve, atëherë perëndia na del mashtrues: na i dhuron zotësitë, por nëse i përdorim, na dënon. Mu si me mollën. Është aty, por mos e hani se e kuptoni botën. Rrini si kafshë më mirë. Cullakë.
Mua si subjekt më lejohet rrëmbimi i lirisë, i mëvetësisë, për të refuzuar shndërrimin e vetvetes në një kopje të vullnetit të një profeti të huaj, të vetëshpallur. Autonomia vendimmarrëse që më është dhuruar, përjashton nënshtrimin, por nuk e pamundëson. Nuk e pamundëson sepse natyra ose zoti e lejon zotërimin dhe posedimin e më të dobëtit nga i forti. E të padijshmit, nga i ‘dijshmi.‘ E lejon natyra, e lejon zoti. E lejojnë zotat. Feja lejon madje edhe shitblerjen e njeriut.
Pra, nëse ai ka vendosur për bërjen time, për krijimin tim, unë do të vendos vetë për mënyrën e të qenët, sepse kjo mundësi më është dhënë me vullnetin e zotit apo natyrës: të jem i pavarur prej tij, përndryshe do ta kishte pamundësuar. Si një fëmijë, që duhet të jetë i pavarur nga prindërit e vet. E jo ngarkesë e tij.
Nëse unë nuk jam dija dhe vetëdija origjinale, atëherë jam hija e një bindjeje të huaj, domethënë vetëm një grumbull i materieve biologjike, që shfrytëzohen për të ruajtur, për të memorizuar informacionet e huaja. USB! Pajisje në shërbim dhe në posedim të një apo disa mashtruesve, të cilën kujdesen për të furnizuar të mashtruarin vazhdimisht me përditësime të reja. Me update. Ata duhet të fitojnë pa punuar.
Nëse vullneti im konsiderohet mëkat pse nuk ndjek urdhëresat e një feje, atëherë do të shpallej zotin i paaftë, sepse ai nuk ka ditur t'i imponojë njeriut të mitur, të palirë vullnetin e vet hyjnor, apo nevojat themelore për të mbetur gjallë, si: ajrin, ushqimin, ujin, gjumin, aftësinë për t’u mbrojtur nga temperatura ekstreme si dhe epshin për shumim, nëse e synon mbijetesën.
Nëse një zot më dënon për mosbesimin e një feje, nuk do të pranoja tutorinë e tij as si qenie konkrete dhe as si shpirt ikanik, në ikje e sipër, sepse nuk e pranoj autoritetin e atij që kënaqet duke ndëshkuar njerëzit, sepse pastaj qëndrimin tim ndaj dhunës duhet rishikuar: do të duhej ta kuptoja, shpjegoja, pranoja si vepër të mirë hyjnore. Gabim i madh! Një perëndi duhet të jetë vetëm i mirë, kurrë jo i ligë.
Pra nuk do të pranoj një zot që dënon njerëzit, që i pjek në skarë apo që i zien në kazanë sepse atëherë do të më duhej të njoh si të mirë edhe shumë diktatorë mizorë dhe dhuna brutale do të merrte një ngjyrim hyjnor. Nuk e ka. Nuk do ta ketë kurrë. Nuk guxon asnjëherë të arsyetohet dhuna: as e njeriut (pos gjatë vetëmbrojtjes), as e zotit.
Qëndrim etik i njeriut është të luftojë të gjitha format e dhunës, qofshin ato hyjnore apo njerëzore. Një zot që ndëshkon mizorisht njerëzit do të ishte moralisht i dyshimtë, i papranueshëm, i paaftë dhe nëse është i tillë, atëherë djalli na rezulton i mirë, çfarë nuk guxon të jetë.
Pavarësisht nëse ekzistenca jonë është një dhuratë hyjnore apo një rezultat i natyrës, liria e vullnetit na jep mundësinë dhe përgjegjësinë për të formuar jetën tonë sipas vullnetit tonë. Kjo liri duhet të përdoret për të ndjekur të vërtetën dhe për të refuzuar nënshtrimin e pakuptimtë ndaj dogmave që kufizojnë potencialin tonë njerëzor dhe që motivojnë për luftëra në mes popujve dhe kulturave…
Add new comment