Netanjahu shpërndan kabinetin e luftës
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shpërbërë kabinetin e tij qeveritar të luftës. Lajmin e konfirmoi të hënën një zyrtar izraelit.
Ky hap i pritshëm vjen pas largimit nga qeveria të ish-gjeneralit centrist, Benny Gantz.
Së fundmi, Netanyahu është përballur me kërkesa nga partnerët nacionalistë-fetarë në koalicionin e tij, ministri i Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir për t'u përfshirë në kabinetin e luftës, një veprim që mund të kishte intensifikuar tensionet me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në.
Me shkrirjen e kabinetit të luftës, i përbërë prej gjashtë anëtarësh, pritet që disa nga çështjet e diskutuara më parë prej tij të transferohen për diskutim në kabinetin e sigurisë. Megjithatë, vendimet me sensibilitet të lartë do të trajtohen në një forum më të vogël konsultimi, raporton Haaretz.
Lëvizja vjen pasi protestuesit kundër qeverisë së Netanyahut dhe kundër mënyrës si po luftohet me Hamasin po organizojnë një javë demonstratash me synimin për të çuar vendin në zgjedhje të reja përpara 7 tetorit, kur shënohet përvjetori i parë i sulmit të Hamasit.
Add new comment