Piktura është arti i të heshturës

Postuar në 15 Qershor, 2024 14:48
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Studioja e Vilson Biçakut ndodhet në katin e poshtëm të një ndërtese të vjetër në qendër të Brukselit, me arkitekturën tradicionale që karakterizon shumicën e godinave të qytetit, por që pavarësisht se i ndesh rëndom, gjithmonë vazhdojnë të të mahnisin me elementët dhe detajet dekorative. Pjesa më e madhe e piktorëve që më ka rastisur të njoh apo të intervistoj, kanë një lloj manie me rregullin, çka më përmbysi përfytyrimin për rendin kaotik të artistëve, ndërsa studioja e Vilsonit përkonte pikërisht me imazhin e artistit anarkist e rebel.

Bisedën tonë e ndërpriste herë pas here kolla e tmerrshme e fqinjit të katit të mësipërm, por që edhe ky element bezdisës, detyrimisht u bë pjesë e tablosë së intervistës.

Vilsoni është i biri i piktorit Lirim Biçaku, i cili pjesën më të madhe të  jetës e kaloi në internim, që 6 muajsh e deri në moshën 47 vjeçare. As Lirimi dhe as Vilsoni, s’mund ta imagjinonin për sa kohë jetonin në fshatin Savër të Lushnjes, se me ardhjen e demokracisë, do të shkonin nga Shqipëria në Belgjikë, vendit drejt të cilit u arratis i ati i Lirimit. Por, duke qenë se në mediat shqiptare lexuesi gjen shkrime dhe intervista mbi Lirim Biçakun dhe të atin e tij, parapëlqeva të mos përqëndrohem mbi historinë e tyre familjare. Vilsoni tashmë, prej vitit 1999 jeton në Belgjikë dhe punon si mësues pikture në Académie de Dessin et des Arts décoratifs Gustave Camus de Châtelet në pjesën frankokofone.

Në pikturat e vona dhe skulpturat e Vilsonit ka sy gjithandej, të dukshëm dhe të fshehur, sy të mëdhenj, të çelët dhe të shumëfishtë. Krah meje, në hyrje të studios, ndodhet një pikturë me përmasa të mëdha, një nënë me foshnjen në krah, madonë moderne dhe e pakohë, në stilin e figurave femërore të rilindjes. “Përveç syve të shumëfishtë, çfarë tjetër sheh”, më thotë Vilsoni. “Gishtërinj të shumëfishtë”, i përgjigjem. “E sheh”,- më thotë -“perëndimin e diellit, flokët e gruas që i valëvit era dhe detaje të tjera më të vogla?”.

Dhe vazhdon: “Piktura është arti i të heshturës, nuk është arti i të folurit. Është pleonazëm të filloj të flas për pikturën që kam bërë, është si të them dy herë të njëjtën gjë”. Nuk tentova t’i bëj asnjë nga pyetjet e rëndomta të llojit “Çfarë simbolizon ky apo ai detaj”, por u përqëndrova në soditjen e artit të së heshturës, me qindra sy përreth.

***

    Savra është vendi, ku falë fatkeqësisë së prindërve të mi, fatmirësisht linda unë dhe fëmijët e tjerë. Edhe im atë, edhe ime më, vijnë nga familje të internuarish politikë me një kalvar të gjatë vuajtjesh nëpër kampet e Shqipërisë. Babai im, që 6 muajsh për shkak të arratisjes së të atit, është rritur nëpër kampe, kurse gjyshi nga ana e mamasë u dënua me 21 vjet burg. Pavarësisht diskriminimit si kulakë dhe të persekutuar, përpos vështirësive, ata kanë pasur edhe momente gëzimi, lindje fëmijësh, fejesa, martesa, etj. E kam vuajtur shumë padrejtësinë, që u është bërë prindërve të mi nga disa individë, që e përdornin sistemin për të sunduar e përçarë njerëzit. Për sa kohë jetonim në Savër ndiheshim të gjithë banorët njëlloj, ngaqë ishim pothuajse të gjithë të persekutuar dhe nga origjina të ndryshme. Aty nuk flitej dialekti lushnjar, sepse ka qenë fshat i sajuar, nuk ka pasur vendallinj.  

    Gjatë shkollës fillore në Savër, vizatoja më mirë nga të gjithë, ndaj dhe nxënësit e klasës më jepin t’u bëja vizatimet. Në çdo fletore vizatimi, mundohesha të bëja një pikturë të ndryshme, që mos ta kuptonte zysha. Edhe unë vetë, ia jepja dikujt tjetër të m’i bënte detyrat e matematikës dhe si shkëmbim i bëja detyrën e vizatimit. Aty kuptova fillimisht, se s’isha i papërfillshëm, që kisha impakt te njerëzit dhe te kolektivi më i gjerë i shkollës. Ndonëse jetonim në kushte shumë të vështira, babai im, Lirim Biçaku që u bë i njohur si piktor gjatë viteve të demokracisë, na ka ushqyer që të vegjël me dashurinë për pikturën. Jetonim shtatë frymë në një barangë, prindërit, të katër ne fëmijët dhe gjyshja, nëna e babit, në një hapësirë të ngushtë, që e ndanim me të shoqen dhe të birin e Qazim Mulletit, ish prefektit të Tiranës. Nëna ime kur u martua me tim atë, ka hyrë nuse nga dritarja dhe jo nga dera, sepse dera e hyrjes në dhomë ishte e përbashkët me familjen Mulleti dhe zakoni e donte, që mos të hynte nga derë “e huaj”. Babai i saj ka qenë pasanik Roskoveci, ime më ish 1-2 vjeç, kur iu fut i ati në burg. Sa herë që shkoj në jug, kaloj edhe nga Savra, baranga është ende aty, ndonëse rreth e rrotull ka shumë ndërtime.

    Vitet më të vështira nga ana psikologjike kanë qenë vitet e liceut në Tiranë, pasi përkuan me ’97-n. Pas vitit 1999 u largova nga Shqipëria drejt Italisë në mënyrë ilegale. Kur hymë në Itali na ndaloi policia, ishim rreth 10 çuna dhe aty kam menduar "o kthehu në Shqipëri, o futja vrapit". U nisa turravrap dhe s’pashë pas, u kacavirra në disa kangjella që më dolën para, si e si t’i shpëtoja policisë. Çdo vendim në jetë e kam marrë për tre sekonda, e kam si princip, që po e zgjate shumë mendimin, refleksioni paralizon aksionin. Vëllai im, i cili qe vendosur në Belgjikë që në vitin 1992, erdhi të më merrte në veri të Italisë.

M’u desh ta filloja sërish liceun dhe kjo më ndihmoi shumë në zhvillimin e personalitetit tim artistik. Që i vogël, kam pasur aftësinë e të adoptuarit shumë shpejt në një mjedis të ri, nga Savra në Lushnje, nga Lushnja në Tiranë, nga Tirana në Andenne të Belgjikës, nga Andenne në Namur, një tjetër qytet belg dhe nga Namur në Bruksel. Kam qenë me fat, se në Namur më pritën shumë mirë, zyshet kalonin orë të tëra me mua gjatë pushimit të gjatë, edhe pas shkollës, në mënyrë që të ecja me provimet. Në Tiranë i kushtonin më shumë rëndësi anës teknike dhe përqasjes klasike, kurse ana krijuese ishte shumë më pak e zhvilluar. Në Belgjikë, ndoshta ngaqë e zotëroja teknikën, më shtynin të zhbëja çkisha mësuar më parë e të merresha më tepër aspektin krijues.

    Falë dy mësimdhënieve të ndryshme, të shkollës shqiptare e asaj belge, arrita të thellohem më tepër mbi avantazhet e secilës shkollë. Ëndrra ime ishte të shihja nga afër Rafaelin, Mikelanxhelon, Pikason, Sezanin, etj. Gjëja e parë që bëra kur u vendosa në Belgjikë, ishte të vizitoja muzetë, ta bëja më të prekshme për mua historinë e artit. S’më ishte dhënë kurrë rasti të shihja vepra arti të këtij kalibri nga afër. Madje edhe sot mund të kaloj një ditë të tërë në muze, e kam si ushqim. Para disa kohësh, isha me nxënësit e mi në Madrid dhe shkuam dy herë në Museo Nacional del Prado, në çdo sallë, me orë të tëra duke parë e shijuar çdo vepër. Ishte hera e parë, që shkoja si profesor, mbasi gjithmonë kisha shkuar privatisht.

Herën e parë që kam parë pikturën e Lucian Freud në një ekspozitë kolektive të pesëdhjetë artistëve shumë të njohur në Madrid, pësova një coup de foudre. Që nga ai moment, kam ndjekur çdo ekspozitë të tij. Tekstura e pikturave të tij, realizmi i frikshëm, incarnation - të krijosh gjallësinë e një mishi, referencat e tij artistike, adhurimi që kishte për Chardin, piktor i njohur francez i shek. XVIII, gjithçka rreth tij, shndërrohej në burim frymëzim për mua.

 

    Me kalimin e kohës referencat mia artistike kanë ndryshuar, por nuk janë larguar, thjesht janë transformuar e pasuruar. Në qoftë se do të mbetet një emër nga shek. XX pas 1000 vjetësh, ky është Pikaso. E adhuroj për figurat e tij njerëzore, për vuajtjet e vogla, që sendërton në pikturën e tij, anën virtuale që e rinovon vazhdimisht, nuk kënaqet me një efekt, por edhe për shumë aspekte të tjera. Pikaso, që në moshën 17 vjeçare, pikturonte si Rembrandi. I njihte shumë mirë teknikat klasike dhe e kishte shumë të thjeshtë t’i linte pas dore e të krijonte diçka të re. Të gjithë emrat e mëdhenj të shekullit të XX që kanë bërë revolucion në art, ishin artistë me baza të forta klasike, që e zhvilluan më tej artin e tyre, pikërisht përmes rinovimit e riciklimit të koncepteve e teknikave klasike.

Piktorët e Para-Rilindjes, si Giotto, Masaccio, etj., janë ata që i hapën udhën piktorëve të mënvonshëm të Rilindjes. Në art, më i rëndësishëm nuk është ai që e bën më mirë, por ai që ka pasur vizionin, pra vizionarët e parë, ndërsa teknika është diçka që mësohet. Pikturat e Rogier van der Weyden, piktor primitiv flamand, Rubensit dhe e përfaqësuesve të tjerë të asaj shkolle, kanë atë brumin e vjetër, që i reziston kohës. Surrealizmi gjithashtu, ka qenë një nga rrymat e para, që më ka mahnitur. Kur im vëlla, më solli në vitin 1995 një libër me piktura të Magritte, nuk e njihja fare. Më parë e shihja pikturën si dekorim, ndërsa që nga ai moment, fillova ta shihja si poezi. Kam qenë adhurues i Salvador Dali, por pavarësisht gjenialitetit të tij, u ngujua brenda një stili dhe nuk arriti të shkonte përtej.

    Fitova vendin e parë në konkursin e pikturës, për të hyrë në Akademinë Mbretërore të Arteve. Kontaktet e para me profesorët e Akademisë Mbretërose filluan gjatë kohës, që isha ende në liceun artistik të Namur-it. Akademia për mua ka qenë një parajsë artistike, të gjitha lëndët, çdo informacion, që të jepej, ishin në funksion të krijimtarisë. Akademia ishte familja ime. Shkoja herët, madje kishte raste që flija në shkollë. Modelet në atë kohë paguheshin si profesorët, nëse kishe nevojë për një model, shkoje e kërkoje në sekretariat dhe ta gjenin sipas kërkesave të tua.

Mënyra e të dhënit mësim ishte e tillë, që hierarkia të mos ekzistonte. Bënin çmos, që ti të bëheshe kritik i profesorit, të kishe aftësinë ta kundërshtoje, të ekzistonte autonomi në krijimtari. Gjatë kohës së studimeve, fitova ‘’Prix Blockx’’(Çmimin e ngjyrave), në vitin 2008 “Prix de la ville de Bruxelles” dhe “Grande distinction” (Çmimin e parë të pikturës). Ende pa mbaruar studimet, më ofruan punë në Akademi. Aty kanë qenë momentet e para të të ushtruarit të profesionit, ishte një eksperiencë e vyer, se u jepja mësim shokëve të mi. Deri në atë moment s’e kisha imagjinuar ndonjëherë se mund të jepja mësim, as të jem profesor; më tepër më drejtuan në këtë profesion, se sa ishte zgjidhja ime. Një pjesë e madhe e studentëve ishin të huaj, ndaj dhe ndiheshim jo-të huaj mes nesh. U specializova për Didaktikë, çka lidhej me metodat e pedagogjisë, që duheshin përdorur nëpër shkolla mbi transmentimin e artit te gjeneratat e reja. 

 

    Të pasurit e dy botëve të ndryshme, më ka ndihmuar që të mos hedh asgjë poshtë, t’i mbaj të dyja botët të miqësuara. Ne në Shqipëri transmentojnmë savoir-faire, mënyrë-bërje, por nuk e zhvillojmë mendimin, më shumë e ndrydhim, se sa e lirojmë artistin. Kur pikturon, një nga problematikat që hasim ne piktorët, është ngulitja, sendërtimi i një ideje, i një imazhi në tablo. Kur flasim, unë lëviz, ti lëviz, marr shumë informacion përmes lëvizjes dhe jam i detyruar të zgjedh mes këtyre lëvizjeve, të jem sa më realist, por jo në kuptimin e natyralizmit, të pasqyrimit të përpiktë.

    Element i syrit është gjithandej i pranishëm në pikturat e mia të periudhës më të vonë, sepse syri ështe çelësi i mendimit, aty kalon gjithçka, si për mua, si për modelin që pozon. Përgjatë gjithë krjimtarisë sime kam eksperimentuar me stile të ndryshme pikture. Për mua syri është ai, që i jep sens asaj çfarë ndodh. Piktura është arti i të heshturës, nuk është arti i të folurit. Jam kundër idesë që duhet ta bësh shikuesin të mendohet. Është pleonazëm të filloj të flas për pikturën që kam bërë, është si të them dy herë të njëjtën gjë. Kur i drejtohesh dikujt, përgjigjen e pret nga syri. Me të gjithë njerëzit, që kanë pozuar për mua, është krijuar një lidhje që nuk e harroj kurrë, as unë dhe as ata. Njeriu zhvishet komplet nga artificet, që ka në jetën e përditshme. Nëse ti vendos të pozosh për mua, do të jesh në teatrim vetëm në fillim, më vonë do të dalë vetvetja. Por, ka modele, që nuk e lëshojnë veten lehtë. Modeli më i vështirë, është ai që nuk pozon, që flet gjithë kohës, që nuk angazhohet.

    Shteti shqiptar nuk investon në politikat e artit në fushën e arsimit. Belgjika në çdo komunë ka nga një shkollë artistike, ku secili mund të regjistrohet, pavarësisht moshës. A s’do ishte shumë e bukur të kishte në çdo qytet të Shqipërisë, nga një shkollë të tillë? A s’do të ishte shumë e vlefshme të hapeshin lice artistike edhe në qytete si Korça, Berati, etj.? Ose nëse nuk mund të hapen shkolla artistike të veçanta, të paktën të integrohej një seksion arti në gjimnazet e përgjithshme, është minimalja, që mund të bëhet. Gjithashtu në Universitetin e Arteve në Tiranë, politikat e dekanëve duhet të orientohen edhe për së jashtmi, të vijnë edhe dekanë të huaj, sikurse në vendet europiane, të ketë më shumë shkëmbime me vendet e tjera. Në Shqipëri kanë ende një përqasje shumë elitiste në art, duhet t’u jepet mundësia edhe të rinjve që nuk vijnë nga familje artistësh dhe që nuk e zotërojnë teknikën në mënyrë të shkëlqyer të hyjnë në lice a universitet. Shteti në bashkëpunim me entet private, duhet t’i ndihmojë artistët e talentuar me bursa. Është shumë e vështirë të jesh artist, shumë prej artistëve s’kanë para të blejnë as telajo.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.