Deri në vitin 2050, reshjet do të reduktohen me 8-10%
Efektet e ngrohjes globale do të vijnë duke u shtuar në vitet e ardhshme nëse nuk merren masa për të arritur objektivat e marrëveshjes së Parisit.
Në studion e MCN TV, ekologu Mihallaq Qirjo tha se rritja e temperaturës dhe si pasojë valët e të nxehtit, rënia e sasisë dhe reshjeve dhe zjarret janë efektet e menjëhershme të ngrohjes globale. Sipas tij, parashikohet që niveli i reshjeve të vijë duke rënë.
Shqipëria është vend i vogël si i tillë është mjaft i prekshëm. Ngrohja globale prek jo vetëm një vend por rajone të gjera në të gjithë globin. Shqipëria është e cenuar edhe për shkak të ekonomisë së brishtë që ka. Është një tërësi variablash që e bëjnë vendin të cenueshëm.
Ngrohja që ne vërejmë tani me 1 gradë ka zgjatur për një periudhë prej 100 mijë vjet në të shkuarën, por ne e kemi arritur në rreth 50 vjet. Është e pamundur që njerëzit dhe kafshët të përshtaten me këtë ndryshim të shpejtë të temperaturës.
Ndryshon temperatura por edhe reshjet. Rajone të caktuara do të përballen me rënie të sasisë së reshjeve. Në Shqipëri kemi një rritje të temperaturës mbi 1.5 gradë. Marrëveshja e Parisit synonte të mos kishte rritje mbi 1.5 gradë. Por ka pasur periudha kur amplituda në disa raste ka qenë edhe 15 gradë në raport me mesataren.
Reshjet vjetore kanë pësuar rënie, varet nga sezoni por deri në 2050 rënia do të jetë 8-10% e tyre.
Ka pasur edhe raste zjarresh që kanë marrë përmasa të pakontrolluara. Jo vetëm zonat bregdetare por edhe qytetet kur kalojnë stres klimatik mbingrohen. Në to temperatura shkon 5 gradë më shumë se zonat përreth dhe në njëfarë mënyrë kthehen në ishuj të ngrohtë.
Për Shqipërinë, FMN ka deklaruar se dëmi që shkakton ngrohja klimatike shkon gati 1% e PBB, që është një nivel i lartë.
Add new comment