"Nuk iki, cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve"

Postuar në 11 Qershor, 2024 17:31

Presidenti francez, Emmanuel Macron, nuk do të tërhiqet nga mandati, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen brenda këtij muaji.

Macron njoftoi shpërndarjen e parlamentit francez të dielën në mbrëmje, pas fitores së partisë së rivales Marine Le Pen, në zgjedhjet europiane.

Fitorja e thellë Bashkimit Kombëtar, partia e ekstremit të djathtë në Francë, e ka vënë nën presion administratën e Macron. Por Macron nuk ka ndërmend të largohet.

"Nuk është Bashkimi Kombëtar ai që shkruan Kushtetutën dhe nuk është as fryma e saj," tha ai në një intervistë me gazetën “Le Figaro”. “Institucionet janë të qarta, po ashtu edhe vendi i presidentit, pavarësisht nga rezultati.”

Në zgjedhjet për Parlamentin Europian që u mbajtën të dielën në kontinentin e vjetër, partia e Le Pen mori mbështetjen e 31% të votuesve francezë, ndërsa Macron dhe aleatët e tij të qendrës u ndalën në 14.6%.

Kjo ishte një shenjë e qartë se qeveria nuk kishte më shumicën dhe Macron shpalli zgjedhjet e parakohshme, faza e parë e të cilave do të mbahet më 30 qershor, ndërsa e dyta më 7 korrik.

Macon mban shpresë te sistemi francez i votimit. I pyetur nëse do të japë dorëheqjen në rast se ia kërkon Le Pen pasi të fitojë zgjedhjet, Macron tha se nuk beson që rezultati i partisë së saj të përsëritet, pasi për zgjedhjet parlamentare ka një sistem të ndryshëm votimi.

“Politika është dinamike. Unë kurrë nuk kam besuar në sondazhe. Vendimi që kam marrë hap një epokë të re. Fillon një fushatë e re dhe ne duhet të shikojmë rezultatet për secilën zonë në dritën e atyre për zgjedhjet evropiane,” shtoi Macron.

Macron pritet ta hapë zyrtarisht fushatën me një konferencë shtypi të mërkurën.

Por jo të gjithë janë të lumtur për këtë, madje as ata në kampin e Macron. Në mënyrë private, disa deputetë të këtij të fundit thonë se e shohin përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në fushatë si një lajm të keq dhe jo si një nxitje, raportoi të martën "Politico'S Playbook Paris".

Kriza e zjarrtë politike e Francës, ngritja e së djathtës ekstreme dhe vendimi për zgjedhje të parakohshme kanë tronditur edhe tregjet. Agjencitë e kreditit dhe ekspertët paralajmërojnë se paqëndrueshmëria politike dhe një fitore e mundshme e ekstremit të djathtë do të minojnë përpjekjet franceze për të ulur borxhin publik, i cili është në nivel shqetësues.

Comments

Submitted by Endrin Tako (not verified) on

Eshte personazh dinamik, por ketu nuk ka shume perkrahje me. Qe pasi e pame si u zhvillua situata me covidin, pensionet dhe protestat, pakenaqesite me ardhjen e emigraneteve. Keto jane kaprico europiane te nje playtoy boy qe ka udheheqese jete mamadhine, i cili e ka shume te rendishme te mbahet mend per dicka.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.