Tjetër skemë mashtrimi me kreditë, i përfshirë fondi Besa

Postuar në 03 Qershor, 2024 17:52

Një skemë mashtrimi në të cilën është përfshirë Fondi Besa është zbuluar falë hetimeve të Antikrimit Ekonomik në Tiranë. Pre kanë rënë 11 qytetarë. Një 34-vjeçar i identifikuar si Ledio Vrapi, banues në Gjermani, është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij Gjykata e Tiranës ka caktuar masën arrest në burg në mungesë, për akuzën e mashtrimit. 

Ndërkohë, në arrest shtëpie për mashtrim janë vënë 3 punonjësit e Fondit Besa: Lindita Ndroqi, Eros Aliu, Lindita Peçi. Në skemë dyshohet se është e përfshirë edhe noterja Majlinda Demollari, për të cilën Gjykata e Tiranës po ashtu ka vendosur masën arrest shtëpie dhe "Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Sipas Prokurorisë, 34-vjeçari Ledio Vrapi u kërkonte personave të hapnin llogari bankare në emër të tyre pranë disa bankave të nivelit të dytë në vendin tonë. Ata hapnin llogaritë bankare, për të cilat 34-vjeçari u kishte thënë se do të hidhte shuma parash që i kishte përfituar nga emigrimi në Gjermani, por nuk donte që të gjitha këto para të kalonin të gjitha në emrin e tij, për të shmangur dyshimet e autoriteteve. Sipas akuzës, në bashkëpunim me punonjëset e Fondit Besa, 34-vjeçari ka arritur të marrë kredi në vlerat 5 deri në 7 milionë lekë të vjetra.

Paratë janë tërhequr nga qytetarët e mashtruar, të cilët ia kanë dorëzuar ato 34-vjeçarit. Në këmbim, ai u ka dhënë vetëm nga 500 mijë lekë të vjetra secilit.

Vrapi ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit të 11 personave të mashtruar, për t’i përdorur ato për aplikimin për kredi në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a. Dy oficerët e kredisë, Lindita Peçi dhe Eros Aliu, si edhe përgjegjësja e zyrës Lindita Ndroqi, kanë bërë të mundur miratimin e kredive dhe transferimin e parave në llogaritë e të mashtruarve. Procedura e aplikimit dhe marrjes së kredisë është bërë në shkelje të ligjit, në mungesë të kredimarrësve, të cilët nuk kanë nënshkruar kurrë dhe as kanë qenë në dijeni se në emër të tyre është marrë kredi. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.