"Ekspertët" në mbrojtje të Krye-ekspertit
Në revistën “Monitor” është shfaqur me një shkrim, Emin Barçi, një ekonomist që dikur ishte si përmbarues personal i Fatos Nanos kryeministër. Z. Barçi shkruan ndër të tjera se ajo që ka ndodhur me kompanitë e mikrokredive lidhet kryesisht me mungesën e kulturës financiare të kredimarrësve ndërkohë shton se:
Rasti po përdoret për sulmuar sistemin bankar dhe financiar
E teksa pranon se ka patur “incidente të abuzimit” z. Barçi shton se situata përkeqësohet edhe më shumë nga “trajtimi që i bën incidenteve të sistemit bankar media me përqasje jo profesionale duke kontribuuar në analfabetizimin financiar të përhapur”. Për këtë të fundit, z. Barçi ka një farë të drejte: një pjesë e gazetarëve që shkruajnë për skandalin e mikrofinancës janë të financuar për të vijuar një luftë mediatike që u shërben agjendave të caktuara.
Por përtej kësaj, axhendat në fjalë ngrihen mbi një skandal real dhe faktik, jo të supozuar. Nëse mendimet e hedhura që mikrofinanca duhet të vazhdojë apo jo të operojë, janë personale, e ndoshta edhe provokative, është e qartë se në të vërtetë askush ose pakkush po sulmon sistemin bankar dhe financiar.
Sulmi është drejtuar te Banka e Shqipërisë dhe drejtuesit e saj që me mosveprimin e tyre në një sektor që kanë detyrimin ta mbikëqyrin çuan mes të tjerave në këtë që po shohim. Si me interesat e lejuara, ashtu edhe me ndërhyrjen e vonuar për të hequr të drejtat e kreditimit për kompani që kishin blerë portofole të këqija nga bankat.
Pra çështja është përgjegjësia e Bankës së Shqipërisë, që ka përballë një problem me skema mashtrimi e ndoshta në të ardhmen - nëse provohet - edhe skema fajdeje. Ekspertë si z. Barçi e kanë shumë të vështirë – për arsye ende të paqarta – që të flasin hapur për përgjegjësinë e Bankës së Shqipërisë, të Këshillit Mbikëqyrës dhe Guvernatorit Sejko që siç është bërë e ditur ka patur sinjalizime që në vitin 2015 dhe njoftime zyrtare në vitin 2020. Nuk ka lëvizur nga vendi siç do të duhej të lëvizte, ka vepruar ngadalë ose fare, duke lënë që çështja të vinte deri në këtë pikë. Dhe në media skandali i mikrofinancës ka së paku 4 vjet që zien.
Atëherë cila është arsyeja që pjesa më e madhe e të ashtuquajturve ekspertë nuk flasin hapur për Bankën Qendrore dhe Guvernatorin? Cila është arsyeja që edhe mekanizmat e vëna në veprim për të zgjidhur situatën janë ende të paqartë dhe nuk miratohen hapur? Ka ekspertë që po thonë se ndërhyrja është diçka e re dhe nuk ishte parashikuar. E nëse është kështu, çfarë mund të themi ne për një situatë eventuale më komplekse me banka të nivelit të dytë, si ato që janë verifikuar gjetkë? Sërish do të heshtim e do themi që për këtë çështje duhet të flasin profesionistët? Profesionistët e vërtetë në fakt i dallon jo dhe aq kapaciteti për të shquar problemin, pasi në një rast të tillë do të kishim një aktor manovrues në treg që përfiton për vete. Ata i dallon edhe vullneti për të shtruar në rend dite të interesit publik problemin. Çka nuk ka ndodhur dhe vijmë tani në situatën kur njerëz si Barçi zgjohen nga gjumi dhe flasin “për qasje jo profesionale të mediave”.
Këto ditë p.sh zhvilloi një konferencë të hapur mjeku i njohur dhe nën hetim për korrupsion, Edvin Prifti. Tema ishte për pasojat e vaksinave anti-CoVid-19 në shëndetin e popullatës. Është një temë shumë e ndjeshme e cila kaloi pa zhurmë dhe pa reagim nga “profesionistët si z. Barçi”. Kështu një mundësi për debat u la të menaxhohet si opsion për konspiracion, pikërisht sepse ekspertët në fjalë preferojnë të fshihen pas rehatisë së vet.
Për të mbetur sërish te sektori bankar. Një muaj më parë Guvernatori Sejko trajtonte në një opinion të vetin arsyet e mbiçmimit të Lek-ut. Sipas tij paraja informale nuk ka ndikuar aspak në këtë kurs këmbimi që nuk ka lënë asnjë ekspert pa reaguar. Në raportimin në Komisionin e Ekonomisë, z. Sejko pranoi që paraja informale mund të ketë ndikuar. Cilin Guvernator të besojmë?
Dhe të mendosh se sipas Barçit “industria bankare dhe financiare është një shtyllë e stabilitetit dhe rritjes ekonomike” ndaj edhe mediat duhet të raportojnë profesionalisht. Si të besojmë ne këtë moral dy lekësh të dikujt që është provuar sesi sillet edhe kur ka funksione publike? Aq më tepër kur stabiliteti financiar dhe rritja e ekonomisë familjare të gjithësecilit prej nesh nuk varet fare nga bankat, por nga ajo çfarë mund të bëjmë vetë. Edhe nga ajo paraja informale të cilën ekspertët bëjnë sikur nuk e shohin. Njësoj siç bënë me paratë e hashashit shtetëror.
s.zaimi
Comments
Nje tas kos po ha guvernatori
Mund te kete ndikuar the? Ne shqiperi qarkullon jashte sistemit ne vit me shume se 3 here buxheti shtetit. lerini pallavrat e guvernatorit qe zhvillimi ekonomik shqiptar fundosi euron karshi lekut. Ke njerez ketu qe po i paketojne eurot me kuti vezesh
Add new comment