Inteligjenca artificiale nis të përdoret si “armë” për fushatat
Afrimi i zgjedhjeve europiane dhe më vonë edhe atyre presidenciale në SHBA, ka rritur shqetësimet për fushatat e koordinuara të dezinformimit online. Por ndryshe nga zgjedhje të tjera të rëndësishme vitet e shkuara, rreziku i dezinformimit shtohet nga mundësia e përdorimit të inteligjencës artificiale.
David Agranovich, drejtori i politikave për shmangien e kërcënimeve në Meta, tha në një konferencë për shtyp se deri tani nuk është parë që “AI gjeneruese të përdoret në mënyra jashtëzakonisht të sofistikuara”.
Megjithatë, “këto rrjete do të vazhdojnë të evoluojnë taktikat e tyre ndërsa kjo teknologji ndryshon."
Facebook është akuzuar prej vitesh se po përdoret si një platformë e fuqishme për dezinformimin në zgjedhje.
Operatorët rusë përdorën Facebook dhe media të tjera sociale me bazë në SHBA për të nxitur tensione politike në zgjedhjet e vitit 2016 të fituara nga Donald Trump. Bashkimi Evropian po heton aktualisht Facebook-un dhe Instagramin, në pronësi të kompanisë mëmë Meta, për dështimin e supozuar për të luftuar dezinformimin përpara zgjedhjeve të BE-së në qershor.
Por ekspertët ia kanë frikën përdorimit të mjeteve gjeneruese të AI si ChatGPT ose gjeneruesi i imazheve Dall-E për të krijuar përmbajtje sipas kërkesës në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër.
Në një raport të fundit, Meta pranon se ka konstatuar "aktorë kërcënues" që vënë në punë AI për të krijuar foto, video dhe tekst fals, por jo imazhe realiste të politikanëve.
P.sh. një rrjet me bazë në Izrael postoi ato që dukej se ishin komente të krijuara nga AI për politikën e Lindjes së Mesme në faqet e Facebook të organizatave mediatike dhe figurave publike.
Duke i krahasuar ato me spam, Meta tha se ato komente, disa prej të cilave ishin në faqet e ligjvënësve amerikanë, u kritikuan në përgjigjet e postuara nga përdorues të vërtetë, të cilët i quajtën propagandë.
Meta ia atribuoi fushatën një firme marketingu politik me bazë në Tel Aviv.
"Kjo është një hapësirë që duhet parë me kujdes", thotë Mike Dvilyanski, kreu i hetimit për raste të tilla në Meta. "Deri më tani, ne nuk kemi parë një përdorim shkatërrues të mjeteve gjeneruese të AI nga kundërshtarët."
Raporti tregoi gjithashtu se përpjekjet e një grupi të lidhur me Rusinë të quajtur "Doppelganger" për të përdorur aplikacionet Meta për të minuar mbështetjen për Ukrainën vazhduan, por po pengohen në platformë.
“Doppelganger e ka çuar atë në një nivel të ri gjatë 20 muajve të fundit, ndërsa ka mbetur i papërpunuar dhe kryesisht i paefektshëm në ndërtimin e audiencave autentike në mediat sociale”, sipas kompanisë Meta.
Meta raporton se ka mbyllur grupe të vogla llogarish joautentike në Facebook dhe Instagram që e kishin origjinën në Kinë dhe synonin komunitetin Sikh në Australi, Kanada, Indi, Pakistan dhe vende të tjera. Postimet në këto llogari të rreme nxisnin protesta pro-Sikh.
Add new comment