Erdogan: Bota islame duhet të bëhet bashkë kundër Izraelit
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i bëri thirrje botës islame të marrë një “vendim të përbashkët” për të kundërshtuar Izraelin, duke e quajtur shtetin hebre një kërcënim për “të gjithë njerëzimin”.
"Unë kam disa fjalë për t'i thënë botës islame: Çfarë prisni për të marrë një vendim të përbashkët?", tha ai.
“Izraeli nuk është kërcënim vetëm për Gazën, por për të gjithë njerëzimin. Asnjë shtet nuk është i sigurt për sa kohë që Izraeli nuk ndjek ligjin ndërkombëtar dhe nuk ndihet i detyruar nga ligji ndërkombëtar”, vijoi ai duke akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për gjenocid.
Deklaratat e Erdoganit erdhën disa ditë pasi forcat izraelite bombarduan një kamp refugjatësh në qytetin jugor të Gazës, Rafah, duke vrarë 45 njerëz. Sulmi ajror, i cili u krye më pak se një javë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin të ndërpresë operacionet ushtarake në qytet, shkaktoi një valë dënimesh ndërkombëtare dhe u përshkrua nga Netanyahu si një "gabim tragjik".
“Asnjë ideologji nuk e sheh djegien deri në vdekje të civilëve të pafajshëm në tendat e tyre si legjitime”, tha Erdogan. “Bota po shikon drejtpërdrejt barbarizmin e këtij vampiri të quajtur Netanyahu”.
Presidenti turk dënoi edhe aleatët e tij në NATO. “Amerikë, ky gjak është edhe në duart tua. Krerë të shteteve në Evropë, ju jeni bërë bashkëfajtorë në vampirizmin e Izraelit, sepse keni heshtur.”
Duke folur me gazetarët të martën, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha se Uashingtoni nuk e konsideron sulmin një incident mjaftueshëm të rëndë për të ndaluar dërgesat e armëve në Izrael.
Erdogan nuk specifikoi se çfarë "vendimi të përbashkët" duhet të marrë bota islame kundër Izraelit. Udhëheqësi turk ka dënuar vazhdimisht veprimet e Izraelit që nga fillimi i luftës me Hamasin në tetor, duke e krahasuar Netanyahun me Adolf Hitlerin në shumë raste dhe duke ofruar mbështetje verbale për udhëheqjen e Hamasit. Megjithatë, ai kurrë nuk ka kërcënuar se do të përdorë forcën kundër Izraelit, duke zgjedhur masa diplomatike dhe ekonomike.
Turqia tërhoqi ambasadorin e saj në Izrael në nëntor për konsultime dhe pezulloi fluturimet midis dy vendeve. Muajin e kaluar, Ankaraja pezulloi të gjithë tregtinë me Izraelin, me një vendim qeverie që sanksionon se biznesi midis dy shteteve do të rifillojë me ritmin normal vetëm nëse Netanyahu lejon që ndihmë e vazhdueshme dhe e mjaftueshme humanitare të dërgohet në Gaza.
Ndërsa qeveria izraelite, deklaratave të Erdoganit u është përgjigjur duke e cilësuar atë një nga "shtypësit dhe antisemitët më të mëdhenj në histori".
Add new comment