BE dhe Lista Serbe kundërshtojnë hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë

Postuar në 30 Maj, 2024 22:32

Paralajmërimet për hapjen e urës së Ibrit janë kthyer sërish në vëmendje të publikut. 

Hapjen e saj edhe për automjete e ka konsideruar çështje kohe zv.drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një prononcim për TëVë1.

I menjëhershëm ishte reagimi i Listës Serbe dhe i ndërkombëtarëve.

Në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë thanë se çdo vendim që lidhet me urën e Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi.

BE-ja mbetet e gatshme për t’i lehtësuar bisedimet. BE-ja u bën  thirrje gjithashtu palëve të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrezikojë stabilitetin në terren dhe të shpërqendrojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve – që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Hapja e urës së Ibrit është diskutuar edhe vitin e shkuar. Në atë kohë asamblistët e Mitrovicës së Veriut miratuan vendimin dhe ai u ishte përcjellë institucioneve qendrore, por që deri më tash nuk është bërë ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

Ura që ndan jugun dhe veriun shihet si simbol i ndarjes së Mitrovicës. Ajo mund të kalohet vetëm në këmbë, ndonëse ka një marrëveshje nga viti 2015 në Bruksel për lëshim të urës për qarkullim edhe të automjeteve.

Burimi: Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.