Dy masat e reja kundër Rusisë afrojnë idenë e sanksioneve ndaj Kinës

Postuar në 29 Maj, 2024 13:50

Për të kundërshtuar avancimin e Rusisë në Ukrainë, presidenti i SHBA-së Joe Biden po shqyrton dy kundërmasa të reja: ndëshkimin e Kinës për furnizimin e teknologjisë kryesore në Moskë dhe heqjen e kufijve të përdorimit të armëve me rreze të shkurtër veprimi nga Ukraina për të sulmuar brenda Rusisë. Lajmin e bën të ditur "The Washington Post".

Fakti që nisma të tilla po konsiderohen tani tregon shqetësimin në rritje të administratës amerikane për cenueshmërinë e Ukrainës në fushën e betejës.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka treguar një qëndrim më të ashpër pas vizitave të fundit në Pekin dhe Kiev, duke akuzuar hapur Kinën se "ndihmon në nxitjen e kërcënimit më të madh për Evropën" që nga rënia e Bashkimit Sovjetik dhe kërcënon sanksione të reja kundër kompanive dhe institucioneve financiare kineze.

Sipas WP, pas vizitës në Kiev, Blinken ka shprehur shqetësim për situatën atje dhe po nxit kolegët e tij në administratë të rishikojnë kufizimin që ka Ukraina për të lëshuar predha artilerie amerikane dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi kundër Rusisë.

Kërcënimi i sanksioneve të reja kundër Kinës, shkruan analisti David Ignatius, është veçanërisht delikat sepse vjen në një kohë kur Uashingtoni dhe Pekini po përpiqen të stabilizojnë marrëdhëniet e tyre.

Zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar, megjithatë, se Kina, ndonëse teknikisht i përmbahet premtimit të saj për të mos furnizuar me armë Moskën, e ka ndihmuar sektorin rus të mbrojtjes. Ndihma në rritje e Kinës ishte e dukshme në një raport nga Carnegie Endowment for International Peace, i cili thekson se Kina është furnizuesi më i madh i Rusisë i 50 artikujve me "përparësi të lartë" me përdorim të dyfishtë.

Të dhënat e doganave treguan gjithashtu se pjesa e Kinës në importet ruse të këtyre mallrave u rrit nga 32 për qind në vitin 2021 në 89 për qind vitin e kaluar. 

Blinken i tha BBC-së se këto artikuj me qëllime të dyfishta "po përdoren për të ndihmuar Rusinë në atë që është një përpjekje e jashtëzakonshme për të prodhuar më shumë municion, tanke, automjete të blinduara, raketa", edhe pse Kina vazhdon të mos furnizojë “armë të vërteta". Sipas Blinken, Kina aktualisht furnizon rreth 70 për qind të importeve ruse të veglave të makinerive dhe 90 për qind të mikroelektronikës së importuar.

Sipas Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, një institut britanik i politikës së jashtme, Kina po i ofron Rusisë gjithashtu teknologji satelitore që mund të jetë vendimtare për komunikimet dhe shënjestrimin në hapësirën e betejës ukrainase.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.