Studentët nuk na lexojnë më. Opinioni po nyjëtohet larg mediave tradicionale

Postuar në 25 Maj, 2024 10:56

Shtypi ka qenë burimi kryesor i edukimit gjeopolitik të brezit tim…Gazetaria përfaqësonte një modalitet tjetër të lëvizjes së protestës

Kështu shkruan në një opinion të përkthyer në “Corriere della Sera”, një ndër drejtuesit e “The Financial Times”, Wolfgang Munchau. Sipas tij, protestat e sotme të studentëve pro- Palestinës, në mbarë Perëndimin, lidhen me faktin se gazetaria tradicionale nuk lexohet më. Nuk shërben më si udhëzues dhe referim për studentët e tanishëm. Të cilët megjithatë diku lexojnë për ngjarjet e botës. Çdo protestë e së shkuarës në Perëndim lidhej detyrimisht me atë që publikohej në shtyp, ndërkohë që tani diçka e re ka ndodhur.

Qeveritë e tanishme kanë nisur të zbulojnë se nuk janë më në gjendje të kontrollojnë narrativën, pikërisht sepse nuk kuptojnë në thelb dhe nuk munden të menaxhojnë sferën e re mediatike

shkruan Munchau.

Sipas tij nuk ka asnjë mundësi reale që media tradicionale – që nënkupton  një ent publikimi  me gazetarë profesionistë që shkruajnë në të duke ndjekur parimet e punës për hulumtim dhe vlerësim të dhënash – të fitojë betejën e tanishme përballë një brezi të ri që “është thuajse e pamundur që t’i dedikohet leximit të të përditshmeve siç bënin paraardhësit e tyre”.

Më doli para syve humnera që ndan të dyja pozicionet gjatë një bisede me djalin tim të madh lidhur me njëanshmërinë. Vetëm pas nja dhjetë minutave debate vura re se ai mendonte për platofrmat mediatike. Brezi i tij e quan media dhe kaq, pa qartësime të mëtejshme. Kur i referohen gazetave, në të vërtetë thuajse kurrë, i përkufizojnë media historike. Dal në përfundimin se jo vetëm jemi të vjetër, por edhe të vdekur

shton autori.

Sipas tij mediat sociale po bëjnë atë që media tradicionale, ose media profesioniste e ndalon. Mbulimi i imazheve të viktimave nuk ndodh në mediat sociale dhe kjo e zhbën atë distancën emotive që krijohet me vendosjen e filtrave.

Është një prirje tanimë globale që informacioni të kërkohet shpejt, në mënyrë grafike, i paverbalizuar mundësisht, si pjesë e menusë ditore, pa thellimin dhe qasjet analitike. P.sh edhe në vendet fqinje me Ukrainën, ka rënie të interesit të të rinjve për lajmet e luftës aty, edhe pse rëndësia e këtij aktualiteti nuk mund të quhet kurrë e paqenë. Rënie interesi po pësojnë edhe gazetat online, ndërkohe që argumenti kyç që ecën është argëtimi, video e pafiltruar dhe narrativa që përftohet në informacionin bruto.

E ndërkohë që qeveritë zakonisht kur reagojnë u referohen mediave tradicionale, sikurse shumë gazetarë këmbëngulin që informacioni të trajtohet në mënyrë profesionale, gara me brezin e ri po humbet pikërisht se ky brez preferon të bëjë të kundërtën. Nuk është çudi mandej që konsensusi politik dhe kthesa elektorale të mos krijohet thuajse asnjëherë nga diskutimi në mediat tradicionale, por nga shfaqja në mediat sociale, diçka që nuk vë në krizë ekzistenciale vetëm gazetarinë si profesion, por edhe edukimin e një brezit të tërë dhe vetë natyrën e qytetërimit ku do të jetojnë ata që do të vijnë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.