Rusia neutralizon raketat e SHBA-së në Ukrainë
Raketat Himars, të cilat i janë dërguar Ukrainës nga SHBA-të, janë bërë "plotësisht joefektive" për shkak të sistemeve ruse të bllokimit elektronik.
Raketahedhëset, të cilat janë të afta t’i lëshojnë raketat amerikane deri në 50 milje, janë ndër viktimat e një strategjie të luftës elektronike të përdorur nga forcat e Vladimir Putin.
Sipas një dokumenti të cilit i referohet “The Washington Post”, Ukraina është detyruar të ndalojë përdorimin e shumë prej armëve që i janë dërguar nga Perëndimi për shkak të problemeve me shënjestrimin.
Mes këtyre armëve “të neutralizuara” janë edhe predhat e artilerisë të drejtuara nga GPS Excalibur, të cilat nuk janë në gjendje të qëllojnë në mënyrë të besueshme objektivat.
Sistemi rus i bllokimit funksionon nga toka, duke projektuar një "kon" në qiell, që parandalon komunikimin e armëve me satelitët.
Sistemi Himars, i përshëndetur në fillim të luftës për aftësinë e tij për të shkatërruar objektivat me një goditje të vetme, tani është bërë "plotësisht joefektiv", citohet një burim ushtarak ukrainas.
“Rusët çaktivizuan sinjalet satelitore dhe Himars u bë plotësisht i paefektshëm,” shton ai.
Pentagoni dhe prodhuesit e armëve po përpiqen të gjejnë një zgjidhje që do t'i lejonte sistemet të shmangin bllokimin rus.
“Ne punojmë ngushtë me Pentagonin për çështje të tilla. Në rast të problemeve teknike, ne informojmë menjëherë partnerët tanë që të marrin masat e nevojshme për zgjidhjen e tyre në kohën e duhur. Partnerët tanë nga SHBA dhe vende të tjera perëndimore ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për kërkesat tona. Në veçanti, ne marrim rregullisht rekomandime për përmirësimin e pajisjeve”, citohet një zëdhënës i Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes.
Raportimi për pamundësinë e përdorimit të këtyre armëve vjen vetëm pak kohë pasi Rusia ndërpreu me sukses rrjetin satelitor Starlink, të drejtuar nga kompania në pronësi të Elon Musk, tek e cila mbështeten trupat ukrainase për lidhjen me internetin.
Add new comment