Çfarë kuptimi ka më dialogu në Bruksel?

Postuar në 13 Maj, 2024 12:41
Augustin Palokaj

 

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një pat pozicion, nga i cili nuk po arrin të lëvizë tash e një vit. Në këtë pozicion e kanë sjellë Gjermania dhe Franca, me ndihmën e madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa pjesën e vet të lojës e kanë luajtur edhe Kosova dhe Serbia. Qëllimisht nuk po e përmendim Bashkimin Evropian, dhe ata që në emër të tij e luajnë rolin e lehtësuesit në dialog. Sepse pafuqia e tyre tashmë është bërë kronike. BE-ja nuk ka arritur të bëjë asgjë, pos krijimit të një kaosi në dialog me improvizimet e përhershme. E improvizimi më i madh është ai rreth “Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve”. Vetë emërtimi i kësaj “marrëveshjeje” dëshmon anomalinë në sjelljen e BE-së dhe dështimin e saj. Të flasësh pas 12 vjetësh dialog për një “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit” e jo për “marrëveshje për normalizim” nuk është normale.

Por nuk duhet pritur asgjë tjetër nga BE-ja pos hedhjes së fajit palëve për dështimet. Natyrisht që BE-ja nuk do të thotë “po ne dështuam”. As nuk duhet pritur që BE-ja të thotë se “në më shumë se katër vjet të mandatit, Miroslav Lajçak ka dështuar”. Do ta urojnë njëri-tjetrin të gjithë ata që janë përfshirë në dialog. Edhe BE-ja do t’i falënderohet Lajçakut për punën e madhe që ka bërë dhe energjinë me të cilën ka punuar këta katër vjet, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, katër javë në muaj dhe dymbëdhjetë muaj në vit. Por këto lëvdata nuk e ndryshojnë realitetin. E ai është se dialogu tash është në një pat pozicion. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë edhe më të acaruara sesa ishin para katër vjetësh. Të pakënaqur janë të gjithë. Dhe nuk është e vërtetë se kur të gjithë janë të pakënaqur, atëherë kjo dëshmon suksesin, sepse kompromisi duhet të jetë kur të gjithë të jenë të pakënaqur nga pak.

Prej kësaj jave po hyjmë në një fazë edhe më të paqartë në procesin e dialogut. Duket iluziore që edhe dialogu të jetë një dëm kolateral i dështimit të Kosovës që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. E ky dështim është para dere. Sepse deri në këtë moment, katër ditë para takimit të Komitetit të Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, pranimi i Kosovës në këtë organizatë nuk është në rend dite. Dhe vështirë se do të jetë pas deklaratës aq të ashpër të kryeministrit Kurti, i cili nuk la asnjë hapësirë për t’u tërhequr dhe për të dërguar në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese një draft të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për më tepër, Kurti tha se ai draft nuk ekziston, se është një “non-paper” apo “jodokument”, siç e shqiptoi ai.

Kurti u befasua se si u bë kusht Asociacioni për Këshillin e Evropës, e ambasadorët u befasuan se si Kurti u befasua. Dhe tash të gjithë do të befasohemi pse Kosova po dështon. E dështimi nuk ka brirë. Nëse është llogaritur se Kosova do të bëhet anëtare në muajin maj, dhe nuk bëhet, atëherë ky është dështim. Le ta emërtojnë si të duan. Dhe, pa marrë parasysh se a ka të drejtë Kurti apo QUINT-i, fakti është se Kosova edhe një herë po bëhet peng i procesit të dialogut. Asociacioni është pjellë e dialogut. Dhe kushti për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka ardhur pikërisht për t’i shërbyer dialogut. Prapë po kthehemi tek ajo që kemi parë disa herë gjatë këtij procesi, se Kosova duhet të jetë në shërbim të dialogut e jo dialogu në shërbim të Kosovës. Dhe nëse Kosova për shkak të dialogut nuk po arrin të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, nëse dialogu ka qenë një prej argumenteve kryesore për mosnjohjen e Kosovës nga disa shtete dhe tërheqjen e njohjeve nga disa të tjera, atëherë çfarë duhet të kërkojë Kosova në një dialog të tillë. Dhe çfarë kuptimi ka fare tash më dialogu i tillë siç ka qenë deri tash.

Natyrisht, nuk duhet kritikuar dialogun si mjet dhe si rrugën më të mirë për zgjidhjen e kontesteve. Dhe është tejet e papërgjegjshme që kritikat ndaj këtij dialogu të shihen si heqje dorë nga dialogu. Por gjykimi i dialogut duhet të bëhet në bazë të gjendjes reale. E ajo nuk është aspak normale. Dhe me këtë qasje nuk do të normalizohet as dialogu për normalizimin e raporteve e as raportet. Prapë, në vend të zgjidhjes politike e cila do t’iu hapte rrugë të gjitha zgjidhjeve të tjera, dialogu do të merret me “çështjen e dinarit”, me targat e veturave, me dokumente udhëtimi dhe gjëra të tjera që janë gjithsesi të rëndësishme, por ndodhin si probleme për shkak se nuk ka pajtim rreth asaj se a është apo jo Kosova shtet. Sjellja e Brukselit se është normale mosnjohja e Kosovës nga Serbia ka krijuar situata absurde, siç është tash kjo që quhet “çështja e dinarit”. Aq absurde, saqë tash po i bie se euroja si valutë na qenka, pra, mjet për pastrim etnik. Pra, imponimi që serbët e Kosovës, sikur të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës, të përdorin vetëm euron, për Serbinë ka për qëllim “presionin me qëllim të shpërnguljes dhe zhdukjes së serbëve nga Kosova”. Dhe BE-ja e SHBA-ja sikur kanë kuptim për pohime të tilla. E në anën tjetër Serbia e pranon se kërkesat për përdorimin e dinarit në Kosovë i bazon në qëndrimin e saj se “Kosova dhe Metohija është pjesë e Serbisë”, prandaj duhet të jetë në qarkullim edhe dinari. Simbolika edhe për Serbinë është më e rëndësishme sesa zgjidhja praktike që do t’ua lehtësonte jetën qytetarëve.

Dështimi i Kosovës që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës do të paraqitet edhe si sukses i Serbisë. Dhe është sukses. Sepse Serbia tash dy muaj është duke luftuar për këtë gjë. E BE-ja nuk e ka ndërmend as ta qortojë, e lëre më ta sanksionojë Serbinë për këtë sjellje, e cila është shkelja më e qartë e mundshme e asaj që BE-ja e quan “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve”. Nëse BE-ja thotë, e po thotë, se ka marrëveshje, nëse marrëveshja thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës NË ASNJË ORGANIZATË NDËRKOBËTARE, nëse Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare, nëse Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në të, atëherë si rrjedhojë Serbia është duke e shkelur marrëveshjen. Dhe BE-ja nuk dëshiron as ta konstatojë këtë. Sjellja e tillë e BE-së e ka bërë, po ashtu, edhe dialogun e pakuptimtë. Prandaj jemi kureshtarë të shohim se si do të vazhdojë ai dhe çfarë do të prodhojë. Prapë kjo do të varet nga Gjermania e Franca, të cilat dështuan që ta mbrojnë atë që vetë e propozuan si marrëveshje.

Burimi: Koha Ditore

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Per te shtruar dhe zgjidhur ne menyren me te mire te mundshme gjithcka ke ngritur me siper si probleme sherben politike. Eshte kollaj per Kurtin te thote i kam te gjithe kunder.
Populli e ka votu ti kete ne krah. Dhe ai nuk duket shume i interesuar cfare eshte me mire per popullin e Kisives por cfare eshte me mire per me marre ndonje vote plus.
Menyra si e drejton politiken Kurti eshte menyra si e sheh nje militant partie. Atje ku politika sheh probleme me integrimin Kurti sheh nje vote plus te nje fshatari qe i ka ngel ora ne vitin 1974.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.