“Vaksina” e Denisovanëve

Postuar në 12 Maj, 2024 12:29

Banorët e Papua Guinesë së Re kanë qenë gjenetikisht të izoluar për mijëvjeçarë të tërë. Si rezultat i këtij izolimi, ata bartin gjene unike që i kanë ndihmuar të luftojnë infeksionet. Disa prej këtyre gjeneve vijnë nga Denisovanët.

"Banorët e Guinesë së Re janë unikë pasi kanë qenë të izoluar që kur u vendosën në Guinenë e Re më shumë se 50 000 vjet më parë", thotë bashkëautori i studimit François-Xavier Ricaut, antropolog biolog në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS).

Duke qenë se u duhej të jetonin në një terren kryesisht malor, te një pjesë e banorëve u zhvilluan disa mutacione që i ndihmuan të përshtaten me mjedisin. Megjithatë, sëmundjet infektive ishin përgjegjëse për më shumë se 40% të vdekjeve.

Prandaj, atyre iu desh një strategji e re biologjike dhe kulturore për t'u përshtatur, që do të thotë se popullsia e Papua Guinesë së Re është një "koktej fantastik" për të studiuar përshtatjen gjenetike.

Njerëzit modernë mbërritën për herë të parë në Papua Guinenë e Re nga Afrika rreth 50 000 vjet më parë. Atje, ata u ndërthurën me Denisovanët që jetonin në Azi prej dhjetëra mijëra vjetësh. Si rezultat i këtij ndërthurjeje të lashtë, banorët e Papua Guinesë së Re mbajnë deri në 5% ADN Denisovan në gjenomin e tyre.

Në studimin e ri, të botuar më 30 prill në revistën Nature Communications, shkencëtarët analizuan gjenomin e 54 malësorëve nga mali Wilhelm, të cilët jetonin në lartësi 2 300-2 700 metra mbi nivelin e detit, dhe 74 banorëve të tjerë nga ishulli Daru, më pak se 100 m mbi nivelin e detit.

Ata zbuluan se mutacionet e banorëve të ultësirës, ndoshta të trashëguara nga Denisovanët, rritën numrin e qelizave imune në gjakun e tyre. Ndërkohë, malësorët e zonave të larta evoluan mutacione që rritën numrin e qelizave të kuqe të gjakut, gjë që ndihmon në uljen e hipoksisë në lartësi. Kjo nuk është e pazakontë, pasi njerëzit nga disa mjedise të tjera në lartësi të mëdha kanë evoluar mutacione të ndryshme për të luftuar hipoksinë.

Variantet e gjenit Denisovan mund të ndikojnë në funksionin e një proteine të quajtur GBP2 që ndihmon trupin të luftojë patogjenët që gjenden vetëm në lartësi më të ulëta, siç janë parazitët që shkaktojnë malarjen. Prandaj, këto gjene mund të jenë përzgjedhur gjatë evolucionit për të ndihmuar njerëzit të luftojnë infeksionin në lartësi më të ulëta ku patogjenët janë të përhapur.

Në vazhdim, ekipi dëshiron të zbulojë se si këto mutacione sjellin ndryshime në gjakun e banorëve të Papua Guineas së Re. Për ta deshifruar këtë, ata do të duhet të hetojnë se si këto mutacione ndikojnë në aktivitetin e gjeneve në të cilat gjenden.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.