Oskfordi mbyll Institutin për të Ardhmen e Njerëzimit
Universiteti i Oksfordit ka mbylllur një institut akademik të drejtuar nga një prej filozofëve të preferuar të Elon Musk. Instituti Future of Humanity, kushtuar lëvizjes për të ardhmen afatgjatë të njerëzimit dhe ideve të tjera të miratuara nga Silicon Valley, si altruizmi efektiv, u mbyll pas 19 vitesh funksionimi. Musk kishte dhuruar më shumë se 1.25 milionë dollarë në 2015 përmes një organizate motër për të hulumtuar kërcënimin e inteligjencës artificiale.
Qendra drejtohej nga Nick Bostrom, filozof me origjinë suedeze, shkrimet e të cilit rreth kërcënimit afatgjatë të AI që zëvendëson njerëzimin e shndërruan atë në një figurë të famshme në mesin e elitës së teknologjisë dhe e futën në mënyrë rutinore në listat e mendimtarëve kryesorë globalë. Libri i tij "Superinteligence" ishte ndër më të shiturit në 2014.
“Ia vlen të lexohet Superinteligjenca nga Bostrom. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me AI. Potencialisht është më e rrezikshme se armët bërthamore”, shkroi Musk në atë kohë.
Mbyllja e qendrës së Bostrom është një goditje e mëtejshme ndaj lëvizjeve efektive që filozofi ka mbrojtur për dekada të tëra, por që vitet e fundit janë zhytur në skandale që lidhen me racizmin, ngacmimet seksuale dhe mashtrimet financiare. Bostrom – i cili popullarizoi teorinë se njerëzimi mund të jetë duke jetuar në një simulim, atë që Musk e përsërit shpesh – foli për mbylljen e institutit në një raport të gjatë përfundimtar të botuar në faqen e tij këtë javë. Ai vlerësoi punën e qendrës, ndërsa tha gjithashtu se ajo u përball me “përplasje administrative” me Oksfordin dhe departamentin e tij të filozofisë.
"Mbyllja është kulmi i një procesi që po zhvillohet prej disa vitesh," shpjegon Bostrom. “Fillimisht u financuam për tre vjet, në vitin 2005, dhe më pas afati u zgjat disa herë".
"Përfundimisht filloi një presion për t'u përshtatur (administrativisht ne i përkisnim fakultetit të filozofisë, edhe pse shumica e ekipit tonë kërkimor në atë kohë ishin jo filozofë), dhe pati një vdekje nga burokracia".
Oksfordi ngriu mbledhjen e fondeve dhe punësimin në vitin 2020, dhe në fund të vitit 2023 fakulteti i filozofisë vendosi të mos rinovonte kontratat e stafit të mbetur në institut. Altruizmi efektiv, besimi utilitar se njerëzit duhet të përqendrojnë jetën dhe burimet e tyre në maksimizimin e sasisë së të mirës së përbashkët, është promovuar si filozofi vitet e fundit. Një nga mbështetësit më të mëdhenj të lëvizjes ishte Sam Bankman-Fried, ish-miliarderi që themeloi sistemin për shkëmbimin e kriptomonedhave FTX.
Bostrom është një ithtar i lëvizjes së të ardhmes afatgjatë, sipas së cilës njerëzimi duhet të shqetësohet më së shumti për kërcënimet ekzistenciale e së ardhmes si inteligjenca artificiale dhe udhëtimet në hapësirë. Kritikët e kësaj lëvizjeje priren të argumentojnë se lëvizja shkon në ekstrem, duke lënë në hije problemet aktuale të prekshme, si ndryshimi i klimës dhe varfëria, dhe kalon në ide autoritare.
Krahas Bostrom, lëvizja ka fituar mbështetës të shumtë të fuqishëm gjatë viteve, duke përfshirë Musk dhe miliarderë të tjerë të teknologjisë. Instituti Bostrom mori 130.3 milion dollarë në 2018 nga Open Philanthropy Project, një organizatë jofitimprurëse e mbështetur financiarisht nga bashkëthemeluesi i Facebook, Dustin Moskovitz.
Add new comment