Psikologjia si ideologji dhe mall pa të cilin mund të jetojmë

Postuar në 27 Prill, 2024 16:19

Ian Parker, psikanalist i njohur britanik dhe profesor emeritus i Universitetit të Leicesterit, shpjegon në një intervistë për “Kathimerinin” qasjen e tij antipsikolog. Parker thotë se psikologjia komercializohet, vret kreativitetin dhe krijon barriera. Edhe pse psikanalist prej më shumë se 30 vitesh, Parker thotë se psikanaliza nuk është forma e vetme e reflektimin kritik të njeriut mbi vetveten dhe botën.  

Duke e parë psikologjinë si mjet depolitizimi, për shkak se i orienton njerëzit t’i shohin problemet brenda vetes, duke u distancuar nga strukturat shoqërore, Parket parashikon një të ardhme pa të.

Profesor Parker, pse të gjithë psikoanalistët priren ta vënë seksin në qendër të psikanalizës së tyre?

Kjo sepse, për Frojdin, seksi ishte në qendër të zhvillimit të psikanalizës. Flasim për një kohë kur ishte e vështirë të flitej për seksin, sepse njerëzit kishin turp ta bënin. Për këtë arsye, seksi u bë qendra e jetës së tyre, qendra e neurozës dhe pika qendrore ku kishte represion; njerëzit dëshironin të flisnin për gjëra të tilla, por në të njëjtën kohë e ndienin sikur gati e kishin të ndaluar të flisnin. Prandaj, u bë një pikë konflikti. Kjo është arsyeja pse seksi është kaq i rëndësishëm dhe është ende i tillë sot, pasi njerëzit përpiqen të ndërtojnë marrëdhënie dhe kanë ankth për kënaqësinë që ata mendojnë se duhet të ndiejnë, dhe gjithashtu ankthin se nuk po ndiejnë aq shumë kënaqësi apo po bëjnë aq seks sa duhet të bëjnë. Kjo është një shoqëri që është e ngopur me seks, flet për seksin dhe e shpërfaq seksin dhe idetë për seksin si thelbin e lumturisë. Prandaj, nuk është për t'u habitur që njerëzit duhet të ndihen të varur nga kjo si pjesë thelbësore të tyre.

Ju thoni se çdo markë psikologjie shet zgjidhje për pikëllimin. Mendoni se psikologjia dhe psikanaliza po komercializohen?

Definitivisht po. Shumica e psikologjisë dhe sigurisht shumica e psikanalizës sot është një kontratë private përmes të cilës psikologu po të shet diçka. Ata po shesin lumturinë ose po shesin ndonjë zgjidhje për problemet. Dhe prandaj u referohem nismave për ta prishur atë kontratë private dhe për t'u dhënë njerëzve mbështetje falas. Pra, kjo do të niste shpërbërjen e barrierës midis psikologut profesionist dhe njerëzve që ata duan të ndihmojnë.

Nga ana tjetër, a mendoni se edhe njerëzit e kërkojnë psikologjinë e komercializuar?

Unë mendoj se njerëzit tërhiqen drejt kësaj mënyre të menduari për veten e tyre. Ata tërhiqen drejt kësaj jo vetëm në departamentet e psikologjisë, por natyrisht në rubrikat televizive dhe shkrimet këshilluese në gazeta e revista. Pra, njerëzit fillojnë të mendojnë për shkaqet psikologjike të problemeve në botë. Dhe ju mund ta shihni këtë lloj psikologjizimi të politikës shumë qartë në shfaqjen e teorive konspirative, kur njerëzit supozojnë se nëse ka një problem social, arsyeja duhet të jetë një individ diku prapa skenave që është përgjegjës për të. Pra, gjithmonë kërkohet për një shkak individual të problemeve. Dhe kjo është, mendoj unë, një shprehje e gjendjes së sotme të psikologjizimit.

Pse besoni se psikologjia moderne po kalon një krizë të gjerë në ditët e sotme? Dhe pse psikologjia bëhet pjesë e problemit në vend që ta zgjidhë atë?

Epo, unë mendoj se një pjesë e problemit është se psikologjia po bëhet gjithnjë e më e fuqishme si një formë dijeje në jetën e njerëzve, dhe njerëzit po mendojnë gjithnjë e më shumë se ka shpjegime psikologjike për problemet e tyre dhe zgjidhje psikologjike për to, në vend që të orientohen drejt organizimit të shoqërisë. Dhe kështu, psikologjia bëhet një lloj mjeti ideologjik që i ndan njerëzit nga njëri-tjetri dhe i inkurajon të shikojnë thellë brenda vetes para se të mendojnë për strukturat shoqërore. Dhe kështu, një pjesë e krizës së psikologjisë vjen për shkak se njerëzit po shkojnë drejt saj për të tentuar të kurojnë problemet sociale. Megjithatë, atyre u thuhet gjatë gjithë kohës se duhet të përqendrohen te individi dhe ndihen të ndarë mes këtyre dy impulseve: të bëjnë vërtet një ndryshim, ose thjesht ta “fashojnë” pacientin për ta bërë të ndihet pak më mirë.

Ju thoni shpesh se psikologjia funksionon si një "mekanizëm depolitizimi", se si psikologjia i kundërvihet natyrës njerëzore.

Në të vërtetë, ajo funksionon si mjet depolitizimi sepse i inkurajon njerëzit të mendojnë se problemet e tyre janë brenda vetes dhe se ata duhet të punojnë me ato probleme nëse duan të bëhen më të lumtur. Ajo gjithashtu funksionon si mjet ideologjie, në sensin që inkurajon njerëzit të mendojnë se historitë për të cilat psikologët flasin me ne janë të vërteta dhe të pandryshueshme, se nuk mund të bëhet asgjë për natyrën njerëzore sepse psikologët e kanë zbuluar atë brenda kokës sonë, dhe se do të jetë gjithmonë kështu. Nuk ka asgjë që mund të ndryshohet.

Më duhet të them se nuk do të kemi psikologji në të ardhmen. Ne kemi jetuar për mijëra vjet si qenie njerëzore pa psikologji. Pra, ne duhet të gjejmë mënyra të ndryshme për të kuptuar veten. Megjithëse jam shumë entuziast për psikanalizën dhe punoj si psikanalist, ajo nuk është forma e vetme e reflektimit kritik në botë. Unë kam folur për psikanalizën, por ka forma të tjera të reflektimit kritik mbi atë se kush jemi ne, në të cilat përfshihen njerëzit, dhe mund të jenë gjithashtu shumë të dobishme.

/ Përkthimi: Gazmira Sokoli / 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.