Izraeli të pranojë ofertën e SHBA, ose kaos, luftë dhe përshkallëzim
Izraeli ka nisur një rrugë në të cilën është vetëm dhe madje po e vendos aleatin e vet kyç, SHBA, në një pozitë shumë të pafavorshme. Ish-ambasadori amerikan në NATO, Ivo Daalder, shkruan në “Politico” se edhe goditja e konsullatës iraniane në Siri ishte një veprim I Netanjahut që nuk kishte miratimin amerikan.
Përgjatë gjashtë muajve të shkuar administrate Biden punoi shumë që të parandalonte pikërisht këtë lloj përshkallëzimi. Menjëherë pas sulmeve terroriste të 7 tetorit, SHBA dislokoi dy aeroplanmbajtëse dhe 2000 marinsa si një paralajmërim ndaj Iranit dhe Hezbollahut që të mos ndërhynin
shkruan Daalder, sipas të cilit tensionet dhe episode e dhunshme ndaj trupave amerikane ndalën kur SHAB likujdoi një komandant të njohur shiit në Baghdad dhe goditi milicinë filo-iraniane.
Në këto kushte, kur SHBA arriti të krijonte një ekuilibër ushtarak në rajon, për ta mbajtur të izoluar konfliktin në Gaza dhe për ta menaxhuar si një krizë të vetme me dy aktorë, Izraeli goditi konsullatën në Damask. Dy javë më vonë Irani lëshoi 300 dronë dhe raketa si kundërpërgjigje, 99% e të cilave u rrëzuan nga mbrojtja izraelite. Tel-Avivi e celebroi këtë si arritje të vetën, por sipas diplomatit amerikan e vërteta qëndron shumë më ndryshe.
Në vitin 2022 SHBA krijoi Mbrojtjen Ajrore të Lindjes së Mesme, një aleancë që do të bënte bashkë mbrojtjet ajrore të vendeve të rajonit për të përballuar llojin e sulmit që Irani do të mund të ndërmerrte. Kështu që kur erdhi momenti, vendeve arabe dhanë informacione jetike për gjurmimin e raketave dhe dronëve, hapën hapësirat e tyre ajrore dhe Jordania madje mori pjesë në rrëzimin e raketave. Në fund, rreth gjysma e mjeteve që lëshoi Irani dështuan që në nisje apo para se të arrinin objektivin. Pjesa tjetër, rreth 90% u kapën nga forcat amerikane. Britanikët, francezët dhe forcat ajrore jordaneze kapën një numër prej tyre dhe vetëm 75 raketa dhe dronë hynë në hapësirën izraelite
shkruan Daalder.
Kjo sipas tij nuk e ul vlerën dhe rëndësinë e sistemit izraelit, por thekson varësinë e tij nga vende të tjera, “diçka që Izraeli jo gjithmonë ka dëshirë ta pranojë”. Problemi këtu është Netanjahu që është i papërmbajtshëm dhe po refuzon ta kuptojë paqen si nevojë strategjike të aleatit të vet që është në fakt gurthemeli i sigurisë dhe ekzistencës së vet Izraelit. Ndoshta Netanjahu po kërkon një zgjidhje përfundimtare dhe po guxon të kërkojë rrugë konfrontimi me Iranin, që në planin afatshkurtër mund të nxjerrë përfitime. Ta zëmë pas sulmit Iranian, Izraeli goditi një sistem mbrojtjeje në Isfahan, pranë disa godinave ku janë reaktorë bërthamorë, një mesazh ky i qartë. Por Daalder shton se veprimet e Izraelit kanë provokuar një ndalesë apo prishur një proces të vështirë negociimi në rajon çka ka tërbuar SHBA.
Në muajt e fundit, administrata Biden ka dyfishuar përpjekjet për të siguruar një progres thelbësor me Arabinë Saudite që përpara 7 tetorit kishte dëshmuar se ishte e hapur për normalizim marrëdhëniesh me Izraelin për një çmim të duhur. Dhe ky çmim ishte i lartë, por Washington-i ishte i përgatitur ta paguante për sa i takonte. Administrata Biden me sa duket kishte rënë dakord që të ofronte për Arabinë Saudite garanci si ato për Japoninë dhe aleatë të tjerë aziatikë. Dhe më e rëndësishmja: ishte gati të ndihmonte Arabinë Saudite në krijimin e një program bërthamor civil, përfshirë ndërtimin e godinave për pasurimin e uraniumit që do të posedoheshin nga SHBA. Çelësi për marrëveshjen finale nuk qëndron as në SHBA as në Arabinë Saudite, por në Izrael. Ose më saktë në kabinetin e Beniamin Netanjahut. SHBA dhe sauditët po kërkojnë dakordësinë e Izraelit për një rrugë të qartë dhe konkrete të krijimit të një shteti palestinez
shkruan diplomati.
Kështu i gjithë procesi i paqes, apo më mirë opsionet strategjike të menduara nga SHBA po minohen në planin imediat nga llogari politike të një kryeministri në Izrael. Ndaj të cilit megjithatë SHBA po ofron diçka të sigurtë dhe me garanci: normalizim marrëdhëniesh mes Riadit dhe TelAvivit si premisë reale strategjike për të kundërbalancuar me Iranin dhe projektet e tij.
Alternativa e kësaj është thjesht kaos dhe më shumë luftë dhe përshkallëzim. I takon Izraelit të zgjedhë
e mbyll analizën e vet Daalder. Në mënyrën më të papritur ne lexojmë se çelësin e paqes në një rajon si Lindja e Mesme e ka një shtet si Izraeli, madje një njeri i vetëm si Netanjahu që është e qartë se ka tanimë në veprim axhendën e spastrimit etnik të Gazas nga palestinezët duke refuzuar të lexojë se qysh tani, me aktet që janë konfirmuar në Gaza, ai ka minuar sigurinë afatgjatë dhe ekzistencën e Izraelit, duke krijuar një mjedis armiqësor dhe një antipati gati globale për atë që po konsumohet para syve të të gjithëve.
Add new comment