Një hap mbrapa për #MeToo, rrëzohet dënimi për Harvey Weinstein
Gjykata më e lartë e Nju Jorkut rrëzoi sot vendimin e dhënë nga një gjykatë e një niveli më të ulët për rastin që shënoi nisjen e lëvizjes MeToo. Gjykata e Apelit hodhi poshtë vendimin që dënonte producentin e Hollivudit, Harvey Weinstein, me burgim për përdhunim.
Weinstein, 72 vjeç, do të mbetet në burg sepse është dënuar në Los Angeles në vitin 2022 për një tjetër përdhunim. Por vendimi i Apelit të Nju-Jorkut rihap një kapitull të dhimbshëm për mënyrën sesi u trajtuan në SHBA sjelljet e pahijshme të shumë figurave me pushtet – një epokë që u hap në vitin 2017 me një lumë akuzash kundër Weinstein.
Zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit la të kuptohet se Weinstein mund të rigjykohet dhe akuzueset e tij mund të detyrohen të dëshmojnë edhe njëherë nga e para.
Gjykata e Apelit e rrëzoi dënimin e Weinstein me 23 vjet burg, me një vendim 4-3, duke konkluduar se “Weinstein u dënua nga një juri për krime të ndryshme seksuale ndaj tre paditëseve me emër dhe, në apel, pretendon se ai u gjykua, jo për sjelljen për të cilën u padit, por për pretendime të parëndësishme, paragjykuese dhe të paprovuara të mëparshme për akte të papërshtatshme. Ne konkludojmë se gjykata që ka shqyrtuar rastin pranoi gabimisht dëshminë e akteve të mëparshme seksuale të papaditura, të supozuara kundër personave të tjerë nga paditëset e krimeve themelore … zgjidhja për këto gabime skandaloze është një gjykim i ri”.
Weinstein ka qenë në një burg në Nju-Jork që nga dënimi për akuzat për akte seksuale me detyrim, që lidhen me një rast seksi oral me forcë me një asistente të produksionit televiziv dhe filmit në vitin 2006 dhe një tjetër rasti përdhunimi të shkallës e tretë ndaj një aktoreje aspiruese në vitin 2013.
Debra Katz, avokatja e shquar e të drejtave civile dhe #MeToo që ka përfaqësuar disa prej akuzueseve të Weinstein, tha se klientet e saj janë të mërzitura nga vendimi, por gjithsesi dëshmia e tyre ka ndryshuar botën.
“Njerëzit vazhdojnë të denoncojnë, të mbështesin viktimat e tjera që kanë raportuar sulme seksuale dhe dhunë, dhe unë me të vërtetë besoj se nuk ka kthim prapa nga kjo,” citohet Katz nga AP.
Përmbysja e dënimit të Weinstein është një hap i madh mbrapa dhe i dyti i kësaj natyre për #MeToo në dy vitet e fundit, pasi Gjykata e Lartë e SHBA refuzoi të pranojë apelin ndaj vendimit të Gjykatës së Pensilvanisë për të anuluar dënimin për sulm seksual të Bill Cosby.
Akuzat kundër Weinstein, kreut të studios më të fuqishme të produksionit në Hollivud edhe figura kryesore pas filmave të vlerësuar me Oskar si "Pulp Fiction" dhe "Shakespeare in Love", nxitën lëvizjen #MeToo. Dhjetra gra morën guximin për të akuzuar Weinstein, mes të cilave aktore të famshme si Ashley Judd dhe Uma Thurman. Gjyqi i mbajtur ndaj tij në Nju Jork tërhoqi një vëmendje të jashtëzakonshme. Jashtë sallës pati protesta me ditë të tëra, me parrullat "Përdhunues".
Weinstein është i burgosur në Nju Jork në Institucionin Korrektues Mohawk, rreth 100 milje (160 kilometra) në veriperëndim të Albany.
Ai pretendon pafajësi dhe ngul këmbë se çdo akt seksual ka qenë konsensual.
Add new comment