Drejtësia spanjolle liron “gabimisht” një prej më të kërkuarve nga Interpoli

Postuar në 23 Prill, 2024 15:00

Lideri i një karteli droge në Spanjë i shpëtoi drejtësisë falë një "gabimi" që kjo e fundit bëri në rastin e tij. Karim Bouyakhrichan është kreu i grupit kriminal "Mocro Maffia" dhe u arrestua në Marbella disa muaj më parë, pas një hetimi 5-vjeçar për pastrim parash.

Por Bouyakhrichan dyshohet edhe nga autoritetet holandeze se përveç rolit kyç që ka pasur në një luftë dhjetëvjeçare pan-kontinentale të bandave të drogës, në të cilën u vranë dhjetëra njerëz në Belgjikë, Holandë, Spanjë dhe Marok, ai ka planifikuar edhe vrasjen e trashëgimtares së fronit mbretëror holandez dhe kryeministrit Mark Rutte.

Pas arrestimit të tij për llogari të drejtësisë spanjolle, Holanda i ka paraqitur Gjykatës Kombëtare të Spanjës një kërkesë ekstradimi.

Gjykata Kombëtare në Madrid e pranoi kërkesën, por gjykata e rrethit në Málaga, e cila ka juridiksion mbi zonën ku u arrestua Bouyakhrichan, nuk pranoi ta ekzekutonte atë, duke argumentuar se fillimisht i arrestuari duhej të përballej me akuzat e pastrimit të parave në Spanjë përpara se të ekstradohej diku tjetër.

Autoritetet holandeze apeluan, duke paraqitur një kërkesë të re për ekstradimin e Bouyakhrichan, një nga më të kërkuarit në listën e Interpolit. Por megjithëse pranoi apelin holandez, Gjykata Kombëtare e Spanjës neglizhoi të lëshonte një urdhër ndalimi që do të garantonte qëndrimin në burg të Bouyakhrichan deri në kryerjen e ekstradimit.

Në seancën paraprake për akuzën e pastrimit të parave në Gjykatën e Málagas, muajin e kaluar, kreu i trupit gjykues vendosi lirimin me kusht të të akuzuarit kundrejt një garancie prej  50 000 euro. Bouyakhrichan, miliarder që posedon llogari bankare dhe prona anembanë botës, pagoi menjëherë garancinë dhe u largua nga Spanja.

Dy vjet më parë, policia holandeze siguroi të dhëna se Bouyakhrichan kishte planifikuar të rrëmbente princeshën holandeze Amalia dhe për këtë arsye ajo duhej të zhvendosej nga kompleksi i banesave në pallatin mbretëror. Lirimi i Bouyakhrichan pritet të detyrojë autoritetet holandeze të shtojnë masat e sigurisë për të dhe kryeministrin Mark Rutte, i cili u raportua nga gazeta holandeze De Telegraaf se ishte një nga objektivat e Bouyakhrichan.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.