Çmimi i votës dhe pazari i mafias
Çfarë kërkohet që të zgjidhesh? Djersë, përpjekje, angazhim... Mirë, në rregull. Por pyetja është tjetër: sa kushton të zgjidhesh? Sa para duhen për të siguruar një vend në Parlament? Sa për t'u bërë kryetar bashkie? Dhe cilat janë tarifat për Parlamentin Evropian? Po për Senatin? Duhet pyetur ai që ka listën e çmimeve dhe duhet bërë shpejt: organizatat kriminale. Janë ata që ofrojnë platformën e lançimit, karburantin, ekspertizën.
Cosa Nostra, 'Ndrangheta, Camorra, Societa Foggiana, shpërndajnë setin e kryebashkiakut të përsosur, senatorit të përsosur dhe e bëjnë këtë, kur është mundësia, në një mënyrë “miqësore me mjedisin”: kryesisht duke ricikluar votuesit, preferencat e të cilëve do të ishin të destinuara për t’u harruar. E bëjnë me takimet derë më derë, duke u rënë citofonëve, duke u rënë zileve. Mbledhin votat që shkojnë dëm dhe i vendosin një nga një në kutitë e votimit. Me durim dhe disiplinë u japin atyre një jetë të re. E bëjnë ku është më pak e komplikuar. Logjika është ajo e një biznesi, duhet të racionalizohen kostot dhe të maksimizohet fitimi.
Gjatë pandemisë Covid, Camorra arriti të fitojë konsensus falë boshllëqeve të mëdha në ndihmën për qytetarët. Shpenzime ushqimore, barna, udhëtime të garantuara nga një vend në tjetrin. Në Piemonte, siç zbuloi një hetim, ‘Ndrangheta kontrollonte shumë vota që rezultonin nga puna në ndërtim. Llogaria është e saktë. Edhe ajo ekonomike. Një vend në Parlament? 50 mijë euro. Një shpenzim i madh, padyshim. Por jo i çmendur. Sigurisht në dorën e atyre që kanë lënë mënjanë disa kursime, ndoshta kanë një biznes, madje edhe një pasuri modeste familjare. Ose të atyre që kanë fuqinë e nevojshme për të tërhequr pak investitorë. Disa sponsorë.
Në 2021, Lady Camorra, Maria Licciardi, mbështeti një kandidat në zgjedhjet rajonale dhe i dha substancë operacionit duke vënë në lojë kapitalin financiar: 50 euro për ata që votojnë për të. Kandidati i saj mori 2 100 preferenca dhe për pak nuk ia doli të zgjidhej. Lady Camorra thirri menjëherë përfaqësuesin e familjes Mallardo - klani hegjemonist i Giugliano di Napoli - i cili, pasi kreu një analizë të kujdesshme, si një ekspert i vërtetë, deklaroi se kandidati ishte kujtuar shumë vonë sepse votuesit ishin blerë ndërkohë nga kandidatët e tjerë. Burimet ishin të pakta. Konkurrentët i kishin marrë masat për ta zbrazur sheshin. Kërkesa ishte më e madhe se oferta.
Sidomos në periferi ndodh që ndërhyrja e mafias të jetë vendimtare. Vota e opinionit, i cili nxit ndarjen e idealeve, është një çështje margjinale. Pjesa më e madhe e votave, të cilat dalin nga përtesa e abstenimit e marrin jetë duke marshuar në kutinë e votimit, epo, këto janë blerë. Për shumë secila. Dhe rezultatet flasin vetë. Organizatat japin garanci.
Sa më shumë politikanët të bien në humnerën e përbuzjes dhe skepticizmit, aq më shumë politika humb autoritetin, aq më lehtë është që blerja e votës të zërë rrënjë dhe kostoja e një vote të vetme të bjerë gradualisht. Jam rritur në një tokë ku votohet politikani që përbuzet, por që në këmbim të jep diçka: të drejta, ato të ururara të drejta, të shndërruara në favore. Janë shumë politikanët që janë bërë ekspertë në artin “shpejtësisë në banak”. Kështu e quajnë. I sheh të ulur në një tavolinë, në ndonjë zyrë të vogël ose ndoshta në shtëpinë e tyre, me pantofla në këmbë, teksa qëndrojnë aty si pas kasës së një lokali dhe klientët janë në radhë duke pritur. Zonja Maria nuk mund të marrë një recetë nga mjeku i saj i përgjithshëm? Nuk ka problem, “specialist” do të kujdeset për këtë punë. Z. Giuseppe nuk mund ta çojë djalin të punojë në kantierin që është hapur pranë shtëpisë së tij? Në një javë, “specialist” do t’i sjellë lajme të mira. Një shënim i vogël në një copë letër, emri i klientit dhe për çfarë ka nevojë. Detyrimet që dikush u është shmangur, për dikë tjetër kthehen në mall pazari.
Paolo Macry ka shkruar në studimet e tij për blerjen e votës pas Luftës së Dytë Botërore: aty bëhej fjalë për ushqimin. Një votë - një shportë me ushqime. Me rritjen ekonomike, siç thotë Percy Alloum, nisi të flitej për punësim: një votë - një vend pune.
Kur Antonio Gava u bë ministër i Postave, të gjitha zyrat postare në Itali u mbushën me njerëz nga Kampania. Sot, në një vend ku nga viti 1991 deri në vitin 2022 pagat janë rritur vetëm me 1% (krahasuar me një mesatare prej 32.5% në zonën e OECD-së) një votë vlen mesatarisht 50 euro. Në mënyrë të qartë ka edhe një çmim zyrtar, ligjor, të përllogaritur mjaft saktë për përgatitjen e një fushate elektorale. 30 mijë apo 50 mijë euro, si në rastin e Fratelli d’Italia apo Partisë Demokratike, për një mandat në Parlament apo Senat (të dhënat e 2022). Lega e Matteo Salvinit kërkoi 20 mijë euro për një vend të sigurt në listë në zgjedhjet e mëparshme politike. Ulësja në Parlamentin Evropian është më e shtrenjta: 200 mijë euro. Këto janë tarifa ligjore, janë shpenzimet që partitë u kërkojnë kandidatëve të tyre për mbështetjen, për t'i çuar votuesit programin e tyre, për t'i ngjitur idetë e tyre në mure, për t'i çuar nëpër darka, për t'i printuar në fletushka. Por këto shpenzime nuk garantojnë zgjedhjen, është e qartë. Jo siç e garantojnë paratë e futura direkt në xhepin e votuesit të pakënaqur.
Ngjarjet e fundit në Catania dhe Bari kanë rikthyer në qendër të vëmendjes blerjen e votës. Sammartino, në Catania, fillimisht anëtar i UDC, më pas u transferua në PD dhe më pas iu bashkua Italia Viva, përpara se të bashkohej me Legën. Ndër politikanët më të votuar në Siçili, ai u pezullua për shkak se hetimi i karabinierëve të Pandorës nxorri në dritë marrëveshjet mes administratorëve të komunës së Tremestieri Etneo dhe elementëve të afërt me bandën mafioze Santapaola-Ercolano.
Në Bari, pas skandalit me ish-këshilltaren e qytetit, Maria Carmen Lorusso, - e zgjedhur sipas prokurorisë falë mbështetjes nga krimi - ka rindezur polemika ai me këshilltaren rajonale, Anita Maurodinoia. Këtë herë mafia nuk ka lidhje me të, përkundrazi favorizimet, korsitë preferenciale, blerjet dhe shitjet kishin të bënin me të.
Ka edhe një votë tjetër, e ashtuquajtura për shkëmbim politik. Por kjo, të paktën, është e ligjshme. Dhe këtu shembujt janë të shumtë. Ka nga të gjitha qeveritë dhe të gjitha ngjyrat. A mund të ndodhë ndonjëherë që mafia të votojë edhe për ata që nuk i paguajnë ose i favorizojnë drejtpërdrejt? Sigurisht. Në përgjithësi votojnë për politikanë që nuk e njohin dinamikën e tyre të fitimit. Për idiotët e dobishëm. Kur nuk kanë kontakte të drejtpërdrejta, preferojnë kandidatin më pak inteligjent dhe më pak të përgatitur. Ai që nuk ka aftësi për të ushtruar kontrollin e duhur mbi prokurimet. Nuk mund të qeverisësh pa mafiozët dhe kushdo që përpiqet është gjithmonë në rrezik se do të shantazhohet prej tyre.
Përkthimi: Gazmira Sokoli
Add new comment