Pse po shmanget termi Pandëshkueshmëri?

Postuar në 13 Prill, 2024 16:04

Në një takim me studentët në Shkodër, ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka deklaruar ndër të tjera se:

Po fillojmë të shohim rezultate nga SPAK sepse po kapen njerëz të politikës, biznesit. Është e rëndësishme që të kontribuojmë të gjithë bashkë individualisht. Ju studentët do të jeni brezi i ardhshëm i gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve që mund të kontribuoni për integrimin e Shqipërisë në BE. Unë mendoj se me krijimin e një institucioni si SPAK i cili po merret me rastet e korrupsionit dhe krimit në nivele të larta që ka buxhetin e nevojshëm për të punuar në këtë drejtim dhe ka filluar të investigojë këto raste, kjo mund të krijojë ndryshim social dhe kur sheh që ka të paprekshëm edhe në nivele të larta, kjo zbret edhe tek njerëzit e thjeshtë pastaj. Tani duhet të shohim edhe drejtësinë e thjeshtë përveç asaj me të cilën merret SPAK.

Është iniciativë e madhe dhe nuk njoh asnjë shtet që ka ndërmarrë një revolucion të tillë siç është pastrimi i sistemit të drejtësisë. Vettingu është bërë nga Shqipëria, por që është i monitoruar nga ndërkombëtarët. Shqipëria do shkojë larg sepse do jetë e pastër për t’u integruar në BE dhe do të arrijë një standard europian të pranueshëm nga ndërkombëtarët të cilët monitorojnë këtë proces. Do jetë një instrument i fortë që drejtësia të jetë më e pavarur dhe më afër qytetarëve. Ju duhet të ndjeheni të fuqishëm dhe kjo është diçka që politikanët nuk mund ta mohojnë sepse objektivi i Shqipërisë është integrimi në BE. Ky objektiv do të thotë që të pastrosh vendin dhe të adresosh korrupsionin

Ky deklarim riprodhon në aspektin politik atë që po ndodh me hetimet e nivelit të lartë ku spikat padyshim ai për Erion Veliajn. Megjithatë, z. Gonzato ka bërë një luhatje terminologjike krahasuar me disa kohë më parë. Duke vlerësuar në vijimësi punën e deritanishme të organeve të reja të drejtësisë, si SPAK, z. Gonzato, njësoj si diplomatët e tjerë perëndimorë, kanë nisur të heqin nga fjalori termin “PANDËSHKUESHMËRI”, nën pretendimin se tashmë asnjë nuk është i paprekshëm.

Mirëpo votimi në Kuvend i kërkesës së Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, si dhe mbrojtja publike që z. Rama si kryeministër i dha kryebashkiakut Veliaj, dëshmojnë se ka ende mesazhe të koduara që përvijojnë një kulturë pandëshkueshmërie. Dhe sa kohë koniunktura me SPAK dhe hetimet e tij, po kristalizohen si një lloj parimi disiplinues për andej nga duhet të ecin hetimet, është e udhës që termi në fjalë të mbahet në fuqi. Edhe sepse Drejtësia e pavarur kërkon padyshim mesazhe përforcimi nga ata aktorë që nuk mund të kenë do bashkëpunim të shëndetshëm me një vend, kur lënë të kalojnë nën hijen e tolerancës subjekte që janë eventualisht perspektiva e domosdoshme e drejtësisë që quhet se është e re.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.