BE hap hetime për subvencionet e huaja në sektorin e energjisë diellore
Bashkimi Evropian ka hapur dy hetime për përdorimin e subvencioneve të huaja në sektorin e energjisë diellore.
Lajmin e bëri të ditur sot komisioneri evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton.
Sipas një zyrtari të BE-së, të cilit i referohet Reuters, hetimet kanë të bëjnë me një tender prokurimi publik në Rumani për projektimin, ndërtimin dhe funksionimin e një parku fotovoltaik dhe ofertat nga kompani në pronësi kineze.
Konsorciumi i parë i hetuar përbëhet nga ENEVO Group i Rumanisë dhe një filial i LONGi Green Energy Technology Co. E dyta përfshin filialet e Shanghai Electric Group Co., kompani shtetërore kineze.
Sipas një zyrtari të BE-së, kontrata totale ishte rreth 375 milionë euro (404 milionë dollarë).
Komisioni tha se arsyeja e hetimeve lidhet me disa indikacione të mjaftueshme që të dy firmave kineze u ishin dhënë subvencione të huaja që shtrembëronin tregun e vetëm të BE-së.
Sipas rregulloreve të BE-së për subvencionet e huaja, të cilat janë aplikuar që nga korriku 2023, kompanitë janë të detyruara të njoftojnë Komisionin Evropian, i cili më pas duhet të vlerësojë nëse subvencionet i lejojnë kompanitë të paraqesin oferta shumë të favorshme.
Add new comment