Olta mbi Holtën - ish-ministrja "strategjike" bën nul Gjykatën Kushtetuese

Postuar në 02 Prill, 2024 18:42

Partia Socialiste duket se nuk ka ndërmend ta lëshojë Olta Xhaçkën, ish-ministre e Mbrojtjes dhe e Jashtme. Nëse pak ditë më parë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka sqaruar me një përgjigje të vetën se Konferenca e Kryetarëve nuk e ka për objekt shqyrtimi vendimin e Gjykatës Kushtetuese pë zonjën Xhaçka, por se atë e shqyrton Këshilli i Mandatit dhe Legjislacionit, sot, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, ka deklaruar tjetër gjë:

Nuk është e vërtetë që nuk e kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është mbledhur Këshilli i Legjislacionit, që më pas ia ka dërguar Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, që të shprehet me vendim. 4 muaj kanë qenë tym e flakë, po të mblidhej Këshilli i Mandateve dhe Rregullores, do të thonin e morën në mënyrë të njëanshme. Tani ka hyrë në normalitet, prisni se shumë shpejt do të ketë edhe një vendimmarrje nga Këshilli i Mandateve

ka thënë ai sot.

Zhvejku do të mbetej me gisht në gojë në atë Parlament, por si është e mundur që socialistët e një morali ndryshe në qeveri, pranojnë që zonja Xhaçka, të vazhdojë të jetë mes tyre si deputete?

Pse kjo zonjë që ka mbuluar detyra të rëndësishme qeveritare nuk jep dorëheqjen për të sqaruar pozicionin e vet në raport me drejtësinë, por edhe për të respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Vendim që në fakt konfirmon një kërkesë të deputetëve që e konsideron të domosdoshme nevojën e shqyrtimit të gjykatës të mandatit të zonjës për shkak të konfliktit të interesit.

Çfarë përfaqëson kjo zonjë në atë Parlament në kushtet juridike dhe politike që është, përveç se një vendimi të z. Rama që gjërat të mos lëvizin për të? Në shkurt të këtij viti, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj do të shprehej ndër të tjera se:

Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Vendimet e Kushtetueses janë të formës së prerë dhe janë përfundimtare. Do të thotë që ato janë të zbatueshme. Nuk ka ekuivok në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Për sa kohë që janë përcaktuar si të tilla, kanë forcën e ligjit dhe nuk mund të diskutohen, vetë Kushtetuta nuk i ka dhënë gjykatës mekanizma kontrolli të zbatimit të vendimeve sepse në një shtet ligjor është postulat që vendimet e GJK janë të zbatueshme. Nuk do të komentoj më

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.