Dialog imagjinar me Odhise Andhrucon
Fort i dashur dhe i nderuar Odhise Andhruco,
-Mendova të komunikoj me ty duke marrë shkas nga 200 vitet e Revolucionit grek. Kam dëgjuar shumë rreth teje, shpeshherë gjëra kontradiktore, pavarësisht se më vonë të është dhënë drejtësia e munguar dhe konsiderohesh nga heronjtë më të rëndësishëm të kombit.
-Më thuaj! Më lejo së pari të të them, që gëzohem për atë çka do dëgjosh, sepse ti e di se cili ishte fundi im, ndonëse luftova me zjarr e vetëmohim për lirinë e atdheut…
-Fillimisht, do desha të dija nëse ke qenë mysliman bektashi në vitet e fëmijërisë dhe ndaj të vunë nofkën “Odhise-turku” apo për ndonjë arsye tjetër.
-Dëgjo patriot. Unë u rrita në oborrin e Ali Pashës, me të cilin im atë kishte marrëdhënie të mira. Me shumë mundësi, të mitë më futën atje në një togë bektashiane, që të mos më merrnin jeniçer. Dhe me thënë të drejtën, nuk më doli për keq, se bektashinjtë ishin të hapur dhe tolerantë, kishin marrëdhënie të mira me të krishterët. Vetë Aliu ishte i tillë. A s’kishte në oborrin e tij kaq të krishterë? Doktorë, të lëçitur, etj? Atje mësova shumë gjëra… “Odhise-turku” ma ngjitën nofkën armiqtë e mi, kur më tradhtoi dhe biri im shpirtëror, Guras, dhe më rrasën në burg si tradhtar. Gjetën si pretekst, që shkova me turqit kundër luftës sonë… Ishte një shpifje, që u bazua në të ashtuquajturat “kapakë”, marrëveshjet e njohura të bashkëpunimit, që zakonisht lidheshin nga kleftët e armatolët me armiqtë, me qëllim që t’i manipulonin, për të ndihmuar revolucionin. Ky ishte sekret i përbashkët. Për më tepër armatolët ishin të emëruar, sikurse dhe dervenagallarët, dhe shpesh ndërronin rolet. Nga armatolë kleftë dhe e kundërta, në varësi të situatave. Sikurse gjithë të tjerët, edhe unë bëja “kapakë” me një qëllim strategjik, që s’ishte tjetër, përveç mashtrimit të armikut dhe kontributit në luftë për lirinë…
-Dhe përse gjithë këto shpifje, akuza e kjo përndjekje ndaj teje?
-Sepse ndërkohë, që ne kapedanët luftuam e dëbuam turqit, frerët i morën politikanë oportunistë e të pandershëm, nga njëra anë fanariotët, nga ana tjetër kallamaradhët*, të gjithë të parregjur e që s’patën luftuar ndonjëherë.
Ata u bënë palë me koxhabashët e oxhaqet, të cilët kishin marrëdhënie të mira me pushtuesit dhe margjinalizuan luftëtarët e vërtetë. Disa prej nesh u katandisën lypsarë e disa përfunduan në burgje e gjyqe, etj. Ky ishte “shpërblimi” për kontributin tonë në luftë! Të tjerë luftuan e të tjerë qeverisën. Dhe si qeverisën… S’po them më tepër. Mendo klanet dhe ndarjet në filoanglezë, filofrancezë e filorusë…. Mendo kacafytjet e tyre, intrigat, konspiracionet, vrasjet… Koletët, Mavrokordhatët, etj,. Koletin e njihja nga oborri i Ali Pashës, ishte doktori i tij.
Këta të tillë ishin, që në shpërgënj. Ajo që më dhembi më shumë, është tradhtia nga njerëzit e mi. Sidomos nga Gura, që u shit sikurse Juda. Më tradhtoi.. Ç’ të them për kapedanët.. Karaiskaqin, Kolokotronin, Boçarin.. madje edhe për të lëçiturin Korai, që i shkruajta… Të tjerë komandonin. Të shiturit për para dhe ish sahanlëpirësit. E rithem, më shumë nga të gjitha më therri në shpirt pabesia e shokut, e birit shpirtëror, e vëllamit. Pak besë desha! Kjo ishte brenga ime. Ma mori edhe atë pak frymë të mbetur!
-Më vjen keq për të gjitha këto kapedan..
-Nuk më shkon për shtat mëshira. Bëra detyrën time dhe jam i qetë këtu ku jam. Është më mirë të merakosesh për çka vazhdon të ndodhë në atdheun tonë. Nëse vazhdojnë të sundojnë imoraliteti, oxhaqet, cmira, klanet dhe gjithë plagët e romiosinit*, që ne luftëtarët i mbartim me vete si sëmundje, si mëkat kolektiv, që vazhdon të na mundojë edhe në botën tjetër…
-Kapedan, nuk e di nëse mund të të them të vërtetën…Ka ende shumë grekë, që të adhurojnë dhe ta mbajnë lart lavdinë. Prehu i qetë!
*Kallamaradhes: Vjen nga fjala “kallamar” dhe përdoret në formë pexhorative për grekët e lëçitur. Ende kjo fjalë vazhdon të përdoret në Qipro nga qipriotët kundrejt grekëve në formë përçmuese.
*Romiosini: Term më i gjerë se greqizmi, që i referohet popullatave ortodokse të perandorisë, romakëve të lindjes, por që kanë si bazë vetëdijen greke, fenë ortodokse dhe luftrat e pëbashkëta për krijmin e shtetit të sotëm grek.
*Autori është pedagog i studimeve folklorike në Universitetin e Janinës
Nga libri “Etno-Oiko-Topika”
Përktheu: Eleana Zhako
Comments
Sygjerim
Eleana, padyshim eshte nje nga perkthyeset me te mira Greqisht-Shqip dhe anasjelltas por ne kete rast ka parapelqyer te perkthej nje post te ne Fb te profesorit te njohur Grek Vasilis Niciakos qe nuk aq shume "pesh " sa do te kishte nqs se do te kishte perkthyer nje post tjeter te zotit Niciako, dialog imagjinar midis Marko Bocarit dhe Niciakos. Do kishin mundesi edhe lezuesit shqiptar te dinin c`fare mendon profesori rreth popullatave shqipfolese te Sulit .
http://www.respublica.al/2023
http://www.respublica.al/2023/08/11/far-ishe-ti-marko
Add new comment