Gjykata pezullon Telegramin në Spanjë
Gjykata Kombëtare e Spanjës ka urdhëruar ofruesit e internetit të pezullojnë përdorimin e Telegramit, në pritje me konkluzionet e një hetimi që po kryhet për shkelje të të drejtave të autorit.
Vendimi erdhi pasi katër organizatat kryesore mediatike të Spanjës – Mediaset, Atresmedia, Movistar dhe Egeda – paraqitën një ankesë në gjykatë me pretendimin se platforma lejon përdoruesit të shpërndajnë përmbajtjen e tyre pa leje.
Mediat spanjolle shkruajnë se lidhur me këtë pretendim, gjykata kërkoi disa informacione nga pronarët e Telegram. Por siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, Telegram nuk e siguroi informacionin e kërkuar. Për pasojë, gjykata vendosi bllokimin e aksesit në këtë aplikacion nga e hëna e 25 marsit.
Pezullimi pritet të zgjasë gjatë gjithë hetimeve.
Vendimi u prit me kritika në Spanjë. Organizata mbikëqyrëse e të drejtave të konsumatorit FACUA e quajti atë një masë "absolutisht joproporcionale" dhe shtoi se bllokimi i shërbimit do të shkaktojë "dëm të madh".
Fernando Suarez, presidenti i Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatave Profesionale të Inxhinierisë Kompjuterike në Spanjë, tha se mbyllja e Telegram është sikur të mbyllësh “një provincë të tërë vetëm sepse në të ka ndodhur një rast i trafikimit të drogës ose një vjedhje”.
Rreth 19% e spanjollëve e përdorin Telegramin. Aplikacioni u lejon përdoruesve të shkëmbejnë mesazhe, të bëjnë thirrje zanore dhe transmetime të drejtpërdrejta publike. Platforma u lançua në vitin 2013 nga sipërmarrësi me origjinë ruse Pavel Durov. Ai arriti në 800 milionë përdorues aktivë në vitin 2023, sipas faqes Business of Apps.
Add new comment