Sulm në Moskë, 40 të vrarë dhe 100 të plagosur

Postuar në 22 Mars, 2024 21:52

Në Moskë është kthyer frika e sulmeve terroriste çeçene të viteve 1990, kur një grup personash të armatosur, të veshur me kamuflazh, hynë në një sallë koncertesh në veriperëndim të kryeqytetit, duke hapur zjarr mbi spektatorët.

Sipas disa dëshmive, sulmuesit kanë hedhur edhe granata apo shishe ndezëse dhe pak më pas e gjithë ndërtesa është djegur. Të paktën 40 të vdekur dhe 100 të plagosur është numri ende i përkohshëm që raportojnë shërbimet ruse të sigurisë së brendshme, FSB. Autoritetet kanë hapur një hetim për terrorizëm, raporton TASS.

Sulmi ndodhi në lagjen Krasnogorsk, jashtë dhe brenda sallës së koncerteve Crocus City Hall, më e madhja në Moskë, me kapacitet 7 mijë njerëz. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, 4 nga 5 sulmuesit kanë arritur të arratisen pas masakrës.

Shtëpia e Bardhë e dënoi sulmin duke i cilësuar pamjet "imazhe të tmerrshme, të vështira për t'u parë". Sipas zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, "nuk ka asnjë shenjë në këtë moment për përfshirjen e Ukrainës apo ukrainasve në të shtënat në Moskë".

 

Përfshirjen në këtë sulm e mohoi edhe vetë Kievi.

Por ndërkohë, në Moskë ka ende dyshime. Ish-presidenti dhe nënkryetari aktual i Këshillit të Sigurimit rus, Dmitry Medvedev, shkroi në Telegram: "Nëse do të vërtetohet se pas tij ka terroristë nga regjimi i Kievit, ata do të duhet të vriten pa mëshirë, përfshirë krerët e shtetit që kryen mizori të tilla”.

Më 7 mars të kaluar, ambasada amerikane në Moskë paralajmëroi qytetarët e saj për sulme të mundshme terroriste në 48 orët në vijim, veçanërisht në evente me numër të lartë pjesëmarrësish si koncertet muzikore. Alarmi u ngrit pasi shërbimet e sigurisë së brendshme (FSB) njoftuan se kishin penguar një sulm me armë kundër besimtarëve të një sinagoge në kryeqytet. Inteligjenca ruse specifikoi në atë rast se sulmi ishte planifikuar nga një celulë e Wilayat Khorasan, dega afgane e ISIS, e cila u shfaq për herë të parë në vitin 2014, dhe synon të themelojë një kalifat të ri duke bashkuar vende të ndryshme vende aziatike, duke përfshirë Afganistanin, Pakistanin, Iranin por edhe disa ish-republika sovjetike, si Turkmenistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.