Modeli zviceran për Bosnje-Hercegovinën
Pothuajse tridhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, Bosnje-Hercegovina (BH) është ende në njëfarë gjendjeje kome, dhe disa thonë se nuk ka pasur kurrë një krizë më të madhe që nga koha e luftës. Ky tekst nuk është retorikë politike e përditshme dhe nuk duhet interpretuar si i tillë, por është opinioni i një intelektuali të angazhuar, që ka interes të veçantë për të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe të gjithë qytetarët dhe popujt e këtij vendi, e veçanërisht për paqen në Bosje-Hercegovinë dhe në botë. Siç thotë shprehja e famshme: “Pa një Bosnje paqësore, nuk ka Evropë paqësore”. Bosnje-Hercegovina ka tashmë një shans më 21 mars 2024 për të filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që është vërtet fakti politik më i rëndësishëm që nga marrëveshja e Dejtonit.
Nuk ka zgjidhje ideale, por është e qartë për të gjithë se këtij lloj organizimi të subjekteve i ka kaluar koha dhe se diçka duhet ndryshuar dhe përmirësuar. Edhe arkitekti i Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995 - e cila e ndaloi luftën, dhe kjo duhet theksuar gjithnjë, sepse është akoma më e rëndësishmja - diplomati amerikan Richard Holbrook e ka thënë dhe shkruar se duhet të organizohet Dejtoni 2, që disa e refuzojnë apriori, dhe nuk duhet ta bëjnë këtë, sepse të kërkosh zgjidhjen më të mirë është ndoshta detyrim i të gjithë atyre që janë publikisht aktivë. Ky lloj i Bosnje-Hercegovinës nuk është funksional si shtet, nuk është në thelb i drejtë, sepse shumë nuk kanë të drejta të barabarta në të gjithë vendin dhe kjo nuk i siguron një të ardhme të mirë vetë vendit. Është me vend të kujtojmë një event që ishte shumë i rëndësishëm në kohën kur ndodhi, dhe propozimet e tij janë ende aktuale sot dhe, sipas të gjitha përcaktimeve, ofrojnë një zgjidhje më të mirë për organizimin e BH sesa ajo aktuale. Është në thelb modeli zviceran i kantonizimit të të gjithë Bosnje-Hercegovinës. Sidomos në kohën kur Bosnje-Hercegovina u bë e pavarur, Stjepan Kljuić tha se vendi duhej bërë si Zvicra.
Asgjë nuk është e lehtë të ndryshohet, por është e mundur të bëhet. Edhe Zvicra e sotme nuk u krijua lehtë, por nuk duhet të lodhemi dhe duhet të punojmë për ta arritur. Para së gjithash, na duhet vullneti i liderëve politikë dhe shumë punë nga ana e ekspertëve për të ndryshuar këtë model kushtetues për të kënaqur të gjithë qytetarët e BH-së, si dhe komunitetin ndërkombëtar. Ajo çka është e mirë nga kushtetuta e Zvicrës duhet të merret si model tërësisht. Fakti që shumë gjëra kanë ndryshuar që nga Marrëveshja e Dejtonit na tregon se ndryshimet janë të mundshme. Dhe kjo duhet të bëhet bashkërisht nga aktorë të ngjashëm me Dayton 1.
Komiteti Koordinues Kroat
Duhet ta sqarojmë të gjithë kontekstin, sepse në të kundërt, gjërat nuk mund të kuptohen siç duhet. Le të kujtojmë disa gjëra. Serbët e Bosnjës u rebeluan kundër pavarësisë së Bosnjës dhe Hercegovinës (referendumi i 1 marsit 1992) më pas së bashku me Jugosllavinë e cunguar (d.m.th. Serbinë dhe Malin e Zi) filluan një luftë në Bosnje-Hercegovinë. Siç dihet, konflikti mes Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO) dhe Ushtrisë (boshnjake) të Republikës së Bosnje-Hercegovinës (RBH) nisi në prill të vitit 1993. Ndërsa situata në Sarajevë dhe Bosnje-Hercegovinë u përkeqësua dhe u ndërlikua gjithnjë e më shumë, duke sjellë rrezikun e luftës totale dhe zhdukjes së kroatëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, organizatat kroate dhe katolike të Sarajevës u angazhuan për të shtypur konfliktin të paktën në Sarajevë dhe për të zgjidhur shumë çështje të hapura.
Duhet përmendur, sepse është e rëndësishme për të kuptuar më mirë tekstin, se Sarajeva jetonte nën rrethim të plotë, se nuk kishte energji elektrike dhe ujë për muaj të tërë dhe se në vitin 1993 ndihmat humanitare zakonisht ishin nga 200 gram oriz në javë. Për të paktën dy vite, pavarësisht luhatjeve të vogla, çmimi i një kilogrami oriz vërtitej te 60 DEM, sheqeri 50 - 60, një litër vaj 50, një kilogram kafe 120 DEM etj. Dhe më e keqja është se çdo ditë vdisnin njerëz kudo nëpër Bosnje-Hercegovinë, ndërsa fundi i luftës nuk dukej në horizont. Në gusht 1993, filloi krijimi i trupit koordinues të partive kroate, Kishës dhe HKD Napredak. Pas disa takimeve, më 10 shtator 1993, për shkak të rrezikut të konfliktit ndërmjet HVO-së dhe Ushtrisë së Republikës së Bonjës dhe Hercegovinës në Sarajevë, u themelua Komiteti Koordinues Kroat (HKO), i përbërë nga: Kryedioqeza e Vrhbosnisë (Rev. Nikola Lovriq), Provinca Françeskane. (At. Ljubo Lucić), Caritas (Rev. Franjo Tomić), Bashkësia Demokratike Kroate e qytetit të Sarajevës (Tomo Obrdalj), Partia Fshatare Kroate e BH (Ivo Komšić), Këshilli Kroat i Mbrojtjes nga Sarajeva (Slavko Zelić), HKD Napredak (Franjo Topić) dhe Dhoma e Tregtisë Kroate e Napredakut. Tvrtko Nevjestić, drejtues i Dhomës, u zgjodh kryetar, nënkryetar u zgjodh autori i këtyre rreshtave dhe Hrvoje Ištuk u zgjodh sekretar.
HKO ishte përfaqësuesi real dhe i autorizuar i të gjithë anëtarëve, gjë që mund të jetë fokusi i një studimi më të gjerë. Mbledhjet bëheshin shpesh, dhe nganjëherë përditë, në Seminarin Teologjik Vrhbosanska dhe në HKD Napredak, që vepronte në Seminarin Teologjik. Të gjitha vendimet dhe njoftimet janë marrë me konsensus, asnjëherë me forcën e numrave. Bisedimet u mbajtën me të gjithë faktorët e rëndësishëm vendas dhe ndërkombëtarë. Sipas pjesëmarrësve dhe dëshmitarëve të asaj kohe të vështirë, HKO luajti rol vendimtar në parandalimin e një konflikti midis Ushtrisë së RBH-së dhe HVO-së në Sarajevë, pavarësisht se disa donin që kjo të ndodhte dhe punuan për të në të dyja anët. Nëse do të kishte pasur një konflikt, shumë gjëra do të ishin komplikuar, jo vetëm në Sarajevë si kryeqytet, por edhe në të gjithë Bosnje-Hercegovinën.
Kuvendi i Kroatëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
HKO ishte organizatori dhe HKD Napredak mbështeti në aspektin logjistik Asamblenë e Kroatëve të BH në Sarajevë më 6 shkurt 1994, një ditë pas masakrës së tmerrshme në tregun Markale. Kuvendi miratoi dokumentet që ishin paraqitur edhe në negociatat e Gjenevës. Në këtë asamble, Këshilli Kombëtar Kroat (HNV) zgjodhi dr. Ivo Komshiq si kryetarin e parë të tij, dhe vijoi të punojë për qëllime dhe detyra të ngjashme me ato të HKO, por pa përfaqësimin zyrtar të organizatave dhe institucioneve të përmendura më parë, të cilat tashmë ishin zëvendësuar nga individë. Dr. Komshiq në librin e tij të kujtimeve flet shumë për HKO-në, HNV-në dhe Kuvendin. HKO luajti rolin e saj të rëndësishëm dhe, gjë që ndodh rrallë, u shkri vetë. Duhet thënë se Steve Bubalo, përveçse erdhi nga Amerika me gruan e tij, Pero Radieloviq dhe Valentino Ivankoviqin, ishte edhe donator i Kuvendit.
Në Kuvend morën pjesë shumë njerëz të shquar të jetës publike të Bosnje-Hercegovinës dhe Republikës së Kroacisë: Drago Stipac, anëtari legjendar i HSS-së, Vlado Gotovac, Miko Tripalo, Stipe Mesić, Zvonimir Šeparović, etj. Gjithashtu, Haris Silajdžić, pastaj Kryeministri i Qeverisë së RBH-së, Ejup Ganiq, anëtar i Presidencës së RBH-së, Miro Lazoviq, kryetar i Parlamentit të RBiH-së, peshkopi Pero Sudar (kryepeshkop Vinko Puljiq ishte jashtë vendit), Mariofil Ljubiq, nënkryetar i Parlamentit të RBH-së, etj. Siç ka shkruar dikush: e gjithë inteligjenca dhe artistët kroatë ishin të pranishëm. Në Asamble morën pjesë ambasadorë të ndryshëm dhe përfaqësues ndërkombëtarë të kryesuar nga ambasadori amerikan Victor Jackovich dhe francezi Henry Jacolin, pjesëmarrja e të cilit kishte rëndësi të veçantë duke qenë se UNPROFOR-i francez kontrollonte aeroportin e Sarajevës dhe kryesisht të gjithë Sarajevën. Një rol të rëndësishëm luajti edhe Sergio de Mello, përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara, i cili mundësoi ardhjen e rreth njëqind personave me avionë të OKB-së nga Zagrebi, Spliti dhe Frankfurt, që në atë kohë ishte një mision jo i lehtë sepse edhe ministrat nuk mund të merrnin kollaj leje për ato fluturime.
Çfarë arriti Kuvendi
Kuvendi dhe rezultatet e tij u pritën me padurim nga shumë politikanë vendas dhe të huaj.
Propozimi bazë ishte që Bosnja dhe Hercegovina të organizoheshin sipas modelit zviceran në dhjetë kantone, tre kroate (Posavina, Travnik dhe Hercegovina), tre serbe dhe tre boshnjake, dhe Sarajeva si prefekturë. Dokumentet dhe qëndrimet e Kuvendit ndikuan ndjeshëm në ndërprerjen e konfliktit mes Ushtrisë së RBH-së dhe HVO-së dhe përfundimit të Marrëveshjes së Uashington-it, e cila i dha fund njëherë e mirë konfliktit mes HVO-së dhe Ushtrisë së RBH-së, d.m.th., boshnjakëve dhe kroatëve, dhe u bë baza për themelimin e Federatës Kroato-Boshnjake. Po të mos ishte Kuvendi, do të kishte ndodhur një masakër e përmasave të paprecedenta në luginën e Lasvës. Sipas vëzhguesve të huaj, në luginën e rrethuar të Lasvës ishin rreth 30 000 ushtarë të Ushtrisë së RBH-së. Sikur Bosnja Qendrore të kishte rënë, pyetja është nëse do të kishte Bosnjë dhe Hercegovinë sot?
Politikani dhe publicisti i Zagrebit, Slavko Goldstein, rrëfen se ky Kuvend solli në publikun kroat "një frymë optimizmi pothuajse të harruar". Peter Galbraith, ambasadori amerikan në Kroaci në atë kohë, pohoi: "Ishte gjithashtu e rëndësishme që një grup kroatësh u shfaqën me propozime të ndryshme... Kështu që Kuvendi në Sarajevë është shumë i rëndësishëm... Gjithashtu për diskutimin e hartave, idetë e tyre në lidhje me të ishin veçanërisht të rëndësishme. Ato ishin baza (për diskutimin pas krijimit të federatës). Ato gjithashtu i dhanë rëndësi çështjes së Posavinës, që nuk ishte rasti në diskutimet e mëparshme".
Deklarata e Kuvendit
Deklarata e Kuvendit përmbante këto pika:
Integriteti shtetëror i BH është interes jetik i popullit kroat;
Ndërprerja urgjente dhe absolute e të gjitha aktiviteteve të luftës;
Në BH duhet të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit në shtet të të tre popujve dhe të garantohen të drejtat e tyre të barabarta;
Refuzohet çdo zgjidhje për krizën në BH që sanksionon persekutimin etnik dhe mundëson vazhdimin e spastrimit etnik;
Kërkohet kthimi i të gjithë të internuarve dhe refugjatëve në shtëpitë e tyre;
Propozohet të organizohet BH në mënyrë federale mbi një bazë kantonale.
A nuk do të ishte kjo marrëveshje më e mirë se ajo që kemi sot? Me dy entitetet ekzistuese, BH nuk ka një të ardhme të mirë dhe normale, siç e shohim çdo ditë. Edhe në negociatat aktuale, ka shumë koncepte praktikisht të kundërta: njëri ekskluzivisht etnik dhe tjetri ekskluzivisht "civil". Duhet sqaruar sepse shpesh ka konfuzion për këtë term: në kuptimin politik, civil në këtë kontekst do të thotë një individ - një votë, që është e papranueshme për këtë vend shumëkombësh. Subjektet janë praktikisht shtete "të pavarura" dhe vështirë se mund të funksionojnë në mënyrë solide së bashku. Një nga argumentet kryesore të disa nga prej përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar se pse entiteti Republika Srpska nuk ka nevojë të reformohet, është se ai po funksionon. Funksionimi është një argument shumë i rëndësishëm, por nuk është i mjaftueshëm, as i vetmi, sepse edhe Koreja e Veriut po funksionon – sigurisht, nuk po e krahasojmë entitetin Republika Srpska apo Bosnje-Hercegovinën me Korenë e Veriut.
Demokraci e kombinuar
Bosnja dhe Hercegovina duhet të organizohen, në opinionin tonë, mbi parimin e "demokracisë së kombinuar", d.m.th të garantohen të drejtat personale dhe kombëtare. Elementi kombëtar do të jetë i rëndësishëm këtu për një kohë të gjatë dhe nuk duhet të largohemi prej tij. Presidenca e BH dhe Dhoma e Popullit e BH sigurojnë barazi simbolike në nivel shtetëror, dhe kantonet sigurojnë të drejtat kombëtare në terren: arsimin, kulturën etj. Duhet t’i bëhet e mundur çdo njeriu të zgjedhë anëtarin e vet në Presidencën e BH-së, ekspertët duhet ta zgjidhin këtë në mënyrë që të mos jetë në dëm të kroatëve apo të gjithë BH-së. Është një argument joserioz nëse themi se kjo është një ndarje e mëtejshme e BH, sikur të mos ishte ndarë përgjysmë! Dhe shumë as nuk e përmendin këtë ndarje të madhe. Pse? E kemi përmendur tashmë se Komuniteti Ndërkombëtar (aktorët vendas nuk deshën dhe nuk mundën) bëri gjënë më të rëndësishme kur ndali luftën. Por kjo nuk mjafton, tani ne duhet të organizojmë Dayton 2 – ta përsërisim – për ta bërë vendin sa më funksional, të drejtë dhe të lirë. Është e qartë se politikanët vendas janë përgjegjësit kryesorë dhe se ata duhet të gjejnë një zgjidhje të mirë kompromisi.
Kur disa kritikojnë komunitetin ndërkombëtar, ata nuk duhet të harrojnë se edhe tani pa Komunitetin Ndërkombëtar, jeta do të ishte më e vështirë. Kush i pengon liderët vendas të arrijnë një marrëveshje dhe ta lënë komunitetin ndërkombëtar pa punë? Shpesh harrohet se pa praninë e komunitetit ndërkombëtar do të kishte shumë më pak investime të huaja. Por më kot ndërkombëtarët thonë se politikanët vendas duhet të arrijnë një marrëveshje. Nëse do të donin dhe do të kishin mundësi, do ta kishin bërë me kohë
Bashkësia ndërkombëtare është gjithashtu bashkëpërgjegjëse sepse bashkë-krijoi Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe është bashkëpërgjegjëse edhe për funksionimin dhe përmirësimin e saj. Dhe është përgjegjësi e liderëve lokalë dhe e Komunitetit Ndërkombëtar të sigurojnë që konfliktet të mos lindin këtu, pasi ato në thelb përgatiten me argumente të vazhdueshme. Paqja është vepër e drejtësisë dhe nuk ka çmim. E përsëris edhe një herë: Paqja nuk është gjithçka, por pa paqe gjithçka është asgjë!
Shpresoj dhe dëshiroj që në tekstin e ardhshëm, Bosnja dhe Hercegovina të nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
___________
*Mons.prof.dr. Franjo Topić ka kryer studimet filozofike dhe teologjike në Teologjinë Katolike Vrhbosna në Sarajevë. Ai ka mbrojtur titullin doktor në Universitetin Papnor Gregorian në Romë në vitin 1978.
Profesor i teologjisë dhe anëtar i këshillave të ndryshëm të kishës dhe komiteteve të komunitetit, Topić ka botuar shkrime në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Në vitin 1995, ai mori çmimin ndërkombëtar "Titus Brandsma" nga Unioni Katolik Ndërkombëtar i Shtypit /UCIP/ me motivacionin " në botimet e tij në kushte jashtëzakonisht të vështira ka rritur të avokojë për ruajtjen e humanitetit dhe shpirtit të krishterë".
Ai ka qenë kryetar i Shoqërisë Kulturore Kroate “Napredak” që nga riaktivizimi i saj në vitin 1990, dhe tani është president nderi i “Napredak” dhe kryetar nderi i Unionit Pan-Evropian të Bosnjë-Hercegovinës. Ai është anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.
Përkthimi: Gazmira Sokoli
Add new comment