Proces gjyqësor në Zvicër për masakrën e Hamës në 1982
Ish-zv.presidenti sirian, Rifaat al-Assad, do të vihet nën akuzë në Zvicër. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës (OAG) njoftoi se do të ngrejë akuza ndaj ish-oficerit të ushtrisë siriane, për disa krime që mendohet se janë kryer në shkurt 1982, gjatë një përleshjeje famëkeqe midis ushtrisë siriane dhe opozitës islamike në qytetin e Hamës, në Sirinë perëndimore.
Al-Assad është xhaxhai i presidentit aktual të Sirisë, Bashar al-Assad.
"Krimet e tij të luftës dhe krimet kundër njerëzimit janë kryer në cilësinë e tij si komandant i brigadave të mbrojtjes ... dhe komandant i operacioneve në Hama, në Sirinë qendrore. Ato u zhvilluan brenda kontekstit të konfliktit të armatosur dhe sulmit të përhapur dhe sistematik të nisur kundër popullsisë së qytetit të Hamas", thuhet në deklaratën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës.
Forcat siriane të sigurisë u vendosën në Hama në fillim të shkurtit 1982 për të shtypur një kryengritje nga opozita islamike dhe operacioni supozohet se përfundoi në fund të të njëjtit muaj.
“Disa mijëra civilë dyshohet se ishin viktima të abuzimeve të ndryshme, duke filluar nga ekzekutimi i menjëhershëm deri te ndalimi dhe tortura në qendrat e krijuara posaçërisht", tha ai.
Sipas aktakuzës, konflikti i armatosur në fjalë vlerësohet të ketë shkaktuar nga 3 000 deri në 60 000 të vdekur në Hama, shumica prej tyre civilë.
Procedimi penal në Zvicër u nis nën të ashtuquajturin juridiksion ndërkombëtar, i cili u lejon vendeve të ndjekin penalisht krimet e supozuara kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe gjenocidin, pavarësisht se ku janë kryer.
Mbetet e pamundur që i pandehuri, i cili së fundmi u kthye në Siri pas 37 vitesh në mërgim, të paraqitet personalisht në gjyq, për të cilin ende nuk është caktuar një datë.
Por prania e tij mund të mos jetë e nevojshme: ligji zviceran lejon gjykime në mungesë në kushte të caktuara.
Rifaat al-Assad, prej kohësh një shtyllë e regjimit në Damask, u detyrua të mërgonte në vitin 1984 pas një përpjekjeje të dështuar për të rrëzuar nga pushteti vëllain e tij, presidentin e ndjerë Hafez al-Assad.
Add new comment