"Amerika po përballet me një rend botëror gjithnjë e më të brishtë"
Amerika po përballet me një "rend botëror gjithnjë e më të brishtë", të tensionuar nga konkurrenca e fuqive të mëdha, sfidat transnacionale dhe konfliktet rajonale. Ky është konkluzioni i agjencive amerikane të inteligjencës në një raport të përbashkët, mbi gjetjet e të cilit raportuan në Senat.
"Një Kinë ambicioze, por e shqetësuar, një Rusi konfrontuese, disa fuqi rajonale, si Irani, dhe aktorë joshtetërorë më të aftë po sfidojnë rregullat e vjetra të sistemit ndërkombëtar, si dhe primatin e SHBA brenda tij," thuhet në Raportin e përvitshëm për Vlerësimin e Kërcënimit.
Raporti fokusohet kryesisht në kërcënimet nga Kina dhe Rusia, rivalët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara, më shumë se dy vjet pasi Rusia nisi pushtimin në Ukrainë, si dhe vë në dukje rreziqet e konfliktit më të gjerë në lidhje me fushatën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza që nga sulmet e 7 tetorit.
Kina po ofron ndihmë ekonomike dhe sigurie për Rusinë ndërsa ajo po zhvillon luftë në Ukrainë, duke mbështetur bazën industriale të Rusisë, thuhet në raport.
"Tregtia midis Kinës dhe Rusisë është rritur që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe eksportet (kineze) të mallrave me përdorim të mundshëm ushtarak u rritën më shumë se trefish që nga viti 2022", tha ai.
Avril Haines, drejtori i inteligjencës kombëtare, u kërkoi ligjvënësve të miratojnë rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Ajo tha se ishte "e vështirë të imagjinohej se si Ukraina" mund të mbante territorin që ka rimarrë nga Rusia pa më shumë ndihmë nga Uashingtoni.
Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, William Burns, tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk ishte serioz në negocimin e përfundimit të konfliktit, pavarësisht nga pasojat ekonomike "çka e bën Rusinë vasalin ekonomik të Kinës".
Add new comment