Beteja e komuniteteve me qeverinë dhe klientët e saj
Prej disa javësh tashmë është duke u zhvilluar një protestë e banorëve të zonave të Lumit të Vlorës për ndërtimin e një ujësjellësi që do të çojë ujin në Himarë. Përmes disa kronikave televizive mund të shihen banorë të zonës që paralajmërojnë përshkallëzim të protestës dhe se përmes këtij ujësjellësi do të cenohet e gjithë zona. Në vitin 2022, në të njëjtën zonë pati një tjetër reagim - atëkohë për ndërtimin e katër hidrocentraleve në lumin në fjalë – duke sinjalizuar kështu për interesa të mëdha që lobojnë për pasuritë e zonës.
Ky është episodi i radhës që ka të bëjë me mënyrën sesi jepet e drejta për shfrytëzim të pasurive të përbashkëta, ose që klasifikohen të tilla. Nga Valbona, në Gramsh e Kuçovë dhe Nartë, probleme të kësaj natyre po shfaqen e rishfaqen në mënyrë të përsëritur. Më kryesori ishte menaxhimi i lumit të Vjosës, që erdhi e mori vlerë si lajm ndërkombëtar pas lobimit dhe interesimit të një sërë aktorëve me ndikim që detyruan qeverinë shqiptare të inskeonte një teatër ligjor dhe politik të mbrojtjes së tij.
Problemi që nxjerr krye këtu është simptomë e zhvillimit të vendit, sidomos zhvendosjeve demografike dhe krijimit të poleve të reja. Pakkush mund të mendonte të investonte në ujësjellësin në fjalë, nëse Riviera nuk do të kishte marrë këtë zhvillim. Ajo që përbën problem është mënyra sesi disa aktorë imponojnë projektet e veta, duke arritur të penetrojnë institucionet në kurriz të një komuniteti.
Komunitet që mund të mos ketë sot rëndësinë ekonomike që ka patur dikur, as edhe numrin dhe kohezionin e duhur, por që në finale nuk mund të trajtohet si komunitet nostaligjikësh.
Qasja që sidomos qeveria e tanishme po aplikon me pronën publike dhe zhvillimin, shfrytëzimin e burimeve, për të ardhur deri te cenimi i kufijve të zonave të mbrojtura, ka krijuar një korsi përshpejtimi edhe mbi ligjin, por edhe mbi interesin publik dhe atë komunitar. Kjo pasi vetë komunitetet nuk dinë dhe nuk kanë forcën e duhur për t’u llogaritur si aktorë me peshë në vendimmarrje dhe deri më sot kanë shpërdoruar votën e tyre për interesa të partive që veprojnë mandej në këtë formë.
Protesta si këto janë shenja të kristalizimit të nevojës për komunitete të qëndrueshme, të cilat aktualisht po shfaqen si të vetmit agjentë konservatorë të trashëgimisë, ndërkohë që nga pushteti qendror veprohet me frymën e prishjes së status quosë në emër të projekteve që vetëm transparencë nuk kanë. Dhe këto projekte i japin akses në burime dhe fitim vetëm një grupi, duke injoruar një entitet të tërë. Mjafton të shihet saga e pronave për ta kuptuar mirë se çfarë po ndodh dhe çfarë ka ndodhur, ndërkohë që me vendime si ky i Lumit të Vlorës – pavarësisht se qeveria është legjitime të shfrytëzojë burimet natyrore – sinjalizohet një betejë e re që do të ketë ndikime në të ardhmen për sa i përket demografisë dhe vijueshmërisë së krahinave.
Comments
Eshte e kote. Kam ndjekur ne
Eshte e kote. Kam ndjekur ne televizor intervistat qe jane bere me protestues te ndryshem. Gjuha e tyre eshte e stermbushur me terma dhe shprehje te "shqipes totalitare". Eshte krejt e kote. Ata ankohen; i ankohen udheheqesit, i ankohen Edi Rames; menyra sesi i ankohen, te kujton menjehere ate batuten e njohur te Rames me njerez qe hane dardha dhe kumbulla pas shpines se tij! Ne thelb ankesat e ketyre protestuesve mund te permblidhen pak a shume keshtu: zoti Rama, ne ta kemi dhene voten, ti je kryeministri tone, por disa te korruptuar ( qe hane pas shpines tende!) po na bien me qafe ketu poshte... prandaj merr masa qe t'i rregullosh gjerat!
Jo vetem kjo proteste, por edhe te tjera te ngjashme te bera keto, vecanerisht ne Jug te vendit, te lene te njejten shije: Zoti ( shoku!) ti je djali tone, qeveria eshte tona, ne voten jua kemi dhene (nenkupto edhe: do jua japim prape) , por mos na bini shume ne qafe!
Dhe kulmi i groteskut eshte qe keto intervista transmetohen ne televizionin e Cim Pekes!
Imagjino tani, te vetmet protesta qytetare qe gjen te transmetoje televizioni i vetem opozitar, por edhe me politike redaksionale te djathte dhe qe anatemohet si "televizioni i Berishes", jane keto te popullit te shkerbythur nga indoktrimini i diktatures se dikurshme!
Eshte e kote. Gjithcka eshte e kote. Edhe shpresa eshte e kote.
Add new comment