Riaktivizohen grupet guerrile në Greqi
Dhjetë persona janë nën akuzë për terrorizëm në Greqi, pas një seri sulmesh me bomba dhe granata dore, mes të cilëve edhe një shpërthim me bombë, i planifikuar për t’u kryer në Gjykatën e Selanikut.
Katër prej të akuzuarve janë në burg për krime të tjera, ndërsa jashtë janë vënë rishtas në pranga, raportojnë mediat greke.
Policia njoftoi se ka konfiskuar armë, eksplozivë, telefona celularë dhe pajisje të tjera elektronike pasi bastisi nëntë apartamente dhe tre qeli burgu.
Të arrestuarit lidhen me grupin “Sympraxi Ekdikisis” (Aleanca për Hakmarrje), i cili ka marrë përgjegjësinë për tre akte terroriste përmes një faqeje anti-establishment në internet.
Fjala është për sulmin me granatë ndaj një oficeri burgu në Haidari, në korrik 2023, një sulm me bombë ndaj një kompanie ndërtimi në Kifissia në nëntor 2023 dhe shpërthimin e një bombe në ndërtesën e Bankës Kombëtare në Petrolana, në 25 janar 2024 dhe sulmin e planifikuar në Selanik për në fillim të shkurtit.
Javën e kaluar, në një deklaratë të publikuar në faqen Athens Indymedia, grupi mori përgjegjësinë për bombën e improvizuar dhe paralajmëroi për më shumë sulme kundër prokurorëve, policisë dhe gjyqtarëve.
Zyrtarët në Greqi ia kanë frikën një ringjalljeje të terrorizmit në vend. Në fillim të këtij muaji, një bombë shpërtheu në zemër të Athinës në Ministrinë e Punës.
Fillimisht, policia dyshoi se bomba që shpërtheu herët në mëngjes kishte për qëllim të shkatërronte një bankë në rrugën Stadiou. Megjithatë, hetimet e mëtejshme zbuluan se objektivi në të vërtetë kishte qenë ndërtesa e qeverisë në anën e kundërt të rrugës.
Ekspertët e sigurisë thonë se bombardimi është pjesë e një plani të organizuar dhe të gjerë për të përdorur taktikat guerile urbane në kryeqytetin e Greqisë.
Add new comment