Kurz shpallet fajtor, gënjeu Parlamentin austriak
Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz, u shpall fajtor për deklarata të rreme para një komisioni hetimor parlamentar, një vendim që e zbeh akoma më tej figurën e atij që dikur shihej si e ardhmja e konservatorizmit evropian.
Kurz, 37 vjeç, u dënua me tetë muaj me kusht, me akuzën se ka gënjyer para parlamentit nën betim, në vitin 2020, kohë kur ishte kryeministër. Ish-kancelari deklaroi se do ta apelojë vendimin, pasi konsideron se nuk ka bërë asgjë të paligjshme.
Kurz nuk ka gjasa të rikthehet në politikë, ai punon aktualisht si konsulent në sektorin privat.
Suksesi i tij në krye të Partisë Popullore Austriake e bëri atë pak vite më parë kryeministrin më të ri të Europës.
Ngritja e tij nga një lider i panjohur i të rinjve në një yll politik ndërkombëtar dhe kancelar kur ishte vetëm 30 vjeç përfundoi papritur në tetor 2021, kohë kur u detyrua të jepte dorëheqjen pas akuzave për korrupsion.
Kurz u akuzua se kishte dhënë dëshmi të rreme përpara një komisioni të posaçëm që hetonte nëse ai luajti rol në zgjedhjen e një drejtuesi të ri dhe anëtarëve të bordit për kompaninë shtetërore të njohur si ÖBAG.
Kurz këmbënguli se nuk kishte pasur rol të drejtpërdrejtë, por mesazhet e shkëmbyera midis ish-kancelarit, ndihmësve të tij dhe bashkëpunëtorëve të tjerë që më pas dolën në dritë sugjeronin të kundërtën.
Prokurorët dyshojnë se Kurz ka keqpërdorur fondet publike për të paguar për sondazhet e kryera të opinionit publik, megjithëse ër këtë nuk është ngritur akuzë.
Që nga dorëheqja si kancelar, Kurz ka punuar si konsulent për investitorin e Silicon Valley, Peter Thiel dhe ka hapur një firmë të sigurisë kibernetike në Izrael me Shalev Hulio, njëri prej bashkëthemeluesit e kompanisë pas softuerit spiun Pegasus.
Add new comment