Një vend i BE-së që emigron i gjithi në Europë!!!

Postuar në 23 Shkurt, 2024 15:44

Pak pas miratimit në Parlament të marrëveshjes për pranimin e imigrantëve nga Itali, kryeministri Edi Rama ka dal me një koment në tuitter, përmes të cilit ka afishuar fletën e lavdërimit për veten:

Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit kundër migracionit të paligjshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë! Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë duke zgjedhur të veprojë si një vend anëtar i BE-së dhe duke rënë dakord të ndajë një barrë që Europa duhet të përballojë e bashkuar si një familje e tërë përballë një sfide të guximshme që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta. Duke punuar së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, në vend që ta përdorni këtë çështje si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që vetëm sa rrit ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt

Mirëpo ne mund të pyesim: cili Kuvend e ratifikoi marrëveshjen? Pa kush ndonjë diskutim, ndonjë pyetje, propozim për amendim? Dëgjoi kush ndonjë deputet të flasë për dispozitat konkrete, për të drejtat e njeriut? Jo. Kukullat e dyllit që janë elita e këtij vendi janë aty jo për kokën, por për dorën, të cilën e ulin dhe e ngrenë sa herë e kërkon europiani me pasqyrat si hajmali.

Që mandej e merr këtë letër bakalli që quhet ligj dhe e shpall si ushtrim përgjegjësie të një shteti që po di të sillet si vend anëtar i BE-së. Zotëria po dëshmon këto kohë një përçmim të tejskajshëm për këdo që flet shqip, pasi sillet e flet duke nënkuptuar se ka përballë vetëm budallenj që nuk kuptojnë. Flet e mburret me letra bakalli miratuar nga shushunjat me imunitet që quhen deputetë, ndërkohë që vendi që ai i qeveris vetëm po zbrazet. Mburrja e këtij gallofi politik është e kotë megjithatë.

Dje, në të njëjtën ditë kur kuvlia legjislative e Shqipërisë i jepte Edi Ramës letrën higjenike që i duhet për të shpallur rol europian kundër imigracionit, Parlamenti gjerman rrëzonte një kërkesë të opozitës për furnizimin e Ukrainës me sistemet “Taurus”. Kancelari Olaf Scholz i ka rezistuar presionit të brendshëm dhe të jashtëm duke iu druajtur një përshkallëzimi ndërkombëtar të konfliktit, pasi sistemet në fjalë janë në gjendje të godasin edhe territorin rus.

Si u soll Gjermania e Scholz? Si vend jo europian, pasi stafetën ia ka marrë Shqipëria e Edi Ramës? Dhe cili vend europian po mban barrën e imigracionit illegal, kur Italia ka dekada që kërkon rishikimin e traktatit të BE-së për këtë çështje dhe zgjidhjen e çështjes së kuotave?

Vendet anëtare të BE-së po e zgjidhin imigracionin duke gjetur shtete si Shqipëria, jashtë territorit të vet për të paguar mbajtjen e imigrantëve në mënyrë që të shkurajohet hyrja në union, një qasje kjo ksenofobe, jo-sociale dhe që e nxjerr lakuriq BE-në për pretendimet e veta për të drejtat e njeriut. Është kjo BE e sotme që lejon cirkun politik ku marrin pjesë edhe përfaqësues që mundet të kenë ndonjë kontribut minimal, por që përpiqen të luajnë si violin e parë në emër të një vendi që po emigron vetë i gjithi.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.