Perëndimi nuk do më fitore në Ukrainë

Postuar në 22 Shkurt, 2024 17:54

Rënia e qytetit të Avdiivkas, në kontrollin ukrainas që nga viti 2014, ka vënë në pikëpyetje mundësinë që Ukraina si e tërë të shihet eventualisht e pushtueshme nga Vladimir Putin. Megjithë ndihmat miliardëshe, megjithë sanksionet, asgjë nuk duket të ketë funksionuar siç pritej. Pyetja pse, ka nisur të jetë përherë e më akute, pas në qarqet e atyre që analizojnë çështje të sigurisë, Ukraina shihet si muri i parë në ortekun rus.

Sa e vërtetë është kjo? Askush nuk mund ta dijë, sikundër askush nuk diti të thoshte gjë më siguri në ditët para 24 shkurtit 2022, kur Putin urdhëroi nisjen e operacionit special ushtarak në Ukrainë. Megjithatë qasja e Perëndimit është evidente se ka dëshmur deficite të mëdha. Në një shkrim në “Politico” vlerësohet se në fillim të konfliktit, Biden dhe Scholz u dakordësuan për një mbështetje graduale të Ukrainës me synim kryesor shmangien e konfliktit bërthamor.

Kishte frikë në administratat amerikane dhe gjermane rreth mundësisë së një konfrontimi bërthamor. Kjo frikë ishte shumë e madhe në fillim. Ajo përcaktoi përgjigjen e botës ndaj konfliktit

citon “Politico” një diplomat të lartë europian.

Mjafton fakti se media në fjalë ka numëruar se Putin përmendi Poloninë 12 herë në intervistën e tij me Tucker Carlson për të kuptuar se në ç’masë vepron frika. Gazeta vë në dukje se në vendet në afërsi të Rusisë po dominon “dëshpërimi dhe dorëzimi” çka po çon në përgatitje për skenarë që do të ishin përqeshur si paranojë e Luftës së Ftohtë pak kohë më parë. Mirëpo këtë tashmë po e përcakton teatri i luftimeve, aty ku Rusia është më komode se në çdo fushë tjetër. Dhe gjuha e kërcënimeve duket se ka dhënë efekte shumë të larta.

Ne e dimë se Putin i tha Boris Johnson se mund ta godiste Britaninë për pesë minuta. Nëse këtë ia bëri Johnsonit, mundet fare mirë t’ia ketë bërë edhe Biden-it. Ka patur spekullime dhe informacione mbi kërcënime direkte edhe ndaj Scholz

citon “Politico” dy kërkues të Institutit Finlandez për Çështje Ndërkombëtare.

Frika ka shoqëruar çdo hap të Perëndimit, çka kulmoi me debatin e madh për furnizimin me tanke të Ukrainës. Ngadalësia në veprim shihet edhe tani kur Perëndimi ende po heziton të përdorë 300 miliardë asete të ngrira të Rusisë për të furnizuar Ukrainë. Megjithatë sipas analistëve perëndimorë u desh vdekja e Navalnyt dhe dyshimet se aty ka dorë presidenti rus që Gjermania dhe SHBA të përshpejtojnë veprimet për dorëzimin e sistemeve "Taurus" dhe "ATACMS".

Rezultati I dy viteve përballje ka prodhuar në të vërtetë një problem të ri: shtrimin për diskutim të aftësisë së lidershipit perëndimor për t’u marrë me një luftë të tillë. Që nënkupton shumë, më shumë nga sa mendohet për Perëndimin. Diplomat në Europë po vënë në dukje se Biden dhe Scholz janë njerëz të formuar gjatë Luftës së Ftohtë, me frikën e armagedonit bërthamor, ndërkohë që Biden ka qenë përherë kundër ndërhyrjeve. Edhe kaq mendohet se ata kanë bërë shumë në krahasim me atë që përfaqësojnë dhe besimet politike që ndajnë.

Mirëpo këtu vjen në vështrim edhe puna apo roli i këshilltarëve që shpesh prezantohen si zgjedhja më e mirë: Jake Sullivan i Biden dhe Schmidt dhe Jens Plotner të Scholz, të tre me ndikim në vendimet e shefave të vet.

Sullivan përshkruhet si shumë inteligjent, jo me shumë përvojë në sigurinë kombëtare, në fund fare i orientuar nga karriera dhe pak si me mangësi në inteligjencën emocionale. Schmidt nuk ndahet nga Scholz, “shumë i kujdesshëm”, “në thelb i tmerruar nga Rusia”, “jo dhe aq ekspert në politikën e jashtme sa mendon se është” që nuk bindet nga narrative se një sulm mbi Ukrainës është një sulm mbi të gjithë ne

shkruan “Politico”.

Që vazhdon duke cituar Hunter Christie se:

Të dy këta, Sullivan dhe Shmidt prodhuan idenë se Rusia do të shkurajohej. Kjo mund të ketë shmangur luftën bërthamore, porn a ka vënë ne në kurth mes dy rezultateve jo-optimale: një luftë më e madhe me Rusinë apo kolapsi i Ukrainës që do të ishte një shok, poshtërim dhe demonstrim i dobësisë perëndimore

Ndikimi i njerëzve të tillë në vendimmarrje ka kaluar pa u vënë re dhe ka lëvizur poshtë idesë entuziaste të “unitetit perëndimor”, mirëpo pak e nga pak, sikurse gabumet e Rusisë provuan korrupsionin e saj, edhe gabimet e Perëndimit po dëshmojnë se qendrat e mëdha të tij janë tanimë të shkëputura nga kontrolli efektiv dhe i përgjigjen më shumë nevojave personale të njërit apo tjetrit. Nga ana tjetër në plan shtetesh, pavarësisht dinamizmit të Britanisë dhe veneve balltike, apo Polonisë, ka qenë aleanca Biden-Scholz, me qasjen e rritjes graduale dhe shmangies së luftës bërthamore që ka përcaktuar strategjinë e Perëndimit në Ukrainë që konsiston në mbrojtje. Apo që u bë strategji veprim rrugës, të cilës i mungon fare vizioni.

Nuk ka strategji. Gjërat thjesht po ndodhin. Më vonë është e thjeshtë të thuhet se ishte strategji, kjo ishte e gjitha pjesë e një plani. Por ky nuk ka qenë rasti…Ka sllogane. Për aq sa zgjat, Rusia nuk mund të fitojë

citon gazeta diplomatë europianë.

Më tej akoma, në Perëndim ka fraksione që duan të rikthehen në biznes me Rusinë, çka shpjegon p.sh pse asetet e ngrira të Rusisë në Gjermani nuk konfiskohen. Të gjithë elementë të një instinkti për marrëveshje me Putinin, sesa vendosmërie për të fituar.

Nuk do të ketë paqe të diktuar nga Putin

citohet Shcholz në konferencën e Mynihut, të cilën “Putin e sabotoi me vdekjen e Navalnyt”. Dhe kjo është një strategji për të ruajtur status quonë, asgjë më shumë sesa shprehje e dobësisë së Perëndimit.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.