Duke parë "analistët" e liçencuar

Postuar në 20 Shkurt, 2024 16:53
Skerdilajd Zaimi

 

Nëse i hedh një sy diskutimeve që bëhen në mediat e Tiranës për Kosovën mund të vëresh se ndaj Albin Kurtit ka një sulm të vazhdueshmë dhe të pandërprerë që tejkalon të gjithë artilierinë opozitare ndaj tij në Prishtinë. Korit anti-Kurti dhe anti-Vetëvendosje i është bashkuar po nga Tirana edhe një gazetar të themi, aop analist a ça të duam e quajmë si Baton Haxhiu. Tirana pra është selia më komode e të gjithë atyre që shfryjnë ditë e natë ndaj kryeministrit të Kosovës.

Nëse lexon ato çfarë thonë, mundet të shohësh se meraku kryesor që qëndron pas këtij sulmi frontal është karshillëku që Kurti i bën Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë. E maskuar pas hallit kombëtar që këta gazetarë kanë për shqiptarizmën, pra prishjen e supozuar të Kurtit me Pernëdimin, kjo goditje në të vërtetë shërben si proxy politikë e Edi Ramës ndaj rivalit të tij në botën shqiptare.

Zoti Rama është një karabush në thelbin e vet dhe ai duke besuar verbërisht te aftësia e tij për marketing, e kaloi vitin e kaluar në përplasje mediatike dhe publike me kryeministrin e Kosovës ndaj të cilit humbi. Humbi në kuptimin se paralajmërimet e tij nuk qëllua në shenjë, as u konfirmuan, dhe Serbia u detyrua të gëlltisë gabime të nëjpasnjëshme të vetat, të cilat përndryshe mund të kishin realizuar atë që është edhe synimi i tanishëm i Tiranës zyrtare: izolimin ndërkombëtar të Prishtinës zyrtare. Mirë apo keq, Kosova arriti disa fitore në aspektin e sigurisë dhe të autoritetit, ndonëse Kurti padyshim ka humbur disa miq në Perëndim, të cilët me siguri nuk do të mund t’i bënte dot realisht miq.

Kështu z. Rama ia la vendin e sulmit analistëve të vet, apo atyre që për koincidencë mendojnë si ai, dhe thonë atë që ai nuk do donte ta thoshte. P.sh askush nuk mund ta mendonte muaj më parë se Edi Rama do të deklaronte se për dinarin Kosova ka të drejtë. Por z. Rama nuk hyri në atë debat, për t’i laën këtë shpenzim energjie analistëve që kanë uzurpuar ekranet duke përsëritur të njëjta gjëra.

I lexon vijimësisht dhe sheh se i njëjti mendim dominon, mendim që përmblidhet në të vërtetën absolute: Rama nuk gabon. Të tjerët po.

Albin Kurti po vetë-izolohet, Kosova nuk e Meriton – shkruan(këtë titull i nxjerrin portalet për të qenë korrekt) një nga këta më virtuozët në korrik 2023. Pastaj në shkurt të këtij viti: Albin Kurti po e fut Kosovën në përplajse me Perëndimin. Ose edhe dje: Kurti votoi kundër Ramës, edhe pse e dinte që do të fitonte.

Ky quhet analist në Shqipëri. Mirëpo cili tagër ta jep këtë titull kur rezultati i analizës është përherë i njëjti? Pra që të gjithë ata që shprehen kundër kryeministrit janë ose të pamend, ose kundër Shqipërisë?

Ka një dallim mes analistit dhe zëdhënësit. Analisti supozohet se merr në shqyrtim objektiv, por edhe moral, vendimet e një enti publik, apo një zyrtari, për të interpretuar synimet e tyre dhe motivimet, në mënyrë që opinioni publik të sqarohet. Analisti në Shqipëri ka gjetur një krah dhe është aty konseguent. Jo ndaj një ideje, por ndaj një pushteti. Ky nuk është as zëdhënës, sepse zëdhënësi me përkufizim përcjell qëndrimet zyrtare duke mos kaluar në komente.

Analisti i llojit që shohim dallon nga zëdhënësi i mirëfilltë; të duket si ata apostujt e hershëm që përhapnin “fjalën e mirë” të ardhjes së Mesias në botë. Mirëpo edhe këtu ka një diferencë: apostujt ishin dëshmitarë të Krishtit, e jetuan veprën e tij dhe mandej në besim të plotë të Fjalës, Rrugës dhe Dritës u nisën ta përhapnin Lajmin. Në lirinë e plotë të një subjekti që beson sepse ka kuptuar dhe kupton pasi ka besuar, apostulli e krijon i pari grigjën për ta kaluar Mesian si autoritet mbi të cilin dëshmon dhe e riinterpreton atë për një shoqëri që sa vjen dhe ndryshon.

Apostujt e këtij pushteti, vetëm Fjalën kanë si atu të tyre, as grigjën, as besimin. Ata janë oborrtarë që ndajnë me pushtetin vetëm diçka të përbashkët: përçmimin për çdo gjë që e kërcënon këtë pushtet. Ndaj gazetaria hermafrodite që aplikohet nga këta zëdhënës përfaqëson një shfaqje deri diku të re në peizazhin publik kur njerëz që mbajën kredencialet e “të diturit” riprodhojnë përherë të njëjtën gjë. Me një lehtësi që e bën dinjitetin njerëzor dhe profesional të duket si lëndë e arkeologjisë. Meqë i nderuam zotërinjtë e ditur me analogjinë me Kishën, sërish mund të vazhdojmë duke huazuar nga Libri: mirë ata u falën dikur “sepse nuk dinë çfarë bëjnë”, po këta të sotmit: këta propagandues të zellshëm të zullumit nuk dinë çfarë po bëjnë? Nuk e kuptojnë se çfarë po provokojnë në shoqëri?

Nuk shohin se çfarë është pushteti të cilit i ngrenë lavde në kupë të qiellit?

Me siguri që edhe dinë diçka. Por kanë zgjedhur mesa duket të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: të shërbejnë! Duke deformuar dhe përlyer çdo gjë. Dhe më keq: duke marrë anën më komode, atë të pushtetit. Për çdo temë dhe argument, jo vetëm për Kosovën. Që nga protestat e opozitës, e deri te suksesi në turizëm. Nuk lodhen, nuk stepen, dinë përherë diçka, kanë përherë shumëçka për të thënë. Me bindje, me zë të plotë, të gatshëm që edhe incidentin më banal ta transferojnë si faturë të tranzicionit berishian. Nuk e ka aplikuar në këtë nivel banaliteti progapagandën as Ramiz Alia, se Enver Hoxha jo e jo. Kishte një tjetër etikë ndaj armikut edhe në atë kohë.

Do të ishte kurioze sjellja e kësaj kategorie në opozitë. Të rënë nga vakti dhe me (pa)sigurinë e së vërtetës që i karakterizon tani. Sepse në Shqipëri tashmë ka një simetri delegjitimuese që po prek edhe gazetarinë: gazetarët e të dy krahëve nuk janë më të varfër. Ose nuk duken të tillë. Dhe ky është sukses i kapitalizmit shqiptar, ose për ta thënë me anglishten gjenuine të atij që i prodhoi këta: This is a miracle of freedom

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Une i lexoj gjithmone me kenaqsi shkrimet tuaja.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.