Përvojë serbe me diplomatët amerikanë - fenomeni Chris Hill në Ballkan*
Për dekada të tëra, diplomatët amerikanë në Beograd kanë pasur një qëndrim të favorshëm ndaj autoriteteve lokale. Dikush mund të thotë se një sjellje e tillë është bërë traditë. Edhe ata ambasadorë amerikanë me pozitën më të madhe politike, si George F. Kennan në fillim të viteve 1960 ose Lawrence Eagleburger në fund të viteve 1970, mbajtën marrëdhënie të përzemërta me regjimin jodemokratik të Titos.
Për shembull, pas ndryshimeve të 5 tetorit 2000, ambasadori Montgomery u mburr publikisht se, si atashe i ri në Jugosllavi, ai përgjigjej për Sllobodan Millosheviçin dhe se i dha atij vlerësimet më të larta. Një farë Richards Miles, I Ngarkuari me Punë në fund të viteve ‘90, mbështeti hapur SPS-në dhe presidentin e saj në atë kohë, duke marrë pjesë aktivisht në fushatat zgjedhore në anën e tyre. Famëkeqi Richard Holbrooke, në krah të Millosheviçit, pohoi për mediat se "ishte budallallëk nga ana e opozitës fakti që vendosi të bojkotojë zgjedhjet", duke injoruar kushtet flagrante të pabarabarta zgjedhore. Përveç një përjashtimi të rrallë (ambasadori Warren Zimmerman në periudhën e shpërbërjes së Jugosllavisë), diplomatët amerikanë në Beograd ishin bashkëbisedues të mirëpritur në rrethin e cilitdo që mori drejtimin e këtij vendi dhe paraardhësve të tij.
Nuk duhet të harrojmë faktin se në sytë e amerikanëve, pas Marrëveshjes së Dejtonit, Millosheviçi u bë “faktori kryesor i paqes dhe stabilitetit në rajon”. Le të mos harrojmë këtu gjithashtu edhe se si përfundoi idili i tyre, me bombardimin mbi kokat tona.
Është interesante dhe flet shumë fakti se me ardhjen në pushtet, opozita demokratike e Serbisë DOS pati telashe dhe keqkuptime të tmerrshme me përfaqësuesin e atëhershëm të Uashingtonit, Bill Montgomery. Ishte koha kur presioni amerikan mbi qeverinë e brishtë demokratike ishte në kulmin e tij: ekstradimi i menjëhershëm dhe i pakushtëzuar i kriminelëve të dyshuar të luftës në Tribunalin e Hagës dhe koncesionet urgjente ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe aspiratat e tyre për pavarësinë dhe shkëputjen totale nga Serbia. Ishte vërtet e padurueshme. Më besoni, unë e di këtë sepse e kam provuar vetë.
Ambasadori aktual i SHBA-së në Serbi, megjithëse nuk është aspak afër nivelit të Kenanit apo të Eagleburger-it, përshtatet mirë në këtë politikë të (pa)lavdishme amerikane ndaj nesh. Ai padyshim nuk e ka problem natyrën shtypëse të regjimit aktual dhe kultin e personalitetit të liderit të tij. Nuk i hyjnë në sy as abuzimet e procesit zgjedhor, as persekutimi i njerëzve të pafajshëm, as kontrolli total i medias, as vulgariteti i përhapur nga televizionet dhe gazetat që i bëjnë fresk qeverisë. Ai në fakt shfaqet në ato programe. Dhe ai pi verë me manjatë dhe lakej famëkeq të presidentit autokratik serb. E gjithë kjo, dhe më pas disa të tjera, janë pjesë e mandatit të tij. Si pjesë e punës së tij. E misionit të tij diplomatik në këtë vend të mjerë.
Por, siç thashë, kështu ka qenë gjithmonë
Besimi ynë që Amerika është e interesuar për demokracinë e vërtetë në Serbi është një iluzion. Siç mund ta shohim, ata kanë probleme me demokracinë edhe në vendin e tyre. Këtu që nga kohëra që nuk mbahen mend janë udhëhequr nga motive gjeostrategjike. Nëse fuqitë aktuale që janë në Serbi përkulen në këtë drejtim, ne jemi në rrugën e duhur. Nga kjo klikë, Amerika pret bashkëpunim për statusin ndërkombëtar të Kosovës. Ky është prioriteti i tyre. E njëjta gjë ka ndodhur dikur me Millosheviçin. Si tani, ashtu edhe atëherë, ata u mbështetën te autokratët për të arritur qëllimet e tyre. Ata bënë një gabim kardinal atëherë dhe do ta përsërisin edhe sot. Kjo është e vërtetë e vjetër. Ai që nuk mëson nga gabimet e tij është i dënuar t’i përsërisë. Sylesh, thotë një shprehje serbe.
Takova ambasadorin Hill, negociatorin kryesor në konferencën e Rambujesë, në Beograd disa ditë pas përfundimit të asaj konference. Pikërisht një çerek shekulli më parë.
Ja çfarë ndodhi në atë ditë të ftohtë të shkurtit të vitit ogurzi 1999:
Një takim ishte planifikuar për në orën 9 të mëngjesit në ndërtesën e Ambasadës Amerikane në rrugën “Kneza Milosha”. Deri atëherë, në atë godinë kisha vizituar vetëm në katin përdhes të departamentit konsullor, kur aplikova për vizë për në SHBA. Kurrë nuk kisha qenë në katet e sipërme, edhe pse, më lejoni t'ju kujtoj, se e gjithë shtëpia dikur ka qenë pronë e familjes sime. E konfiskuar npërmjet simulimit të një kontrate qiraje, me shantazhe dhe kërcënime nga qeveria komuniste e pasluftës, ajo iu shit amerikanëve. Ata nuk e patën problem mënyrën se si e përvetësuan, përkundrazi. Me Zoran Xhinxhiçin, lider tjetër i opozitës në atë kohë, u takuam para hyrjes. U prezantuam dhe na përcollën në zyrën e ambasadorit. Brenda na prisnin të ngarkuarit me punë Miles dhe Christopher Hill. Pasoi një prezantim zyrtar. Pastaj u ulëm rreth tryezës së rrumbullakët për kafe.
Richard Miles mbajti fjalim hapjeje plot fraza boshe diplomatike të shoqëruara me komplimente të pavenda për ne të treve. Deri atëherë ai kishte thënë më të keqen për opozitën serbe. Nuk u desh shumë inteligjencë për të kuptuar se, me këtë rast, atyre u duhej diçka prej nesh. Vetëm kjo mund të ishte arsyeja e një mirësjelljeje dhe vëmendjeje të papritur që po na tregonin amerikanët. Shumë shpejt e morëm vesh se cila ishte arsyeja. Christopher Hill na shpjegoi se për çfarë bëhej fjalë:
“Ne gjetëm dakordësinë me presidentin Millosheviç në Rambuje lidhur marrëveshjen për statusin e ardhshëm të Kosovës. Nga ai morëm garanci të forta se marrëveshja do të nënshkruhet për dhjetë ditë në Paris. Kështu edhe me Marrëveshjet e Dejtonit. U përfundua në Wright-Patterson dhe u nënshkrua në Paris. Nuk është nevoja të theksoj se sa i rëndësishëm është ky hap për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për paqen në të gjithë rajonin. Ne jemi të bindur se kjo do të sjellë nivelin e nevojshëm të sigurisë dhe stabilitetit në zonën e trazuar të Ballkanit Perëndimor. Ju e kuptoni situatën dhe rëndësinë e asaj që po diskutojmë, siç e kuptojmë edhe ne, nëse jo më mirë.
Prandaj, ajo që është më e rëndësishme në këtë moment është që të gjithë të mbështesim dhe të ndihmojmë arritjen e një marrëveshjeje, pra të pranojmë marrëveshjen e detajuar në Rambuje.
Sugjerimi ynë për ju është i thjeshtë dhe, do të thoja, i dobishëm për të dyja palët. Presim që ju të shprehni publikisht dhe pa mëdyshje mbështetjen tuaj për këtë marrëveshje, në mënyrë që të jetë e padiskutueshme që të gjithë jemi në të njëjtën anë dhe që publiku serb të jetë i qartë mbi pozitivitetin e asaj që është arritur. Eshtë e panevojshme të theksohet fakti se qëllimi i kësaj marrëveshjeje i kapërcen ndarjet politike dhe se do të jetë e dobishme nëse të gjithë kemi unanimitet për të.
Unë jam i interesuar se çfarë mendoni ju për këtë. A mund të presim bashkëpunimin tuaj të plotë në këtë çështje?”
Heshtje totale. Edhe Xhinxhiçi, edhe lideri i opozitës, edhe unë mbetëm të tronditur. Dhe të shtangur. Amerikanët po na kërkojnë të mbështesim Millosheviçin. Pavarësisht gjithçkaje. Hipokrizia në aksion. Një moment i pakëndshëm. Shumë i pakëndshëm.
Duke mos pasur se ku të shkonte, kreu i opozitës në fjalë, i zbehur në fytyrë, pranoi pa dëshirë. Pastaj erdhi radha e vonë e Zoranit. Ai hezitoi, shmangu prononcimin dhe foli për atmosferën politike në vend. Ai kundërshtoi faktin se ne as nuk e kishim parë dhe as lexuar tekstin origjinal të asaj marrëveshjeje dhe se ishte mosmirënjohje të votoje për një dokument, përmbajtjen e të cilit nuk e dinim.
Hill pastaj na përmblodhi shkurtimisht pikat kryesore të asaj për të cilën pretendohej se ishte rënë dakord. Zoran pohoi me kokë.
Pas kësaj pritej që unë të thoja diçka. Avantazhi im qëndronte në faktin se nuk kisha parti politike. Për më tepër, priresha të reagoja keq ndaj "sugjerimeve" nga dikush më i fortë se unë. Një tip kokëfortë, skllav i natyrës së tij.
"Zoti. Hill, do të jem i drejtpërdrejtë. Për sa më përket mua, nuk jam i përgatitur të mbështes Millosheviçin në asnjë situatë të vetme dhe në asnjë kusht. Për mendimin tim, ai është më i dëmshmi për interesat e popullit tim dhe të vendit tim. Prandaj, një mundësi e tillë nuk diskutohet fare. Megjithatë, pozicioni im nuk ka shumë peshë. Unë përfaqësoj veten dhe askënd tjetër. Prandaj përgjegjësia ime, në krahasim me kolegët e mi, është shumë më e vogël”.
Bëra një pauzë.
“Kam një pyetje për ju, zoti Hill.” A jeni absolutisht i sigurt se Millosheviçi do ta firmosë marrëveshjen tuaj? Më falni që po tregohem kaq i drejtpërdrejtë, por duke pasur parasysh sjelljen e tij të deritanishme, si u bindët kaq shpejt me një fjalë goje?”
“Mos u shqetësoni për këtë.” Marrëveshja me Presidentin Millosheviç është vulosur. Është punë e kryer. Të jeni të sigurt. Çdo gjë është në rregull. Presidenti Millosheviç tregoi bashkëpunim në Dejton dhe falë kësaj u arrit një kompromis për Bosnje dhe Hercegovinën. Kështu do të jetë edhe për Kosovën”.
Millosheviçi përfundimisht e refuzoi marrëveshjen. Bombardimet e pamëshirshme të NATO-s filluan më 24 mars 1999. A do ta kenë sërish amerikanët të njëjtin gjykim të gabuar dhe a do të na kthehet kjo kundër? Është një gjë për të cilën duhet ta vrasim mendjen.
Burimi: N1Info
Përkthimi nga anglishtja dhe titulli shqip: ResPublica
Shënim: Milan St. Protiç është një historian, politikan dhe diplomat serb. Ai ka qenë edhe kryetar i Bashkisë së Beogradit. Vjen nga një familje e njohur serbe me tradita në mendimin politik dhe kushtetues serb. Stërgjyshi i tij, Stojan Protiç, ka qenë kryeministër i Jugosllavisë, kurse gjyshi, Guvernator i Bankës Qendrore Jugosllave.
Add new comment