Kosovës i kërkohet që të mos e bëjë atë që ka të drejtë ta bëjë

Postuar në 05 Shkurt, 2024 15:15
Augustin Palokaj

 

Mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të kishte aspak më shumë probleme të hapura sesa që ka mes vendeve të tjera të rajonit, sikur të kishte përgjigje në pyetjen e thjeshtë: A është apo nuk është Kosova shtet. Të gjitha problemet praktike për qytetarët e Kosovës, për qytetarët e Serbisë që vizitojnë Kosovën dhe për qytetarët e Kosovës me shtetësi të dyfishtë, janë pasojë e qëndrimeve të kundërta dhe dallimeve në kuptimin e përgjigjes se a është apo nuk është Kosova shtet.

Së shpejti do të bëhen 16 vjet prej kur Kosova ka shpallur pavarësinë. Së shpejti do të mbushen plot 25 vjet prej kur Serbia nuk e ka nën administrim territorin e Kosovës. Së pari në Kosovë u vendos një administratë ndërkombëtare, në të cilën pjesën civile e mori përsipër OKB-ja, ndërsa atë ushtarake NATO-ja. Pastaj, duke vepruar sipas vendimeve ndërkombëtare, jo të njëanshme të Kosovës, por ndërkombëtare, Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe u bë shtet sovran e i pavarur, fillimisht nën një mbikëqyrje ndërkombëtare. Pra, nuk ishte një shpallje e njëanshme e pavarësisë, por një shpallje e koordinuar në hollësi me bashkësinë ndërkombëtare, bazuar në një propozim që doli nga procesi i udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe, duke u përgjigjur në pyetjen e Serbisë rreh përputhjes së shpalljes së pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e as në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sikur të ishin rrethanat normale dhe sikur bashkësia ndërkombëtare të sillej në mënyrë të duhur pas mendimit të GJND-së, do të bëhej presion ndaj të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë. Sidomos do të bëhej presion ndaj Serbisë që ta njohë Kosovën, pasi autoriteti kryesor në botë për të interpretuar të drejtën ndërkombëtare dha mendimin se shpallja e pavarësisë nuk është kundër të drejtës ndërkombëtare. Dhe nuk është as kundër Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kosova bëri gabim kur hyri në dialog pas mendimit të tillë të GJND-së. Miqtë e Kosovës bën gabim kur insistuan që të nisej ky dialog në këtë mënyrë. Sepse Serbia e shfrytëzoi dialogun për të mohuar pavarësinë e Kosovës. Tash, kur kanë kaluar më shumë se 12 vjet nga kur ka nisur dialogu, Serbia pohon se Kosova nuk është shtet dhe dialogu është dëshmi e kësaj. Përndryshe, siç tha para dy ditësh presidenti i Serbisë, në një paraqitje tejet nënçmuese ndaj Kosovës, “pse do të vinin në dialog përfaqësuesit e Prishtinës sikur Kosova të ishte shtet”.

Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë marrë një qasje sipas së cilës duhet të zgjidhen çështjet praktike pa u zgjidhur çështja kryesore, e ajo është përgjigjja në pyetjen se a është Kosova shtet apo jo. Kjo nxjerr pyetjen se a është dialogu për Kosovën, siç pohon Serbia, apo është për raportet mes Kosovës dhe Serbisë si dy palë të barabarta, siç duhet të ishte.

Mungesa e përgjigjes së prerë në pyetjen se a është Kosova shtet apo jo është burim i të gjitha problemeve praktike. Sepse 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova nuk mund të sillet sikur është neutrale ndaj statusit të vetvetes. Serbët në Kosovë dhe Serbia nuk përdorin dinarin për shkaqe praktike, por si simbol se Kosova “është pjesë e Serbisë”. Serbia nuk i mban komunat në Kosovë sipas sistemit të Serbisë për çështje praktike, por për të dëshmuar se “Kosova është pjesë e Serbisë”. Kur të ketë vullnet politik zgjidhjet praktike do të gjenden shpejt. Serbët në Kosovë do të mësohen me euron edhe më shpejt sesa që u mësuan kroatët kur para një viti vendosen euron si valutë të vetme në shtetin e tyre. Por Serbia edhe dinarin, edhe komunat i mban në Kosovë si dëshmi të pranisë së saj në Kosovë.

Kosova ka të drejtë që të mos i pranojë kërkesat që të mos veprojë si shtet. Sepse asnjë shtet në territorin e vet nuk do të toleronte funksionimin e institucioneve të një shteti tjetër, i cili, për më tepër, e bën këtë me pretendime territoriale. Prandaj nuk ka dyshim se Kosova ka të drejtë t’i mbyllë dhe komunat e Serbisë, (jo të serbëve, por të Serbisë) në territorin e saj. Por, po ashtu, edhe autoritetet e Kosovës duhet të kenë kujdes, sepse nuk është taktikë e mirë që me veprime të befasohen edhe partnerët ndërkombëtarë. Sepse ata janë partnerë e jo kundërshtarë, siç është Serbia.

Nuk ka dyshim se Kosova ka problem në raportet me shtetet kryesore partnere. Të pohosh ndryshe është një manipulim i rrezikshëm. Por nuk është doemos Kosova e vetmja që ka faj për këtë gjë. Sepse edhe sjellja e partnerëve ndërkombëtarë duket shumë e çuditshme. Ata për gjithçka thonë se “nuk e mohojmë të drejtën e Kosovës për vendime të tilla”, por kritikojnë mungesën e koordinimit. Kosovën e qortojnë dhe e sanksionojnë për diçka që vetë thonë se Kosova ka të drejtë të bëjë, por nuk e ka bërë në kohë dhe mënyrë të duhur. Së pari thanë se Kosova ka të drejtë të zhvillojë zgjedhje në veri, pastaj thanë se ato “nuk sjellin zgjidhje të duhur, pasi u bojkotuan nga serbët“.

E para se të zhvilloheshin dihej se do të bojkotoheshin. Pastaj thanë se Banka Qendrore e Kosovës ka të drejtë të vendosë për përdorimin e valutave, por si vendim duhet përkohësisht të pezullohet për t’iu dhënë “kohë serbëve në Kosovë për t’u përshtatur”. Edhe kur u mbyllën komunat e Serbisë në Kosovë, BE-ja dhe SHBA-ja dolën me kritika, ndërsa BE-ja tha se kjo duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, lidhur me Asociacionin. Përshtypja është se BE-ja kërkon që të gjitha strukturat paralele të Serbisë (jo të serbëve, por të Serbisë) të lejohen të veprojnë derisa të mos themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo lë hapësirë që edhe ai Asociacion të jetë një lloj pranie e Serbisë në territorin e Kosovës.

Ky qëndrim i BE-së dëshmon më shumë se gjithçka tjetër dështimin total të dialogut. Sepse vetë BE-ja, sikur edhe qeveritë e mëparshme të Kosovës që pohonin se janë shuar dhe integruar në sistemin e Kosovës strukturat paralele, thanë se ky ishte suksesi më i madh në dialog. Me sjelljen e tillë të bashkësisë ndërkombëtarë sikur krijohet përshtypja se Kosova duhet të pranojë që të jetë edhe shtet i pavarur, por pjesërisht dhe pjesë e Serbisë. Qasja e tillë krijon më shumë probleme sesa që i zgjidh.

Burimi: Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.