Fëmijët përdoren për hakmarrje. Vetëm 30 pensione ushqimore të ekzekutuara nga 1600 raste
Përgjatë vitit 2023 zyra përmbarimore Tiranë ka mundur të ekzekutojë vetëm 30 nga 1600 vendime të gjykatës për pension ushqimor, pas divorcit. Kjo për shkak të numrit të lartë të dosjeve por edhe të faktit se shumë prej prindërve janë të pasiguruar apo gjejnë mënyra të ndryshme për të shmangur këtë detyrim financiar. Përmbaruesja shtetërore Anxhela Doleci tha për MCN TV se:
Kemi shifra për 2023 për rastet e pensioneve ushqimore, duke qenë se pensionet ushqimore janë detyrime periodike, shifra aktuale është 1680 detyrime ushqimore që janë regjistruar në zyrën e përmbarimit ndër vite dhe kemi rreth 30 dosje të ekzekutuar në vitin 2023.
Problematika më e madhe që has një përmbarues gjyqësor është fakti që nuk iu gjen pasuri qoftë të luajtshme dhe të paluajtshme palëve debitore.
Ata pasi marrin vendimin e gjykatës ka raste që dhe largohen nga puna thjesht për të mos shlyer detyrimin.
Kthehen përgjigjet nga institucionet përkatës dhe në të gjitha institucionet rezulton se ky person nuk ka asnjë të ardhur.
Logjikisht të gjithë duhet të punojnë për të mbajtur veten dhe familjen se nuk mund të jetojnë pa të ardhura, i bie që ky person punon në të zezë dhe kjo na e vështirëson punën
Ndërkohë avokati Ermal Hamataj deklaroi se efektiviteti në ekzekutimin e dosjeve lë për të dëshiruar.
Një nga vendimet që pamundëson ekzekutimin është zgjidhja e martesave të cilat përmbajnë pensionet ushqimore.
Ju e dini që jo të gjithë ia lejojnë vetes t’i drejtohen përmbarimit privat se tarifat janë më të shtrenjta.
Por edhe përmbaruesit privatë nuk e kanë me qejf të merren me këto lloj vendimesh se e kanë të pamundur t’i ekzekutojnë, pasi shumica e pagave nuk merren në banka dhe e kanë të vështirë për tu ekzekutuar.
Edhe për faj të ish-bashkëshortëve fëmijët shikohen si pjesë hakmarrje ndaj njeri-tjetrit dhe asnjëri nuk kujdeset realisht për ta dhe nuk e ekzekutojnë këtë vendim gjykate në mënyrë vullnetare pa qenë nevoja e shërbimit përmbarimor
Add new comment