Autorët shqiptarë janë ambasadorët më të mirë të kulturës shqiptare në botë

Postuar në 31 Janar, 2024 15:37
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Phaedon Kydoniatis (Fedhon Kidhoniatis), botuesi i shumë autorëve shqiptarë në Greqi, është bërë tashmë një lloj brand-i përsa i përket promovimit të letërsisë shqipe në vendin fqinj. Marrëdhënia e tij me Shqipërinë i ka fillimet në vitet e para të demokracisë, kur ai në moshë shumë të re, për arsye profesionale, e vizitonte shpesh vendin. Tashmë, në rolin e botuesit, pas një shkëputjeje të gjatë fizike nga Shqipëria, do të ndodhë procesi i kundërt: do të jenë autorët shqiptarë, që do të vizitojnë Greqinë në formë imagjinare dhe reale, përmes botimit të librave të tyre. Shtëpia botuese “Euroasia”, që ai drejton ndodhet në fund të rrugës malore “Omiros” (Homer) në qendër të Athinës dhe shumë afër kafenesë së famshme “Filion”, një motër binjake e kafenesë së dikurshme “Flora” në Tiranë, e cila pavarësisht zvetënimit, vazhdon të mbledhë intelektualë e artistë të njohur grekë. Pikërisht, aty vendosëm të zhvillonim bisedën tonë. Mua m’u desh të hiqja petkun e përkthyeses dhe të vishja atë të intervistueses së botuesit, për të nxjerrë në pah sadopak, punën dhe përkushtimin e Phaedon dhe motrës së tij Ethel, si dhe të stafit të tyre në përçimin e letërsisë shqipe në Greqi.

***

Kontakti im me Shqipërinë e ka pikënisjen në gjysmën e parë të viteve ’90, kur nisa të jepja seminare biznesi në Tiranë. Gjatë vizitës sime të parë më bëri përshtypje varfëria në vend, por nga viti në vit ndryshimet bëheshin gjithmonë e më të dukshme. Ky zhvillim marramendës, sikurse ka ndodhur edhe në Greqi në të shkuarën, ka njëkohësisht aspekte pozitive dhe negative, por që koncepti i zhvillimit është i tillë në vetvete, e mira me të keqen shkojnë bashkë. Në Shqipëri, bënë të njëjtat gabime si në Greqi, ndërtime kaotike, mbingarkesë trafiku, madje dhe ushqimi mendoj që ishte më cilësor deri në vitin 2005. Pas vitit 2001, kur u hap MBA i parë në Shqipëri dhe New York College, shkoja dy herë në vit për t’u dhënë mësim studentëve pasuniversitarë. Ende dhe sot ruaj komunikim të mirë me disa nga ish studentët e mi. Një prej tyre është dhe Martin Kuka, por që e njoha në New York College e Athinës. Martini është ndoshta shqiptari i parë në ato vite, që kishte një rol të rëndësishëm në shtëpinë tonë botuese.

Përveç shqiptarëve të Shqipërisë, m’u dha mundësia të njihem edhe me shqiptarët e Kosovës. Shkova për herë të parë në Kosovë pak kohë pas luftës, në një Kosovë të blinduar nga trupat e KFOR-it, për të dhënë seminare biznesi, në kuadër të nismave të OKB-së në bashkëpunim me OSCE-në, për konsolidimin e strukturave të ndryshme vendore. Atëherë ndryshimet mes shqiptarëve te Kosovës e atyre të Shqipërisë ishin më të theksuara, edhe për shkak të kontekstit të luftës, por edhe të elementit fetar, që në Shqipëri nuk është i kaq ndjeshëm. Më tepër kontakt kam pasur me shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, se sa ata të Kosovës, ngaqë shkoja shumë shpesh për seminare biznesi. Ka kaluar një periudhë mbi 20 vjeçare pa vajtur në Kosovë dhe besoj se Kosova e tanishme s’duhet të ketë shumë lidhje me Kosovën që kam njohur dikur.

Shqiptarët janë shumë të ngjashëm me grekët në mendësi, ushqim, muzikë, dallimet mes dy popujve janë të vogla. Shqiptarë ka pasur gjithmonë në Greqi, sikurse edhe grekë në Shqipëri. Janë vende fqinjë dhe do të ishte absurde të kishte dallime të mëdha. Megjithatë, stereotipet negative vazhdojnë të jenë të rrënjosura mes të dy popoujve. Grekët nuk preferojnë të lexojnë shkrimtarë shqiptarë, pavarësisht se klima ka ndryshuar, por nga ana tjetër as të rinjtë shqiptarë të brezit të dytë në Greqi, të cilët janë edhe nënshtetas grekë, nuk tregojnë ndonjë interes të veçantë përsa i përket promovimit të kulturës e shkrimtarëvë shqiptarë në Greqi. Por kjo prirje e lexuesit grek për mos të lexuar shkrimtarë shqiptarë, nuk lidhet veçanërisht me paragjykimet ndaj shqiptarëve, por më tepër me orientimin drejt shkrimtarëve jo-ballkanikë, pra lexuesi grek, sikurse edhe ai shqiptar supozoj, preferon të lexojë shkrimtarë britanikë, amerikanë, gjermanë, francezë, spanjollë, italianë, etj.

Shtëpia botuese “Euroasia” që unë drejtoj, u themelua në vitin 1999, pak para intensifikimit të epokës së internetit dhe pak para krijimit të tregut të përbashkët monetar. Një nga strategjitë e Eurasias ndër vite ishte të investonim mbi shkrimtarë, mendimtarë e përkthyes më pak të njohur. Kemi botuar disa seri librash të vështirë të natyrës jo-komerciale, por që menduam që ishin të domosdoshme për blibliografinë greke. Jemi ndër shtëpitë e para botuese që krijuam faqen tonë në internet dhe filmonte gjithë prezantimet, për t’i vendosur në youtube. Gjithashtu të parët, që integruam QRcodes me muzikë, duke krijuar paralelisht soundtrack për librin, si dhe ndër të parët që bëmë botime dixhitale. Euroasia prej disa vitesh organizon seminare filozofie online, me qëllim botimin e këtyre leksioneve në një seri librash filozofikë. Në shkurt, do të mbahet cikli tjetër i seminareve kushtuar Emanuel Kantit me rastin e 300 vjetorit nga lindja e tij.

Aktualisht mbaj pozicionin e kryetarit në SEVA (Lidhja e botuesve të Athinës, themeluar në vitin 1928) dhe jam përfaqësuesi zyrtar i Greqisë në Federatën Europiane të Botuesve, që përbëhet nga 29 vende-pjesëtare. Shqipëria nuk është ende pjesë e kësaj federate. FED është një ndër federatat më të vjetra dhe ka natyrë sindikaliste. Ajo këshillon shoqatat e botuesve në lidhje me copyrights dhe çështje të tjera ligjore në kontekstin e legjislacionit europian. Mbron dhe promovon lirinë e shprehjes së botuesve, bën lobbying në Bruksel dhe anëtarët e vendeve pjesëmarrëse shkëmbejne ide, know-how dhe ndjekin tendencat e reja në tregun e librit, siç është p.sh., audiobook. Audiobook në kundërshti me të gjitha parashikimet, ka një të ardhme shumë premtuese. Në vendet skandinave, në Gjermani, Hollandë, Itali, etj., audiobook zë 15%-20% të tregut të librit. Në Greqi, audiobook zë nën 1% të tregut të librit. E-book, nuk arriti të bënte suksesin e parashikuar, nuk ka as zbritje, as rritje. Letërsia është zhanri më i përshtatshëm për audiobook.  Edhe ne si shtëpi botuese, kemi filluar të nxjerrim audiobooks.

Ndër vendet europiane, Greqia ka një prezantim të dobët përsa i përket statistikave të shitjes së librave. Greqia ka botues shumë cilësorë, por secili është mësuar të veprojë në bazë individuale. Shkrimtarët grekë, përveç poetëve tanë të njohur dhe autorëve klasikë si Kazantzakis, nuk arrijnë të afirmohen në mënyrë premtuese te lexuesi i huaj, sepse as botuesit dhe as shteti grek nuk kanë organizimin dhe solidaritetin e duhur. Nga autorët bashkëkohorë, përjashtim bën Petros Markaris, që është shumë i suksesshëm në botën gjermanofone. Tregu gjerman në ndryshim me tregun amerikan, ka natyrë më pak komerciale dhe tregon interes më të madh për letërsinë e vendeve të vogla. Kjo është një dhe nga arsyet, që numri i shkrimtarëve grekë të përkthyer në gjermanisht, frëngjisht e gjuhë të tjera europiane, është më i madh se ai në gjuhën angleze.

Pika më e fortë e botimeve “Euroasia” janë librat e natyrës eseistike. Euroasia është e njohur për numrin e lartë të botimeve të eseve mbi filozofin e njohur grek Kornilios Kastoriadis, por jo vetëm, veprat e të cilit janë shumë të njohura në Francë, ku ai jetoi deri në fund të jetës. Nga seria e autorëve shqiptarë, që kemi botuar deri tani, libri i Gëzim Qendros “Heronjtë janë të uritur”, është i vetmi libër i kësaj natyre. Kurse librat e autorëve të tjerë shqiptarë botuar prej nesh janë libra letrarë, qoftë të mirëfilltë, qoftë eksperimentalë, si libri i Ardian Vehbiut “Ndërhyrjet e z. Shyti”, “Hartë memece për të mbyturit” i Arian Lekës dhe “Më kujtohet” i Ylli Demnerit.

Deri më sot, me mbështetjen e pjesshme të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Ministrisë së Kulturës shqiptare, kemi botuar 7 autorë shqiptarë dhe janë në proces botimi edhe dy autore të tjera. Fillimisht aplikuam në vitin 2017 me librin e Ardian Vehbiut, “Ndërhyrjet e z. Shyti”, i cili u botua nën siglën “Plethora” të Euroasia. Meqënëse ishte hera e parë që botonim një shkrimtar shqiptar, ndërmorëm dy prezantime të rëndësishme të këtij autori. Libri fillimisht u prezantua në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Selanik në 2018-n, me praninë e vetë autorit. Gjithashtu, në nëntor të të njëjtit vit, ‘’Ζ. Shyti” u prezantua dhe në Athinë, sërish me praninë e autorit. Të ftuarit në panel ishin njerëz të njohur nga bota e letërsisë greke dhe shkrimtari grek Manos Kontoleon publikoi një kritikë të shkëlqyer mbi librin e Vehbiut në një nga portalet e njohura letrare të vendit.

Në maj të 2023-it prezantuam në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut edhe librin e Ylljet Aliçkës “Valsi i lumturisë”, kurse në tetor 2023, u prezantua në Athinë libri “Më kujtohet” i Ylli Demnerit, i cili pavarësisht se u botua në vitin 2020, nuk arritëm ta bënim prezantimin në kohën e duhur për shkak të pandemisë. Prezantimi pati jehonë pozitive në rrethet letrare greke dhe ishte hera e parë ndoshta, që u vu re një interesim më i gjerë për librin dhe shkrimtarin. Një libër tjetër shumë interesant, është dhe libri i dramaturgut të afirmuar kosovar Jeton Neziraj “Fluturimi mbi Teatrin Kombëtar të Kosovës”, që në botimin grek (Shkurt, 2019) mban një titull të ndryshëm “Fluturimi 1702 08, Kosova”, datë e cila i referohet shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Para botimit të librit, komedia në fjalë mori pjesë në “Between The Seas Festival’’ në Athinë si stage-reading, nga regjisori Leonidha Papadhopulos dhe pas botimit të librit u vu në skenën e Qipros nga një regjisor tjetër greko-qipriot. Ky interes për teatrin kosovar e shqiptar është tregues se regjisorët grekë dhe shoqëria greke, manifestojnë një interes në rritje për Kosovën dhe Shqipërinë.

Synimi ynë është sensibilizimi i lexuesve grekë dhe shqiptarëve të brezit të dytë, që kanë si gjuhë të parë greqishten, mbi tiparet e vlerat e letërsisë shqiptare. Krahas autorëve të sipërpërmendur, autorë të tjerë si Gëzim Qendro, Fatos Lubonja dhe Arjan Leka meritojnë një vëmendje më të madhe dhe shpresojmë, që pas njëfarë kohe të mundemi të organizojmë një festival letrar në Athinë kushtuar autorëve shqiptarë, që kemi botuar. Por, për t’ia arritur këtij qëllimi na duhet edhe mbështetja e Ambasadës shqiptare në Athinë, ashtu sikurse kemi bashkëvepruar me ambasadat çeke e portugeze, që pavarësisht se përfaqësojnë vende të vogla, janë më të strukturuara në mënyrën e promovimit të autorëve të tyre në krahasim me Greqinë e Shqipërinë. Gjithashtu, për shkak të interesit të vogël për autorët shqiptarë të përkthyer në greqisht, qoftë nga grekët, qoftë nga shqiptarët e Greqisë, mbështetja nga shoqatat e forumet shqiptare në këso lloj iniciativash, do të ishte shumë e vyer.

Sivjet, është hera e parë, që do të botojmë dy autore shqiptare, pasi deri tani kemi botuar vetëm autorë shqiptarë. Kemi në proces botimi librin e poetes së njohur Luljeta Lleshanaku me mbështetjen e pjesshme të Qendrës Kombëtare të Librit, por edhe të autores Mimoza Hysa më romanin e saj “Bijat e Gjeneralit”, por që nuk lidhet me fondin e Qendrës së Librit. Për më tepër, është hera e parë, që po botojmë një poete shqiptare, fama e së cilës i ka kapërcyer kufijtë shqiptarë, me dëshirën se do të njohë të njëjtin sukses, që ka pasur edhe në vendet e tjera. Për mendimin tim autorët shqiptarët janë ambasadorët më të mirë të kulturës shqiptare në botë. Grafisti ynë, i cili merret vetëm me anën grafike të librave, më tha që me aq pasazhe sa arriti të lexonte, i ishte dukur shumë mallëngjyes libri i Arian Lekës “Hartë memece për të mbyturit”, po ashtu edhe libri “Më kujtohet” i Ylli Demnerit. E përmend këtë detaj, pasi për mua ka një rëndësi të veçantë kur këtë e thotë dikush, që zakonisht nuk merret me aspektet letrare të librit.

Ardian Vehbiu, që është dhe shkrimtari i parë që botuam, ka një aurë shumë kozmopolite edhe te rrëfimet e z. Shyti, por edhe si njeri e personalitet. Kjo frymë kozmopolite, vihet re edhe në personalitetin krijues të Ylljet Aliçkës, që arrin të ndërthurrë artin e diplomacisë, të kinematografisë dhe të letërsisë, çka duket edhe në librin e tij “Valsi i lumturisë”. Libri i Ylli Demnerit “Më kujtohet” është një libër që të bën për vete me forcën spontane, filmike e  emocionuese të stilit përshkrues. Më vjen keq që Gëzim Qendro, autori i “Heronjtë janë të uritur” nuk është më në jetë, sepse besoj që po të jetonte, do të ishte ndryshe prezantimi i librit me lexuesin më të specializuar grek. Gjithashtu, uroj që libri i Fatos Lubonjës “Ridënimi”, i cili është një intelektual shqiptar i njohur edhe në Greqi, të ngjallë një debat produktiv mbi sistemet totalitare. Jeton Neziraj, duke qenë se është dramaturg, synimi ynë më afatgjatë, është që të vihet në skenën greke. Kultura është një vegël e jashtëzakonshme dhe letërsia, tok me artet e tjera, janë mjetet më të mira për promovimin e vlerave të një vendi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.