Vendimi i parë ndaj Tusk: Shkeli Kushtetutën me shkarkimin e drejtuesve të televizionit shtetëror
Gjykata më e lartë e Polonisë e cilësoi antikushtetues vendimin e kryeministrit të ri polak për të shkarkuar drejtuesit e televizionit, radios dhe agjencisë shtetërore të lajmeve, vetëm pak ditë pasi mori drejtimin e qeverisë.
Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), tashmë në opozitë që prej kohës kur proeuropiani Donald Tusk fitoi zgjedhjet, e çoi në gjykatën më të lartë vendimin e kryeministrit, me argumentin se ai shkelte një nen kushtetues që e deklaron Poloninë "shtet demokratik të sunduar nga ligji”.
Gjykata Kushtetuese Polake në fakt dominohet nga gjyqtarë që janë emëruar nga PiS gjatë kohës që ishte në detyrë.
Ministria e Kulturës e Tusk tha se vendimi nuk ka "asnjë rëndësi juridike" për shkak të politizimit të gjykatës dhe vuri në dyshim vendimet e nxjerra nga "gjyqtarët e dyfishtë" - shprehja që kritikët polakë përdorin për t'iu referuar njerëzve që ata mendojnë se nuk duhet të jenë pjesë e gjyqësorit.
"Aktgjykimet e nxjerra me pjesëmarrjen e të ashtuquajturve gjyqtarë të dyfishtë nuk kanë fuqi universale detyruese dhe nuk janë përfundimtare," thuhet në deklaratën e saj, ku kujtohet fakti se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në vitin 2021 zbuloi se gjykata kushtetuese e Polonisë nuk ishte më një gjykatë e pavarur.
Tusk është zotuar të rivendosë sundimin e ligjit në Poloni, por PiS dhe presidenti Andrzej Duda pretendojnë se qeveria e tij e koalicionit po shkel ligjin.
Vendimi i Kushtetueses erdhi pasi ministri i kulturës i Tusk muajin e kaluar emëroi drejtuesit e rinj në kompanitë e medias publike, të cilët ndaluan menjëherë transmetimin e kanalit të lajmeve të transmetuesit shtetëror TVP.
Add new comment