Pasojat e Gazas, Irani godet njësitë e Mossad-it në Erbil

Postuar në 16 Janar, 2024 16:22

Irani ka deklaruar se ka goditur “një qendër izrealite spiunazhi” pranë konsullatës amerikane në Irbil të Irakut, duke sinjalizuar kështu se veprimet e Jeruzalemit nuk do të kalojnë pa përgjigje. Qendra është goditur me raketa iraniane, duke njoftuar kështu qartazi se Teherani po analizon opsionin ushtarak me Izraelin në të gjithë avantpostet e tyre në Lindjen e Mesme.

Akti pason disa likujdime të kryera ndaj përfaqësuesve të Hamasit dhe Hezbollahut në Gaza dhe në Liban, ndërkohë që pas turit të sekretarit amerikan të Shtetit në Lindjen e Mesme, Anthony Blinken, Izraeli ka sugjeruar si plan paqeje një shndërrim të Gazas në një lloj parku palestinez nën qeverisjen izraelite.

Liçenca që i është dhënë tashmë Izraelit për dhunë të padiskriminuar në Gaza ka sjellë si kundërveprim aksionet ushtarake në Detin e Kuq nga grupi jemenit Houthi, një pararojë iraniane, çka ka krijuar tensione të mëdha ndërkombëtare në një prej rrugëve kryesore tregtare në botë. Kështu Irani po zgjeron kostot e konfliktit duke shpresuar ndoshta në një aventurë të re ushtarake amerikane që do të ezauronte fuqinë e SHBA dhe legjitimitetin e saj në një prej zonave kryesore ekonomike në botë.

Lidhur me këtë temë, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të mos qëndrojë duarkryq duke nënvizuar se zgjidhja e vetme të paktën për Palestinën është ajo e dy shteteve. Është një fakt për t’u shënuar megjithatë se Turqia, si fuqi rajonale, është mjaftuar deri më tani me retorikë të fortë, por pa kaluar në veprime konkrete, gjë që flet në favor të tezës se shtete si Turqia në fakt bëjnë biznes me luftën dhe konfliktet rajonale përpara sesa të përfshihen në to.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.