Zgjedhjet e para presidenciale që trazojnë politikën ndërkombëtare
William Lai fitoi zgjedhjet presidenciale në Tajvan, por partia e tij e demokratëve progresistë humbi shumicën absolute në Parlamentin e ishullit. Lai, 64 vjeç, një separatist, vjen nga një familje e thjeshtë dhe është rritur në Taipei. Ai është djali i një minatori që humbi jetën në vitet ’60, pas shembjes së galerisë ku punonte. Në atë kohë, Tajvani nuk ishte bërë ende superfuqi e teknologjisë, që furnizon sot botën me 90% të gjysmëpërçuesve.
Zgjedhja e tij është një siklet i pritshëm për Kinën. Presidenti Xi Jingping e ka cilësuar atë shkatërrues të paqes dhe u ka bërë thirrje tajvanezëve “të bëjnë zgjedhjen e duhur”.
Siç pritej, Kina reagoi duke përsëritur se ribashkimi është i pashmangshëm. Zyra e posaçme për Tajvanin reagoi duke thënë se pavarësisht rezultatit, pozicioni i Kinës për të zgjidhur çështjen e për të realizuar bashkimin kombëtar mbetet koherent dhe “vendosmëria është e fortë si shkëmb”.
Zgjedhjen e Lait e përshëndeti edhe shefi i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, i cili në një telefonatë urimi tha se zgjedhjet e lira të Tajvanit treguan sa e fortë është demokracia e tij.
Ndërsa presidenti Biden deklaroi se SHBA nuk mbështet pavarësinë e Tajvanit.
Megjithatë, SHBA janë mbështetësi më i madh ndërkombëtar i ishullit që aspiron autonominë, përveçse furnizues armësh, pavarësisht mungesës së lidhjeve diplomatike me të.
Lai merr zyrtarisht detyrën në maj të këtij viti.
Add new comment