Greqia nuk duhet të demilitarizojë Egjeun, pavarësisht afrimit me Ankaranë

Postuar në 07 Janar, 2024 15:25

Angelos Syrigos, një deputet i Demokracisë së Re në Greqi, dhe profesor i Asociuar për Ligjin Ndërkombëtar dhe Politikën e Jashtme, ka komentuar së fundmi në “Kathimerini” raportet turko-greke në suazën e detyrimeve dhe rregullimeve të Traktatit të Lozanës. Traktat i cili u vu në diskutim dhe u kërkua të rishikohej vitin që lamë pas nga presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan.

Ndërhyrja e Syrigos vjen në kontekstin e një afrimi mes Turqisë dhe Greqisë që kulmoi me vizitën e Erdogan një muaj më parë në Athinë. Teksa vë në dukje se Traktati në vetvete nuk është dypalësh, por shumëpalësh dhe lidhet me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, ai shton se raportet greko-turke janë një pjesë e këtij dokumenti të rëndësishëm dhe një ndër këto pjesë që është problem permanent është demilitarizimi në Egje. Sipas Syrigos interesi i Turqisë është ruajtja e demilitarizimit në këtë rajon dhe mbi këto parashikime bazohen tri letra të Erdogan drejtuar OKB-së nga Turqia në vitet 2021 dhe 2022.

Fakti që Turqia nënvizon vazhdimisht demilitarizimin e këtyre tre ishujve vetëm duhet të jetë burim i një shqetësimi të thellë. Në terma të opinionit publik, ne kemi qenë nën peshën e një keqkonceptimi se Turqia kërkon një rishikim të gjerë të Traktatit të Lozanës. Megjithatë kjo nuk është e saktë. Në realitet Turqia invokon në mënyrë selektive parashikime të caktuara të Traktatit dhe akuzon ne për shkeljen e tyre…Erdogan është i interesuar vetëm në rishikimin e parashikimeve që kanë të bëjnë me kufijtë dhe minoritetet

shkruan ndër të tjera Syrigos.

Vërejtja mbi Traktatin ka rëndësinë  e vet sepse paraqet një pikëpamje të Greqisë mbi detyrimet ndërkombëtare dhe normën në fuqi. Syrigos shprehet se parashikimet e Traktatit për pakicat bie ndesh me normat në fuqi, pasi “ndërhyrja institucionale nga një shtet i tretë mbi çështje që kanë të bëjnë me qytetarë grekë, është thjesht i paimagjinueshëm”. Megjithatë nëse çështja shtrohet në aspektin e të drejtave dhe shtetit ligjor, atëherë puna ndryshon. Dhe sjellja e Greqisë me çështjen “Beleri” jep një opsion.

Por me më rëndësi është analiza që bëhet për çështjen e demilitarizimit, pas këtu hasim një opinion që priret të shndërrohet në element të strategjisë greke përkundrejt Turqisë.

A është demilitarizimiiI ishujve një çështje jo ligjore? Në vitin 1974 ne ndërmorëm militarizimin e shpejtë të të gjithë ishujve të Egjeut Lindor, duke iu referura nenit 51 të Kartës së OKB-së, që na mundëson të drejtën për mbrojtje. Për paspjë, në vitin 1995 dhe sërish më 2015 përmes deklaratave të reja, ne përjashtuam “aktivitetet ushtarake dhe masat e marra nga Republika Helene për mbrojtjen e sovranitetit të saj dhe integritetit territorial për qëllime të mbrojtjes kombëtare, si dhe për mbrojtjen e “sigurisë së vet kombëtare” nga kontrolli juridiksional i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Morëm këto veprime për shkak se perceptuam se kjo është një çështje e sovranitetit kombëtar dhe jo subjekt i kontrollit juridik bazuar në parashikimet e Traktatit të Lozanës

shkruan autori sipas të cilit këtë garanci Greqisë ja jep Traktati.

Është kjo arsyeja pse Erdogan sipas tij kërkoi rishikimin e tij në dy pika: kufijtë dhe pakicat, që shihen në Athinë si cështje të strategjisë kombëtare. Puna është te politika tani që Erdogan po kërkon të afrohet. Si i bëhet nëse Turqia tërheq kërcënimet nga Egjeu, ato që ka bërë deri më tani dhe në kuadër të miqësisë kërkon që Greqia të demilitarizojë ishujt si shenjë e vullnetit të mirë? Syrigos sugjeron se nuk ka asnjë element që të mbështesë reciprocitetin e pretenduar këtu për dy arsye: së pari gjeografia i lejon Turqisë dislokim dhe veprim shumë të shpejtë ushtarak ndaj ishujve në çdo lloj eventualitetit, në dallim nga Greqia që do të duhet të dislokojë sërish në ishuj dhe së dyti, historia:

Pushtimi i Qipros shërben si një mësim pa kufijë, që thekson pasojat e tërheqjes së trupave, siç dëshmuam më 1967-n kur Junta greke tërhoqi regjimentin grek nga ishulli

përfundon autori që sugjeron kështu se asnjë afrim me Turqinë nuk duhet të çojë në mendimin e demilitarizimit të Egjeut. Diçka që vlen si arsyetim logjik, por vendos marrëdhëniet me Ankaranë në stresin e madh të mosbesimit.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.