Denoncimi: 12 automjete të Policisë Bashkiake Tiranë, me qira nga kompania e inceneratorit
Sot, në një deklaratë për shtyp, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike/Rithemelimi, Belind Këlliçi që ka denoncuar një marrëdhënie okulte të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me kompaninë që menaxhon inceneratorin inekzistent të saj. Më poshtë deklarata e Këlliçit:
Në datën 15.04.2020 me nr.12619 prot., nëpërmjet kompanisë INTEGRATED ENERGY BV SPV dhe kryebashkiakut ERION VELIAJ, lidhet një kontratë huapërdorjeje për 12 mjete të cilat do të përdoren nga Policia Bashkiake pas situatës së vështirë të krijuar me pandeminë Covid-19.
Në kontratë palët shprehen se këto mjete janë në pronësi të kompanisë INTEGRATED ENERGY BV SPV sipas të dhënave të lejeve të qarkullimit të tyre sipas Aneksit numër 1 bashkëlidhur kësaj kontrate. Kjo kontratë është amenduar në datën 15.10.2020 dhe 15.10.2021 e në vijim.
Ende sot këto mjete janë në përdorim të Policisë Bashkiake.
Këto mjete i kushtojnë Integrated Energy BV SPV 80.000 euro çdo vit. Pra deri më sot, për dhunimin sistematik të shitësve ambulantë, për gjobvënien e përditshme ndaj qytetarëve të Tiranës, që kanë frikë të kthejnë kokën nga një anë, pasi të vjen gjoba nga Policia Bashkiake e Erion Veliajt, janë paguar mbi 300.000 euro, para të cilat buxheti i shtetit i jep për investimin dhe ndërtimin e Inceneratorit, që ende sot nuk ekziston.
Ndërkohë në e-mailin që mban datën 6 prill, 2020, ora 22.41 minuta, Mirela Veli, Drejtoreshë në Bashkinë Tiranë, i drejtohet Administratores në letra të Inceneratorit të Tiranës, duke i nisur draft kontratën që ju treguam pak më parë.
Ditën e nesërme, më datë 7 prill, 2020, ora 11.48, ky e-mail i përcillet Klodian Zotos, ku i kërkohet informacion nëse duhet të bëhet ndonjë koment, pasi nuk Administratori nuk e dinte për çfarë Klodian Zoto kishte rënë dakord kur kishte bërë biseda me Bashkinë Tiranë në lidhje me këtë çështje.
Pyetja që i drejtojmë sot SPAK-ut, e nesër do i’a përcjellim zyrtarisht është: Me kë komunikoi Klodian Zoto në Bashkinë Tiranë? Me “lalin” si në rastin e çerdhes 1 milionë dollarë që i’a bëri dhuratë për zgjedhjet e 2019, apo me Veliajn i cili firmosi angazhimin financiar të Bashkisë Tiranë, pa pyetur as Këshillin Bashkiak dhe as shokët e qarkut, në vitin 2017, duke e future Bashkinë Tiranë në një angazhim financiar qindra miliona eurosh për 30 vite me rradhë?
Për këto fakte të reja dhe të tjera që do të nxjerrim lidhur me këtë çështje në ditët në vijim, pasi ku ka Veliaj firmë, ka dhe një drejtor që i përfiton këto para, do t’i drejtohemi sërish SPAK, por këtë herë me një kallëzim penal të drejtpërdrejtë për Erion Veliajn
Add new comment