Kosova merr sigurimet maksimale nga Britania e Madhe
Sot në Kosovë ka qenë për një vizitë zyrtare ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, i cili ka qenë edhe kryeministër në Britaninë e Madhe. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen, Cameron ka nënvizuar mbështetjen britanike për Kosovën, sigurinë dhe sovranitetin e saj, por edhe njohjet ndërkombëtare.
Jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, sovranitetit, dhe të drejtës për t’u njohur plotësisht nga të tjerët si shtet sovran. Sigurisht do t’ju ndihmojmë në betejën për tu njohur në forume ndërkombëtare, që është e rëndësishme dhe e meritoni.
Ne jemi krenarë me faktin se Britania luan një rol të madh në KFOR. Ne kishim mbi 600 trupa britanike këtu këtë vit. Ne jemi krenarë për trajnimin dhe mbështetjen që po u japim forcave tuaja të armatosura dhe suksesin e madh që ata kanë pasur në stërvitje në Mbretërinë e Bashkuar. Pra, ne kemi folur për sigurinë, kemi folur për ekonominë tuaj e cila po tregon rritje të mirë këtë vit dhe ne duam të bëjmë më shumë për t’ju ndihmuar ekonomikisht, për t’ju ndihmuar të siguroni punë dhe mjete jetese për njerëzit tuaj.
Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Është diçka tepër e rëndësishme për interesin tonë kombëtar
ka thënë kryediplomati britanik.
Është një mesazh gjithëpërfshirës që shkon kundrejt çdo lloj përpjekjeje për të vënë në diskutim sigurinë e Kosovës, por edhe kundër manovrave diplomatike që po luhen për të krijuar ambiguitet mbi funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Është padyshim një vizitë që i jep mesazh të qartë dhe të paekuivok Serbisë së Aleksander Vuçiçit e cila nuk ka fshehur dhe as ka mohuar përpjekjen për destabilizim dhe ndarjen de facto të Kosovës.
Add new comment