Izraeli ka përherë "një listë eliminimesh"

Postuar në 03 Janar, 2024 14:47

Në dhjetor të vitit 2019, në gazetën “Haaretz”, Gideon Levy do të publikonte një shkrim me titullin: Vrasësi ynë. Shkrimi merret me një lloj kulture të heorizimit të vrasësve të shtetit që sillet e risillet në media në formën e një seriali letrar dhe televiziv të zhanrit aksion ku MOSSAD shkëlqen përherë me efektivitetin e vet.

Në vend se vrasësit të turpërohen për veprimet e tyre dhe ndoshta të shprehin keqardhje dikur, ata janë heronjtë e kohës sonë. Kështu, javën e shkuar televizioni publik Kan, transmetoi një film mbi një plan për eliminimin e të gjithë lidershipit të Hamasit në Rripin e Gazës, që fatmirësisht nuk u realizua(Operacioni Mbledhja e Anemonës dhe përshkruhej si “ëndrra e çdo agjenti”). Tani Kanali 13 po transmeton serialin “Reshimat Hisul”(Lista e eliminimit), një tjetër serial ekzemplar që vëzhgon vrasjet e Izraelit dhe i ngre në qiell ekzekutorët e tyre.

Episodi i kësaj jave trajtonte vrasjen e lavdishme të Khalil al Wazir, i njohur si Abu Jihad, eliminimi heroik i të cilit në Tunizi në vitin 1988 ka qenë subjekt i revistës televizive investigative “Uvda”. Çdo serial dokumentarësh në Izrael që meriton vëmendje duhet të ketë të paktën një vrasje në sezon.

Formula në fjalë është groteske. Këta dokumetarë shkruhen si thriller popullorë, me një sfond muzikor të përshtatshëm dhe rindërtime ngjarjesh. Por mesazhi është tmerrues: mes nesh qarkullojnë vrasës, disa prej tyre janë liderë kombëtarë; jo vetëm që konsiderohen heronj, por disa vlerësohen si politikanët më të moralshëm dhe etikë

shkruante ndër të tjera Levy. 

Shkrimi tingëllon disi profetik me atë që po shohim sot në Gaza, Izraeli i Beniamin Netanyahut ka tashmë një listë kërkim – eliminimi të liderëve të Hamasit palestinez dhe vrasja është një politikë shtetërore e cila nuk po moderohet as nga numri i viktimave. Jo vetëm kaq, por suksesi në vrasje ushqen ambicie të reja politike. Ta zëmë, dy ministra të kabinetit qeveritar izrealit, Bezael Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir janë shprehur se palestinezët duhet të emigrojnë nga Gaza, një sugjerim ky që përfaqëson në thelb politikën e vërtetë edhe të Netanyahut nëse shohim shkallën e angazhimit ushtarak të Izraelit në këtë konflikt.

Përtej aspektit ushtarak, shërbimet izraelite po bëjnë çdo gjë që të rehabilitojnë veten pas dështimit spektakolar – të paktën të shërbimit të brendshëm, Shin Bet – të 7 tetorit. Njoftohet se në Bejrut është vrarë numri dy i krahut politik të Hamasit, Saleh-al Arouri, i konsideruar si një njeri me lidhje të forta me Hezbollahun dhe pika kyçe e kontaktit me Iranin.

Në këtë kuptim, likujdimi i tij, sinjalizon se Izraeli nuk është në gjendje të shohë brenda strategjisë së tij të mbrojtje, një skenar ku Irani të mos ketë një rol dhe që këtej mund të pritet një zgjerim i konfliktit që mund të artikulohet si politikë e likujdimit të një shteti terrorist, ndërkohë që do të kemi të bëjmë me një politikë të Izraelit e me gjasë të disa monarkive në Gjirin Persik.

Një listë e gatshme për vrasje është tashmë në të gjitha mediat: aty figuron i famshmi Mohammed Deif, mandej lideri politik, Ismail Haniyeh, Marwan Issa, dora e djathtë e liderit ushtarak Deif, Yahya Sinwar, lideri palestinez i Gazës, Khaled Meshaal, paraardhësi i Haniyeh. Kështu historia e këtij shteti kalon pandalshëm nga një kartotetë vrasjesh dhe likujdimesh të cilat vijnë e marrin emërimin e tyre historik si elementë të sigurisë shtetërore, ndonëse asgjë nuk duket se mund të ndalë tashmë mërinë ndaj Izraelit.

I vështruar shpesh si një fanar demokracie në një rajon ku dominon nacionalizmi ushtarak dhe Islami politik së fundmi, Izraeli i sotshëm nuk i lë asgjë mangut një autokracie militariste që vështirë se do të mund të prapakthehet në normat e demokracisë liberale pas kësaj që ka ndodhur. Më shqetësuesja nuk është sulmi i 7 tetorit, kriminal dhe bastard në mënyrën e realizimit, por fakti se tashmë po duket qartë se Izraeli ka planëzuar spastrim definitiv të Gazës dhe se asnjë aktor nuk po kërkon ta ndalë atë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.