UNICEF: 400 milionë fëmijë të prekur nga lufta
Viti 2023 mbyllet me numrin më të madh të fëmijëve në zonat e krizës. Konfliktet, përmbytjet, kriza klimatike: emergjencat globale që u shumëfishuan midis 2022 dhe 2023 me luftën në Ukrainë, sulmin e Hamasit më 7 tetor dhe reagimin izraelit në Gaza, e kanë çuar në 400 milionë numrin e fëmijëve të rrezikuar.
Sipas të dhënave të OKB-së, ndërmjet 2005 dhe 2022, të paktën 120 000 fëmijë janë vrarë ose gjymtuar në konfliktet në mbarë botën. Disa prej tyre janë konflikte të harruara për të cilat askush nuk flet më.
Kur një konflikt i ri ndizet, zonat e tjera dalin jashtë vëmendjes, siç ndodhi në Siri, Jemen, Sudan.
Tani titujt e mediave kryesore janë për gjendjen në Gaza, më pak në Ukrainë, por ato luftëra që kanë kaluar në plan të dytë vazhdojnë të shkaktojnë emergjenca shkatërruese humanitare, veçanërisht për fëmijët. Një nga çështjet më të ndjeshme për Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët është deportimi i të miturve ukrainas në Rusi që nga fillimi i pushtimit. Në pothuajse dy vjet luftë në Ukrainë, 560 fëmijë u vranë nga bombardimet dhe 1200 u plagosën.
Sipas lajmeve që vijnë nga Gaza, që nga fillimi i operacioneve ushtarake izraelite në Rrip, janë vrarë 5350 fëmijë dhe rreth 9000 janë plagosur, ndërsa 1750 janë të zhdukur. Në Izrael, mbi 35 fëmijë u dogjën të gjallë ose u plagosën për vdekje në sulmin e Hamasit më 7 tetor. Në Siri, pas mbi 12 vjet konflikti, emergjenca është përkeqësuar me tërmetin e muajve të fundit: 7 milionë fëmijë kanë nevojë për ndihmë.
Sipas OKB-së, që nga fillimi i luftës, rreth 13 000 fëmijë sirianë janë vrarë ose plagosur, mbi 609 900 nën moshën 5 vjeç vuajnë nga kequshqyerja kronike.
Në Jemen, ku mbi 8 vjet luftime kanë shkatërruar jetën e 11.1 milionë fëmijëve, 11 000 janë vrarë ose plagosur rëndë, mbi 4 000 janë rekrutuar dhe përdorur nga palët në konflikt.
Në Sudan, UNICEF regjistron krizën më të madhe të fëmijëve të zhvendosur në botë, me 24 milion të mitur të përfshirë dhe tre milionë të evakuuar. Në anën tjetër të botës, në Haiti, rreth gjysma e popullsisë ka nevojë për ndihmë humanitare, duke përfshirë 3 milionë fëmijë, viktima të një historie komplekse varfërie, paqëndrueshmërie politike dhe rreziqesh natyrore.
Add new comment