New York Times nis betejën ligjore me Chat GPT
New York Times ka vendosur të padisë pronarin e ChatGPT OpenAI për shkelje të së drejtës së autorit. NYT pretendon se materialet e saj janë përdorur për të trajnuar sistemin e inteligjencës artificiale, e cila tani po konkurron me gazetën si një burim informacioni i besueshëm.
Në padi përmendet si palë e paditur edhe Microsoft. NYT thekson në tekst se dy kompanitë duhet të mbajnë përgjegjësi për shkeljen e të drejtës së autorit dhe të paguajnë "miliarda dollarë" dëmshpërblim.
ChatGPT dhe modele të tjera të ngjashme "mësojnë" duke analizuar sasi të jashtëzakonshme të dhënash që merren nga interneti.
Por sipas padisë, kur pyetet për ngjarjet aktuale, ChatGPT ndonjëherë gjeneron "fragmente fjalë për fjalë" nga artikujt e New York Times, të cilat nuk mund janë të aksesueshme për ata që nuk janë të abonuar.
Kjo do të thotë akses në një material për të cilin duhet paguar dhe si pasojë sjell dëm financiar për NYT. E njëjta gjë pretendohet se ndodh edhe me motorin e kërkimit Bing - i cili ka disa veçori të mundësuara nga ChatGPT - që prodhon rezultate të marra nga një faqe interneti në pronësi të Neë York Times, pa u lidhur me artikullin.
Microsoft ka investuar më shumë se 10 miliardë dollarë në OpenAI.
Padia është depozituar në një gjykatë federale në Manhattan, pas dështimit për të getur një zgjidhje miqësore në prill të këtij viti.
Kjo nuk është padia e vetme e kësaj natyre ndaj ChatGPT.
Në shtator, një rast i ngjashëm u çua në gjykatë nga një grup autorësh amerikanë, mes të cilëve edhe romancierët e Game of Thrones, George RR Martin dhe John Grisham.
Në korrik, shkrimtarët Margaret Atwood dhe Philip Pullman u bënë thirrje kompanive të AI që t'i kompensojnë ata për përdorimin e punës së tyre.
OpenAI dhe Microsoft së bashku me faqen e programimit GitHub janë paditur edhe nga një grup ekspertësh informatikë që pretendojnë se është përdorur pa leje kodi i tyre për të trajnuar një AI të quajtur Copilot.
Add new comment